Ëngjëll Musai: “Katovica” dhe amaneti i Ramizit për politikën shqiptare

1224
Drejtues të komunizmit evropiano-lindor, nën dirigjimin e Gorbaçovit, hartuan një plan të detajuar me objektivin për të mos e lëshuar pushtetin. Mbledhja e Katovicës (Katovica qytet polak) daton në vitin 1987 dhe pikërisht mbi këto orientime mbërriti në Shqipëri një dokument që daton në tetorin e vitit 1989, mbi bazën e së cilës u zhvillua një mbledhje e Byrosë Politike të PPSH-së nën drejtimin e Ramiz Alisë, në të cilën ra në sy vetëdija e krerëve komunistë të Shqipërisë, se sundimit të tyre po i vinte fundi. Ndaj ata ndërmorën një strategji që do t’i paraprinte zhvillimeve të pritshme, për të mbajtur nën kontroll tranzicionin e pashmangshëm nga diktatura në demokraci, dhe rrjedhimisht, për të mbajtur në duar në një formë tjetër timonin e drejtimit të vendit. Ndoshta jo rastësisht edhe në këtë fushatë elektorale të 2017-s drejtuesit kryesorë të “Rilindjes” dhe opozitës po flasin për “timon”, ashtu sikurse fliste edhe Ramiz Alia në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90, dhe që u pasua me protestat e studentëve . Tashmë është bërë e ditur që kjo revoltë studentore sapo mori hovin dhe të rinjtë vërshuan nëpër rrugë duke rrëzuar edhe monumentin e Enver Hoxhës, pikërisht në këto moment një grup “intelektualësh” që edhe sot i kemi në politikën aktive morën në dorë “timonin” e Lëvizjes Studentore. Ndaj sot, edhe pse kanë kaluar 27 vite nga zhvillimet më të rëndësishme demokratike në vend, përsëri ne kemi ish ministra të Ramiz Alisë, sekretar partie, fëmijë të bllokmenëve, trashëgimtarë të diktatorëve të ish sigurimit famkeq, bashkëpunëtorë dhe spiunë dhe lloj –lloj turli qeniesh njerëzore që e kanë rrjepur, shkatërruar,grabitur pasurinë, shitur vendin dhe pronat (koncesione 25 vjeçare), shkatërruar ushtrinë në 1997-n, pasi ishte e vetmja fuqi që mbeti më këmbë pas shkatërrimit të uzinave, fabrikave etj. U shkatërruan pronat, u falsifikuan dokumentet e pronësisë, u privatizua pasuria kombëtare për dy lekë, u prishën ullishte, agrumet, fermat dhe gjithçka që forconte ekonominë dhe vendin. Kjo situatë e rëndë vazhdon të reflektohet edhe këto ditë ku marrëveshja e mesnatës Rama-Basha e 17 Majit 2017 kaloi në heshtje edhe pse të dy liderët biseduan kokë më kokë, për rreth 3 orë dhe nuk u dha një shpjegim. Ku ndodh kjo?! Në letrën sekrete të Gorbaçovit për Ramiz Alisë thuhet se: “Sistemi ynë tanimë është drejt kapitullimit përballë sistemit kapitalist. Kështu na lind si detyrë që të ndryshojmë strategjinë tonë. Ndryshimet do të jenë në dy drejtime kryesore: në krijimin e pluralizmit politik dhe në respektimin e të drejtave të njeriut. Me këto të fundit edhe mund të abuzohet, pasi të drejtat janë gjëra që rregullohen brenda për brenda me ligj, por pluralizmi duhet të vendoset patjetër.” A nuk ishte edhe kjo pjesë e kësaj strategjie kur Rama po e kuptonte se futja në Çadër e PD po çonte këtë të fundit drejt shkatërrimit?! Ndaj marrëveshja e fshehtë Rama –Basha u pasua nga deklaratat, se do vazhdojmë bashkëqeverisjen dhe do ndryshojmë Kushtetutën, të cilën po Rama e ndryshoi për gjithë natën,në marrëveshje me Berishën më 21 Prill 2008, kur ligjvënësit shqiptarë të nënshtruar, por edhe shtrënguar nga Rama dhe Berisha ndryshuan Kushtetutën pa iu drejtuar popullit për mendim dhe, aq më keq akoma, pa e informuar atë. Dhe cili ishte qëllimi? Qëllimi ishte të mos kishte parti të reja dhe pushtetin të vazhdonin ta gëzonin vetëm këto dy parti, PS-ja e Ramës dhe PD-ja e Berishës. Pikërisht këtë theksonte edhe vazhdimi i letrës së Gorbaçovit për Ramizin ku theksonte se: “Le të krijojnë kundërshtarët tanë parti të djathta, të majta apo të qendrës, madje do t’i nxisim dhe ne vetë, por kryesore është që të gjitha këto parti të kontrollohen nga ne vetë. Për këtë, edhe programet e themelimit duhet t’i formulojmë ne. Për drejtimin e këtyre partive duhet të gjenden njerëz që të përkrahin strategjinë tonë. Partia që do të marrë pushtetin, jo vetëm që është e lirë të shajë pushtetin, por këtë ta bëjë fort, sepse kështu do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të disidencës antikomuniste”. Sulmi që PS dhe PD po bëjnë këto ditë ndaj LSI dhe partive të tjera por edhe partive që përfaqsojnë të përndjekurit,pronarët , ish-ushtarakët, grupet shoqërore, minoritetin etj. Nga ana tjetër ky sulm i Ramës dhe Bashës ndaj LSI, PDIU, Social-demokratëve, Kristian-Demokratëve, Nismës, Libra, Agrarët, PBDNJ, AK, AD, etj , nuk është i rastësishëm, por ka një prapaskenë, e cila i ngjan modelit komunist ose diktaturave të tjera, të cilat fillimisht përgatisin opinionin për t’i paraprirë ose marrëveshjeve dhe marrjes së pushteteve. Kjo është arsyeja që të dyja këto parti PS-PD (pjellë e së majtës) po godasin LSI-në dhe partitë e vogla, pasi në këtë mënyrë Rama-Basha ofrohen më lehtë. Por pavarësisht kësaj, askush nuk mund të harrojë shkatërrimin e industrisë dhe fabrikave në vend në vitet 1992, të nxitura edhe nga shërbimet serbe, pasi një gjë e tillë tashmë është bërë publike në një libër të dalë në Beograd, ku flitet se edhe ngjarjet e Prillit në Shkodër, janë pjesë e lojës së UDB-së. Nuk harrohen kollaj burgosja e Nanos, 26 Maji, ngjarjet e tmerrshme të 1997-s ,ku qindra të vrarë veshën nënat me të zeza, madje ato armë dhe ai tritol po bëjnë edhe sot kërdinë. Nuk harrohet grushti i shtetit 1998-s dhe vrasja e kreut të lëvizjes studentore Azem Hajdari, Gërdeci, 21 Janari, grabitja e pronës, diskriminimi i të përndjekurve, protesta e ish-ushtarakëve dhe Akti Normativ i turpit, koncesionet, milionat e shëndetësisë, lojërat e fatit, karburanti me çmim marramendës, privatizimet, energjia e rritur, arrestimet dhe falja e 650 milionë eurove kompanisë CEZ, hashashi, 200 mijë emigrantët që lanë vendin. Ku janë 300 mijë vendet e punës? Çfarë u bë me tenderin e Rrugës së Kombit që për procedurë duhet të rihapet, dhe shumë e shumë të tjera. Për ta bërë më të qartë atë çka këshillonte marrëveshja e Katovicës për Ramiz Alinë dhe se si mund të administrohej pushteti me ndryshimet e pas viteve 1990, po japim edhe vazhdimin e letrës së Gorbaçovit dërguar Ramiz Alisë më 1987 dhe analizën e tij në Byronë Politike më tetorin e 1989-s. 

Letra sekrete e Gorbaçovit për Ramiz Alinë …..

“ Të persekutuari politikë
Ata që janë nëpër burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë, sigurisht që do të na shajnë. Por edhe pse këta e urrejnë komunizmin, do ta shihni që do të na vijnë afër dhe do të na përkrahin. Këta do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të ndryshme, por jo të rëndësishme; por kurrë nuk do t’i lëmë të na përvetësojnë pushtetin. Dhe e dini pse?! Sepse, sapo të marrin fuqinë, do të fillojnë të hakmerren dhe do t’u shërbenin atyre, në vend që ata të na shërbejnë neve. Në zbatim të të drejtave të njeriut, duhet t’u japim edhe kompensimin në para, të burgosurit polikë t’i kompletojmë me komoditetet e banimit. Të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë që t’u njihet prona, por prona vetëm në pak duar do të bjerë, pasi ligji do t’i ngatërrojë njëri me tjetrin. Por një gjë duhet të kemi parasysh; të kemi kujdes nga fëmijët e të persekutuarve politikë, pasi ata vetë janë aq pleq apo të sëmurë sa mezi rrinë në këmbë. Kësaj kategorie mendoj që t’i japim pasaportë për t’u larguar nga Shqipëria më mirë dhe me kaq do të jenë të kënaqur. Pasuria e tyre na përket neve, sepse ne e bëmë.
Ramizi …për Kosovën
Gorbaçovi më dërgoi disa dokumente e plane dhe po i studioj prej kohësh. Ata janë shumë më përpara se ne, por këto janë gjëra që ne i kemi diskutuar afërsisht dhe jo me të gjithë anëtarët e Byrosë, pasi nuk dihet se kush është miku dhe kush është armiku. Kjo është një mbledhje vetëm për ne, më të besuarit, ndaj le të flasim hapur. Ne kemi kuadro sa për shtatë Komitete Qendrore, pra frika nuk duhet të ekzistojë. Shumë intelektualë do të na kundërshtojnë, por me ta do të rregullohemi duke u dhënë punë apo ngritur paksa rrogën. Problem mund të jenë intelektualët pensionistë. Këtyre do t’u ofrojmë krijimin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës dhe të Punës, pastaj do t’u japim nga një mini-pension. Kosova është në pragun e shpalljes së Kushtetutës. Është punë e tyre, ne e kemi programin dhe platformën tonë. Strategjia është e qartë dhe kemi përcaktuar rrugët për zbatimin e qëllimit dhe të misionit tonë. Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste. 
Strategjia e re
Ne, komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist, të jemi ne apo njerëzit tanë. Me strategjinë tonë të re, brenda dy-tre legjislaturash do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes. Të jeni të sigurt që e ardhmja do të jetë jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë. E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme, gjithnjë e sigurt, sepse për këtë kemi derdhur kaq gjak dhe do të derdhim përsëri, po të jetë nevoja. Shqipërinë do ta gëzojmë Ne dhe pasardhësit tanë. Po rastisi që të na e përvetësojnë pushtetin apo të rrezikohemi, atëherë mos u gëzofshim asnjëherë, nëse nuk do të dimë t’i mbrojmë fitoret e arritura, qoftë edhe me grykën e pushkës, si në rininë tonë të hershme. Ndaj, për të mbrojtur mbajtjen e pushtetit duhet të jemi të përgatitur në të dyja anët; në rrugën paqësore dhe në atë të luftës së armatosur.
Kërcënimi
Ne jemi të përgatitur për të dyja rrugët; kemi njerëzit e vendosur dhe guximtarë, të cilët i kemi përgatitur me sakrifica e mund për vite me radhë, por kemi edhe organet tona të dhunës. Ndaj, mjerë ata që do të guxojnë të na kundërvihen. Jua them këtë që të mbani lart moralin dhe asnjëri prej jush të mos ketë frikë. Nëse do të jetë e nevojshme, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të jashtëm ideologjikë në pushtet, që ju i dini mirë, se sa na kanë ndihmuar. Pavarësisht konflikteve të fundit që kemi pasur me ta, duhet ta dini ,se na bashkon kauza e pushtetit të komunistëve, pavarësisht nga nuancat dhe përplasjet e përkohshme. Përveç aleatëve ideologjikë, do të kemi edhe mbështetjen e aleateve të Perëndimit, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha. Këta të fundit do t’i përdorim vetëm, nëse do të jetë shumë e nevojshme. Shoku Enver dikur, dhe unë sot, i kemi ruajtur këto lidhje që të garantojnë pushtetin tani edhe në të ardhmen, përgjithmonë! Ju garantoj, se pavarësisht nga rrethanat e vështira aktuale, sido që të shkojnë punët, uji do të rrjedhë në mullirin tonë. Për këtë jeni të garantuar sot e përgjithmonë. Kërkoj nga ju që të mos keni frikë, të shtrëngoni radhët dhe të mos dekurajoheni nga situatat e vështira që po kalojmë, sepse në fund të fundit rëndësi ka pushteti, që do të jetë plotësisht yni. Ju uroj punë të mbarë, mobilizim dhe mendje të kthjellët! Mbajeni mend: Fitorja dhe pushteti do të jenë përjetësisht tonat! Do të bisedojmë dhe do të vendosim përsëri në përputhje me evoluimin e situatave. Ju uroj punë të mbarë”. Kjo ishte letra e plotë e Katovicës dhe amaneti i Ramiz Alisë për politikanët shqiptarë që vazhdon besnikërisht edhe sot.
Sigal