Ersi Bozheku/ Gangrena e sistemit të drejtësisë

748
Ambasadori amerikan thotë se reformën në drejtësi e ndalojnë gjyqtarë të paaftë, ministra të korruptuar, deputetë kriminelë… Gjyqtarë të paaftë ok…, për të tjerët nuk e di… Pyetja për Ambasadorin e SHBA në Tiranë, Donald Lu është: Ku do t’i gjeni gjykatësit apo prokurorët e aftë…? Po avokatët? Edhe këta duhet të aftësohen, pasi janë shtylla e procesit gjyqësor. Mendoni se një trajnim 6 mujor në SHBA është i mjaftueshëm për të mbushur boshllëqet? A keni lexuar ndonjëherë ndonjë libër universitar shqiptar? A e dini që nuk njihen as teoritë bazë të sistemit të drejtësisë që i përkasin viteve 1850-1910. Nuk njihet as ABC-ja e drejtësisë moderne, (kam 10 vite që ia përkushtoj karrierën time universitare kësaj pike. E kam theksuar me forcë gjatë angazhimit në misionin “EURALIUS III” në vitet 2011-2013, në kuadër të të cilit shkrova dhe një libër. Paaftësia sjell korrupsion, paaftësia vjen nga padituria, padituria vjen nga sistemi i formimit, ndoshta dhe ai i përbërë nga njerëz të paaftë, bij të korrupsionit. Padituria dhe korrupsioni në Shqipëri janë të lidhur me sistemin universitar)… 

Reforma në drejtësi fillon nga formimi në Universitete…kur të bëhet reforma e didaktikës dhe e kërkimit shkencor, (të paktën për fakultetet e drejtësisë). Atëherë mund të flitet për reformë efikase dhe serioze në drejtësi…Sidoqoftë optimizmi nuk duhet të mungojë. Ndoshta 6 muaj praktikë tek “Plepat amerikanë” mund të sjellin rezultate hyjnore?! Megjithatë është mirë që z. Lu të lexojë pak dhe literaturë. Do t’i këshilloja të shfletonte tragjedinë “Romeo dhe Xhulieta” (edhe në Amerikë ndoshta e njohin) dhe në veçanti momentin e famshëm të ballkonit ku Xhulieta i thotë Romeos: O Romeo, Romeo, Romeo, pse je ti Romeo? Xhuljeta, e familjes së Kapuletëve, i referohet faktit se Romeo vjen nga familja e kundërshtarëve Montagë. Romeo, që nuk duket se ishte shumë inteligjent, i përgjigjet: Nëse do ndërroj emër…Xhuljeta! Vajza e rrahur nga jeta i përgjigjet: Oh Romeo, ti mund t’i ndërrosh emrin një trëndafili, por nuk i ndryshon dot aromën…Shpresojmë që kjo reformë, për të cilën flitet së paku me një 6 mujor tek “Plepat Amerikanë” të ndryshoj erën e paaftësisë së gjyqtarëve. Megjithatë pa filluar nga formimi i juristëve (kjo është gangrena e vërtetë e sistemit shqiptar), ndoshta mund të ndryshojnë emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve (dhe parfumet që ata përdorin), por jo aroma e injorancës… Prandaj Ambasadori Lu në fillim është mirë të vihet dorë në programimin e një sistemi universitar e formues efikas… nëse ka një nivel dije të lartë mund të kërkohet një nivel përgjegjshmërie e lartë…
Sigal