Ëngjëll Musai: Politika e vjetër dhe votuesi i ri

496
Fushatat elektorale në Shqipëri janë parë në mënyrë sistematike si periudha më e mirë kur mund të takosh deputetët që për katër vite u ke harruar fytyrën dhe zërin, mund të përshëndetesh dhe me liderët, të cilët nuk presin t’u afrohesh, por të lusin për një “selfie”, pasi u duhet ta hedhin në faqet e tyre online dhe do e përdorin në mediat televizive shtetërore dhe individuale si dhe në gazeta për të treguar, se sa shumë i do populli. Por pragfillimi i fushatave nga ana tjetër ka një vlerë të jashtëzakonshme, se të zgjon ëndrrat për një një jetë më të mirë kur mendon, se do të rriten pensionet, rrogat e administratës madje edhe mund të përfitosh ndonjë letër bakalli (LEGALIZIM), i cili edhe pse duhej të bëhej brenda katër vjeçarit është lënë për në muajt e fundit të fushatës së radhës. Nuk po merrem me hipokrizinë apo ilaritetin që shkakton ky akt, pasi para katër vitesh, zoti Rama tallej me kreun e ALUIZNI-t duke e cilësuar “Shaban tapia”, ndërsa sot së bashku me zotin Lamaj dhe vetë në krye, është kthyer në në një tapi shpërndarës. Dhe të gjitha këto veprime kanë një non sens, pasi në njërën anë pronarëve të tokës u vihet dinamiti edhe pse janë në tokën e tyre, ndërkohë që të tjerëve u legalizohen pronat në tokat e zaptuara dhe pasojat i vuajnë njerëzit e ndershëm, të cilët do detyrohen të paguajnë milionat për pronat e zëna, sepse gjykata e Strasburgut është e pandikuar dhe nuk i intereson fushata e cilitdo lider partie në Shqipëri. Po cili është qëllimi i këtyre veprimeve të shtetarëve që hiqen si padrino me pasurinë private dhe kombëtare? Thjesht dhe vetëm vota e hallexhinjve. Nuk e di pse por m’u kujtuan disa vargje të një publicisti të madh shqiptar, i cili shprehej se : “Në çdo fushatë, politika numëron votat për t’i kthyer më vonë në miliona, ndërsa popullit i mbetet në dorë receta me ilaçet e parainfarktit për hallet që ka hequr dhe do heqë sapo të mbarojnë zgjedhjet”. Pikërisht kjo gjë është vënë re gjatë fushatave shqiptare ku premtohet luga e floririt me tasin bosh, ndërkohë që shqiptarët do ishin më të kënaqur me lugë druri por me pjatën plot Premtohet qumështi i bletës edhe pse kjo e fundit ka marrë arratinë nga trullosja e pjalmit të hashashit, premtohen legalizime ndërkohë që tritoli rrëzon pallate, premtohet rend por droga dhe krimi po bëjnë kërdinë, premtohen kufij të sigurt por doganat janë më të shpartalluara dhe janë kthyer në vende pasurimi, kërkohen intelektualë por ata kanë marrë arratinë, se nepotizmi i ka zënë frymën administratës, kërkohen talente por diplomat e fabrikave të dikurshme aq shumë të kritikuara nga z. Rama kanë uzurpuar postet më të rëndësishme. Politikanët shqiptarë dhe sidomos ata që marrin pushtetin kurrë nuk bëjnë autokritikë, por kërkojnë të justifikojnë babëzinë e tyre me ndjenja nacionalizmi, duke harruar se shqiptarët po ndërgjegjësohen dhe po e kuptojnë, se ndryshe nga politikanët tanë, shtetarët perëndimorë dhe ata amerikanë udhëheqin dhe nuk sundojnë, shërbejnë dhe nuk rrëmbejnë, kudo ndërtojnë, frymëzojnë, lehtësojnë procedurat dhe nuk rrënojnë apo shkatërrojnë me tritol. Ja këta janë shtetarët e Shqipërisë sonë. Mendova të hedh disa mendime modeste duke pasur parasysh takimet e fundit të liderit të mazhorancës, i cili në takimet me të rinjtë dhe ata që do votojnë për herë të parë u shpreh se “ju nuk mund të vazhdoni të qeveriseni nga politikanë të vjetër, të cilët e kanë lënë në këtë gjendje vendin”?! Po kujt ia kërkon këtë gjë ky “lider” ?! Ia kërkon 18-vjeçarëve që votojnë për herë të parë dhe që në kohën kur ata ende nuk kishin ardhur në jetë ( datëlindja1999), pikërisht Edi Rama ishte ministër i qeverisë së z.Nano. Sot kur në jemi në vitin 2017 përsëri kemi të njëjtët “udhëheqës”, të cilët në mënyrë të pasinqertë mashtrojnë të rinjtë dhe kritikojnë politikën që e ka katandisur vendin në këtë derexhe, kur vetë janë aktorë dhe faktorë të krizave, situatës së rëndë ekonomike, papunësisë, emigrimit masiv, trafiqeve, emërimeve klienteliste, ofrimit në pushtet të bandave dhe largimit të njerëzve të ndershëm dhe intelektualëve vizionarë. Politikanët harrojnë se këta 18-vjeçarë kanë një familje, e cila ua shpjegon më mirë dhe më thjesht të vërtetën e tjetërsuar nga ju, që synimin kryesor nuk keni hallet e qytetarëve dhe, aq më tepër të 18-vjeçarëve por karrigen tuaj të pushtetit që e keni hipotekuar me tapinë false të legalizimeve të radhës.
Sigal