Engjëll Musai: “Luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe përfitojnë horrat”

71
Sigal

Engjëll Musai
Drejtor i “Telegraf”

“Luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe përfitojnë horrat” do të thoshte një shekull më parë Viktor Hygo. Aktualitetin e këtyre fjalëve e verifikuam dje me listat e kandidatët për zgjedhjet e 11 Majit 2025, të cilat nxorën në pah edhe një fenomen i cili është përmendur vazhdimisht, por që do duheshin listat që u depozituan në KQZ, për t’i nxjerrë “petët lakrorit” të shtetit të kapur nga pushteti. Prej vitesh kemi deklaruar se vetting-u nuk është një fenomen që do të vendosë drejtësi, por një mundësi për të sulmuar kundërshtarët, por edhe profesionistët, duke e kthyer Reformën në Drejtësi, në “Reformën e Gjuetisë së Shtrigave”. Një shkak më shumë për të bërë njerëzit të pakënaqur, duke u vjedhur pasurinë private dhe kombëtare, e duke shpopulluar vendin nëpërmjet emigrimit.  Rasti më konkret është ai i Olsi Komici, Komisionerit të Vettingut, i cili pasi kreu misionin e tij politik, brenda 2 muajve, u emërua Drejtor i AKU dhe tashmë kandidat për deputet i Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit.

Ja këto janë provat dhe faktet që tregojnë se Vettingu i partisë, u bë për të shpëtuar “Kokën e Pashait”, ndërkohë që qytetarët presin fatin e mijëra dosjeve për pak drejtësi, madje në shumë raste edhe duke dhënë jetën, sikurse ishin protestuesit e 21 Janarit, familjarët e të cilëve sot do tu duhet të votojnë për vrasësin e grupit të zjarrit, të cilët “Rilindja” po e gradon, për shërbimin ndaj “Pashait”. Por një tjetër fenomen i shumë përfolur është edhe ai nepotizmit partiak, i cili i qëndron si litar shtetit dhe qytetarëve shqiptar. Mjafton fakti që drejtues të administratës dhe institucioneve të pavarura sikurse është arsimi, janë në listat e partive politike tregon edhe arsyen e vërtetë se përse “Shkolla Shqipe” është në këtë ‘derexhe’. Duke parë kandidimin e drejtorëve të shkollave në listat e partisë në pushtet, kuptojmë fare mirë edhe shkakun se përse të rinjtë duan të largohen nga vendi, apo një shkak dhe arsye më shumë për të braktisur arsimin e politizuar. Kjo është edhe një arsye, ku shpesh nxënësit nxjerrin thikat, pikërisht për debatin politik të transferuar nga partia në shtëpi, dhe nga shtëpia në shkollë. E njëjta situatë është edhe me mjekët dhe drejtuesit e spitaleve që janë “mbarsur” nga humanistët e hipokratit në patronazhistët e partisë. Dhe jo më kot shkollat dhe spitalet janë vendi ku dija po shteron dhe shëndeti po blihet duke paguar “batakçinjtë” e listave elektorale të spitaleve. Konstatimi se kur drejtuesit e administaratës që mbahen me taksat e qytetarëve, njëkohësisht edhe anëtarë te Partia në pushtet, bëhen një trupë, dhe nuk shprehin kurrë një mendim ndryshe, nga kryetari i Partisë apo drejtuesi politik, i ngjan më shumë një bande, se sa një shërbëtor i qytetarëve.