Sigal

Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare do të mbetet padyshim një nga ngjarjet më të lavdishme të historisë së popullit shqiptar dhe rruga më e drejtë që bijtë dhe bijat e këtij populli zgjodhën kur vendosën të luftonin me bishat nazi-fashiste dhe kuislingët e lidhur me ta. Atdhedashuria ishte “vullkani” që ndezi zemrat e të gjithë shqiptarëve gjatë LANÇ. Luftëtarët e Atdheut kryen veprën më madhështore, ata dhanë jetën e tyre në një moshë fare të re, jo për diçka personale, por për një Shqipëri të lirë.

Betejat e Luftës partizane ndiznin zemrat e luftëtarëve që nuk na zhgënjyen, pasi më 29 Nëntor 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazifashistë. Dhe për këtë, u desh gjaku i 28 mijë dëshmorëve. Ata dhanë jetën në moshë fare të re. Se përgjithësisht ishin të rinj në Luftë. Dhe përse e dhanë jetën ata? Për diçka personale? Jo, e dhanë për Shqipërinë. Programi i asaj kohe për të cilin ata luftuan ishte një program kombëtar. Ata nuk ishin anëtar partie, ata nuk e derdhën gjakun për partinë, por u vranë në llogoret e luftës me fjalët “Rroftë Shqipëria e lirë. Parulla e tyre ishte e qartë: Vdekje Fashizmit, Liri e Popullit.

Ndaj sot nuk ka gjë më të poshtër dhe më të ulët se sa të injorosh veprën e dëshmorëve. Është e njëjta gjë; si kur e injoron atë, ashtu edhe kur e shkruan së prapthi: Është po njëlloj poshtërsi. Një pjesë e pinjollëve të kuislingëve dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit nuk duhej të përfitonin asnjë gjë që vunë me paratë e marra si shpërblim nga bashkëpunimi me italo-gjermanët. Por ja që sot po bëhen shumë allishverishe dhe asnjë vendim i Kongresit madhështor të 24 Majit në Përmet nuk duhet të shkelet. Kjo, pasi ky Kongres na radhiti në bllokun e fituesve të Luftës. Por më e rënda është kur shikon kreun e të vetëquajturës “Rilindje”, njëkohësisht edhe kryetar i PS, që i thur lavde Kryeballistit Mit’hat Frashëri apo Ahmet Zogut që u arratis me valixhet me florinj, duke lënë popullin në mëshirë të fatit. E pra, këta kanë vetëm një emër: Tradhtarë të Kombit. Dhe tradhtarët nuk mbrohen dhe nuk promovohen, por e kanë vendin koshin e turpit të historisë.

Edi Rama i do socialistët dhe familjet e dëshmorëve vetëm për vota, por nuk kujtohet për lapidarët e tyre të shkatërruar, as për varrezat e dëshmorëve, as nuk u kujtua që vitin 2019 ta quante si viti i 75-vjetorit të LANÇ. A i urren partizanët, i urren dëshmorët se ata luftuan për lirinë e popullit dhe jo si këta maskarenj, për t’u pasuruar.

Si mund ta thuash pa pikë turpi se “Unë jam edhe partizan edhe ballist”?! Dhe këtë e thotë Edi Rama. O je “Partizan” o je “Ballist”. Të dyja nuk shkojnë. Ai që i pranon të dyja është anarkist, por emrin e nderuar dhe të pavdekshëm të “Partizanit” nuk duhet ta zërë në gojë.

Një këshillë për të gjithë veteranët dhe drejtuesit e Komitetit të LANÇ: Mos bëni “pazare” me gjakun e dëshmorëve dhe sakrificat e partizanëve, për hir të karriges së një individi. Partizanët dhanë jetën për liri, derdhën gjakun për Shqipëri, ndaj Ju mos u bëni ”kolaboracionistë” me njeriun që nuk meriton as mirënjohjen dhe as votën që ju ia ripremtuat. Nëse dikush nga Ju, baballarë të nderuar dhe flokëbardhë të Komitetit të Veteranëve, mundet ta falë gjakun e njeriut të vet, ne të tjerët nuk do to ta harrojmë kurrë “Amanetin” e partizanëve dhe dëshmorëve . Në 5 Maj të gjithë do jemi pranë tyre me fjalët plot nder e buçimë : “Në këto ditë të majit, lule sjellim ne, lule more trima, që ratë për ATDHE!”…