Ëngjëll Musai: Zgjedhjet në PD u bënë për kryetarin e ri, por u zgjodh kryetari i…vjetër!

573
Janë disa fakte, që kanë shoqëruar fushatën 20 ditore të zgjedhjeve në PD dhe 24 orët pas shpalljes së rezultatit. Ka lloj-lloj mendimesh, akuzash, sajesash, analizash, qëndrimesh, shpifjesh për formatin e këtij procesi, për kryetarin Basha që kandidoi dhe u shpall fitues me 93% të votave, për rivalin e tij Selami që mori vetëm 7% të votave, për kundërshtarët e Bashës e të procesit zgjedhor në PD, për skenar dhe heshtje të Berishës gjatë procesit, për anësinë e deputetëve të vjetër të PD, në favor të kandidaturës së kryetarit Basha, për çarjen dhe krijimin e PD-ve të tjera dhe shumë “opsione” të besueshme dhe të pabesueshme, që krijojnë situata të tilla konfuze e konfliktuale në grupime politike, të cilët dalin nga një humbje, siç e pësoi PD-ja në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit!
Qysh në nisje të procesit zgjedhor në PD, u tha: “Bëhen zgjedhjet për kryetarin e ri”! 
Edhe gjatë 20 ditëve të fushatës zgjedhore, kryetari dhe anëtarët e komisionit, kryetarët e degëve të PD, gazeta e PD, analistët, dy kandidatët dhe anëtarët e saj, shpreheshin: “Zgjedhjet janë për kryetarin e ri”. Edhe ditën kur përfundoi numërimi i votave, kreu i komisionit, doli në media dhe deklaroi: “Zgjidhet kryetari i ri i PD-së”. Siç edhe u njoftua e u propagandua nga të gjithë, zgjedhjet në PD u bënë për kryetarin e ri, por faktikisht u zgjodh kryetari i …vjetër!
Kandidatët
Të dy kandidaturat që morën pjesë në zgjedhje për kreun e ri të demokratëve kanë qenë në krye të PD-së. Eduard Selami ka drejtuar të djathtën në vitet 1992- 1996, deri sa dha “dorëheqje “ dhe u largua drejt Amerikës, ndërsa Lulzim Basha ka qenë në krye të PD-së pas dorëheqjes së z. Berisha, i cili, pasi e djathta humbi zgjedhjet në 2013, dha dorëheqjen duke deklaruar se nuk do të rikthehet më në krye të PD, por thjesht do të jetë anëtar dhe deputet i saj. Kandidati Basha drejtoi PD nga 2013-2017 dhe deklaroi ngrirjen e postit të kryetarit deri në zgjedhjet e reja. Basha erdhi në këto zgjedhje pas dy disfatave: Humbjes në zgjedhjet lokale të 2015 ku e djathta humbi shumicën dërmuese të bashkive, të cilat edhe u formatuan me ndarjen e re administrative sipas kalkulimeve të socialistëve. Kjo humbje u pasua edhe nga humbja e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Qershorit 2017, e cila është më e rënda në historinë 27 vjeçare të demokratëve. Edhe këto zgjedhje ashtu sikurse ato lokale që u goditën nga manovrat e ndarjes administrative, edhe zgjedhjet e përgjithshme Basha i humbi falë një marrëveshje enigmatike Rama-Basha në natën e 18 majit. 

Nga ana e tij Eduart Selami u rikthye në PD në marsin e 2013-s. Ish-kreu i PD , ka një histori të pathënë në lidhje me kthimin e tij dhe mënyrën se si u ripranua në PD. Në një intervistë të dhënë gazetarit (Xh. Sh) të “Telegraf” në marsin e 2013 sapo mbërriti në Tiranë ai theksonte, se kjo PD nuk mund të ecte përpara me Sali Berishën. Ndërkohë disa miq të përbashkët përtej Atlantikut, të cilët e kishin bindur të rikthehej, kishin marrë edhe garancinë që Selami duhej të respektonte edhe figurat e së djathtës në vend dhe, se ky respekt do ishte reciprok dhe garanci për ofrimin e tij. Intervista e përgatitur nga gazetari ynë nuk shkonte me ato çka ishin biseduar dhe pas shkëmbimit të atyre çka ishin thënë në intervistë, kjo e fundit u konsiderua si “keqinterpretim” dhe u ribë me titullin, Selami: “Partia ime është ajo e Dhjetorit 1990”, dhe nuk u përmendën më “inatet” e vjetra ndaj Berishës. Pas kësaj u hapën dyert në media, televizione dhe Selami bëri disa takime me drejtuesit më të lartë të demokratëve duke u futur në listën e PD për deputet në Librazhd. Ka edhe më shumë hollësi, por ndoshta do jepen në një moment të dytë, pasi qëllimi i sotëm i këtij shkrimi është kandidimi për herë të dytë i Eduard Selamit për kreun e “Ri” të PD-së, megjithëse edhe ky vetë është një ish-kryetar i vjetër. Përfundimisht, të dy ish-kryetarët e vjetër; njëri i “shkrirë” në 1996 dhe tjetri i “ngrirë” më 2017-n, kandiduan për t’u bërë “Kryetar i Ri “ i Partisë Demokratike. 
Sigal