Sigal

Dekreti i Presidentit të Republikës për zhvillimin e zgjedhjeve në 13 tetor 2019, duket se ka gjetur mbështetjen masive të shqiptarëve, të cilët me këtë datë, jo vetëm që vendosnin dinjitetin ligjor dhe kushtetues të zgjedhjeve, por edhe qetësojnë situatën e tensionuar që ka mbërthyer mbarë vendin, për shkak të keqqeverisjes së rilindjes, skandaleve të përgjimeve, vjedhjes së votave dhe lidhjeve të krimit dhe bandave të drogës me funksionarë lokalë dhe qendrorë të Partisë Socialiste.

Varfëria , grabitja e pasurisë, pensionet e ulëta, diskriminimi i shtresave në nevojë si ushtarakët, minatorët, pronarët, të përndjekurit, specialistët, rinia, shkollat, universitetet, fermerët, specialistët, arsimtarët, shëndetësia, policia, bizneset e vogla e të mesme janë pasqyrë e këtyre zgjedhjeve dhe përbuzjes që këto grupe i bënë propagandës qeveritare duke mos votuar në datën e caktuar nga qeveria dhe komisioni famëkeq i zgjedhjeve.

Ndoshta këto votime ishin edhe një shuplakë për kokëfortësinë e kryesocialistit Rama, i cili nuk pranoi të ulej me opozitën dhe të gjenin gjuhën e përbashkët në të mirë të Kombit dhe qytetarëve shqiptarë.

Ky rezultat edhe pse i jashtëligjshëm dhe antikushtetues ishte një paralajmërim i fortë për të gjithë ata ndërkombëtar që kërkuan, tentuan dhe përdorën karrigen personale dhe postin individual të pushtetit të përkohshëm të tyre. Ata duhet ta dinë mirë që Shqipëria është një vend Sovran dhe nëse mikpritjen, bujarinë dhe besimin e shqiptarëve e përdorin për të përçarë kombin duke mbështetur qeverinë më të inkriminuar, dhe më të korruptuar gabohen rëndë.

Shqiptarët kanë një fjalë të urtë që thotë se: Miku është i mirëpritur, por zot në shtëpinë tonë nuk mund të bëhet kurrë! Ndaj i takon popullit shqiptar që të dalë të protestojë me të gjitha mënyrat demokratike për të larguar qeverinë e drogës, trafikut, babëzisë dhe krimit. Raporti i DASH që e cilëson Shqipërinë si qendër operacionale të trafiqeve dhe linjë mes lindjes, perëndimit dhe Amerikës Latine tregon se individë të caktuar kushdo qofshin për momentin duhet ta shikojnë realitetin në sy.

Jo pak, por 2 milionë e 900 mijë shqiptarë nuk u trembën nga kërcënimi i Ramës, i cili mori atributet e kancelarive perëndimore dhe të Presidentit Amerikan kur deklaroi se, do ju bllokojmë vizat?! Amerika është vendi i Lirisë dhe Demokracisë, është vendi i Presidentit të parë të SHBA-ve, George Washingtonit. SHBA-të janë vendi i Presidentit Franklin Roosevelt, i vetmi që ka marrë katër mandate presidenciale në historinë e Amerikës dhe që ka përpiluar Kartën Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, e cila përbëhet nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, dhe Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike. Por SHBA-të janë edhe vendi i Presidentit antikomunist Republikanit Ronald Regan.

Të gjitha këto dhe të tjera mjaftojnë për t’i treguar cilitdo që mendon dhe vepron në kundërshtim me parimet amerikane të lirisë, demokracisë dhe kundër sistemit monist dhe atij të diktaturës. Përbuzja që shqiptarët i bënë ditën e djeshme farsës zgjedhore, dhe antikomuniste tregoi se “pushteti i sovjetëve, i përqendruar në një dorë” nuk ka vend në Shqipëri.

Është koha që qytetarët pa dallime fetare, krahinore dhe ideje të mbrojnë lirinë dhe të venë në vend amanetin e mijëra të dënuarve dhe persekutuarve të diktaturës që kërkonin, Liri-Demokraci. Nëse e “Duam Shqipërinë si gjithë Evropa” , sot është koha që i madh dhe i vogël të çohet në këmbë për të rrëzuar klikën kriminale që ka kapur pushtetin e qytetarëve. Zoti i bekoftë shqiptarët!