Enton Abilekaj: Skulptori Arben Bajo nuk ia doli, edhe se qeveria nuk e dërgoi në Turqi!

206

Nga Enton Abilekaj

Ishte ndër skulptorët më të mirë, jo ndër 122 deputetët që votojne sipas urdhërit, jo ndër 200 bizensmenët më të mëdhenj, po ndër 2-3 skulptorët më të mirë të një vendi që artet figurative, i ka lënë në derexhenë e përfaqësimit nga një ish-piktor që iu dorëzua politikës pas përpjekjeve të dështuara për t’ja dalë jetesës së denjë me artin.

Arben Bajo ia doli me dinjitet, me sukses ndërkombëtar, nuk u dorëzua. Ishte pasuri e rallë që si gjithë pasuritë e ralla të vendit, frymore ose jo, lihen të mëshirë të fatit, që në 108 vitet e fundit (dhe të parat) ka qenë i keq për Shqipërinë. Arben Bajo nuk ia doli ama të merrte statusin e deputetit që çohet në Turqi për tu kuruar, as fatin e biznesmenit që shkon në Austri, as fatin e drejtorit që shkon në Gjermani.

Ai pati fatin-fatal të çdo shqiptari dhe u nda nga jeta për 10 ditë. Arben Bajo nuk ia doli të ishte i privilegjuari në një regjim që është ngritur mbi korrupsionin dhe servilizmin dhe si rrjedhim u shërben atyre. Ai nuk diti të përshtatej në një vend ku hijet janë më të gjata se njerëzit dhe iku atje ku dielli nuk perëndon.

Ata që e shtireshin si miqtë e tij dhe e lanë të dergjej pa shpresë në shtratin e vdekjes, nuk ngurrojnë të bëjnë requieme, nuk ndihen në faj, sepse nuk ndiejnë asgjë për askënd. Sikur të heshtnin do ta nderonin kujtimin e artistit që iku, sikur të heshtnin të paktën nuk do na kujtonin përgjegjësinë e tyre.