Engjëll Musai/ Drejtësia shqiptare, sfidë për ambasadorin Lu

658
“Udhëheqësit e partive duhet të bëjnë gjithashtu më shumë për të larguar politikanët e korruptuar dhe me lidhje kriminale nga radhët e tyre dhe të mos i vendosin fare emrat e tyre në fletën e votimit. Miratimi i ligjit të dekriminalizimit ishte një hap i parë i rëndësishëm, por tani është po kaq i rëndësishëm zbatimi i plotë i tij”. Ishte kjo deklarata, e cila u bë publike nga Ambasadori i SHBA, Donald Lu, sot në Konferencën Kombëtare me temë “Korrupsioni zgjedhor, nevoja për një reformë elektorale të thelluar dhe gjithëpërfshirëse”. Ky takim i parapriu kërkesës së Kryeparlamentarit Ilir Meta dhe detyrave të lëna nga OSBE-ODHIR në dy zgjedhjet e fundit, ato të përgjithshme në 2013 dhe lokalet e 2015. Shqetësimi i ambasadorit amerikan mbi vendosjen e kushteve dhe standardeve që do të largojnë të inkriminuarit nga politika shqiptare nuk është një çështje pa rëndësi, përkundrazi ajo është gjëja më esenciale pa zbatimin e së cilës nuk ka shtet të së drejtës, nuk ka funksionim të lirive të qytetarëve dhe nuk mundet kurrsesi të luftohet krimi, korrupsion apo trafiku i drogës, qenieve njerëzore etj. Ndoshta jo rastësisht gjërat filluan me ligjin për dekriminalizimin dhe po vazhdojnë me reformën zgjedhore, pasi partia që do të fitojë zgjedhjet do të qeverisë vendin. Nëse në këtë qeverisje do të ketë përsëri njerëz me precedentë penalë dhe të inkriminuar apo të lidhur me botën e krimit, atëherë kjo reformë nuk ka vlerë dhe vendi do të rrokulliset në qorrsokak dhe fundi i shqiptarëve dhe i kombit shqiptar do të jetë tejet tragjik. Një krizë e tillë mund të nxitet fare lehtë nga qarqet anti-shqiptare në rajon, lobingut sorosian dhe sidomos shërbimet inteligjente pro-ruse. Ndaj shqiptarët duhet të zgjohen dhe deklarata e djeshme, por edhe e këtyre muajve të fundit të Kryeparlamentarit Meta është në linjën perëndimore dhe atë amerikane. Ndoshta mbështetja e vetme politike e amerikaneve dhe e gjermanëve në Tiranë mbetet Ilir Meta dhe Berisha, i cili është disi në hije dhe në pritje të çdo zhvillimi të rëndësishëm. Por le t’i kthehemi katër ligjeve të rëndësishme, të cilat janë sot në tavolinën e politikës, miratimi i të cilave me konsensus, do të përbëjnë sfidën e diplomacisë së BE dhe asaj të ambasadorit të SHBA Donald Lu. Sigurisht që një pjesë e tyre do ketë kosto, sepse një pjesë e deputetëve që do e miratojnë këtë ligj nuk do të bëjnë gjë tjetër, por do të vendosin në qafën e tyre litarin e ndëshkimit për krimet e bëra, trafiqet, prostitucionin dhe babëzinë e treguar, duke vjedhur dhe grabitur gjithçka.
1- Ligji për dosjet është në top-listën e diskutimeve dhe ka ardhur koha që spiunët dhe bashkëpunëtorët e shërbimeve të brendshme dhe ato të huaja të largohen nga skena politike dhe niveli i dytë apo i tretë i pushtetit.
2- ligji për dekriminalizimin u miratua, por ende nuk ka filluar implementimi i tij, pasi kjo do të thotë që kryebashkiakë dhe deputetë, kryesisht të preferuarit e Edi Ramës, duhet të shkojnë para drejtësisë. 
3- Ligji për reformën zgjedhore duhet të miratohet dhe qëllimi i tij duhet të jetë dërgimi në destinacionin e caktuar të votës së qytetarëve dhe jo të tjetërsohet me metoda dhe mënyra mafioze, sikurse ka ndodhur deri më sot. Pra 100 mijë vota të aleatëve të majtë që sot po qeverisin ndihen të papërfaqësuar, sepse këto vota i ka marrë Partia Socialiste, e cila e konvertuar në mandate, do të thotë plot 10 mandate deputetësh. 
4- Reforma në drejtësi është ndoshta pika më kulminante dhe përbënë pikën katër të rekomandimeve të BE, si një nga 5 kushtet që mbajnë peng integrimin dhe futjen e vendit në Bashkimin Europian. Politika aktuale po bënë çmos të marrë nën kthetrat e saj drejtësinë për ta përdorur si kasaphanë ndaj kundërshtarëve politikë. Askush nuk e beson Edi Ramën, kur thotë se “unë nuk e kam lexuar ligjin për reformën në drejtësi”( ndryshimet kushtetuese që ju dërguan Venecias). Nëse është e vërtetë që ti zotëri nuk lexon kushtetutën, që është pasqyra dhe udhërrëfyesi i punës tënde dhe shpresa e shqiptarëve, atëherë ti je i paaftë dhe deklaratat e opozitës për këtë papërgjegjshmëri janë të vërteta. Por jooo. Koha na mësoi dhe këto vite treguan se Rama e kërkon me dhunë Ministrinë e Brendshme, Policinë e të gjitha llojeve, tatimore, doganore, ndërtimore etj, etj. Do fakte emërimi i drejtorit të policisë rrugore, si nën drejtor i përgjithshëm i doganës. Do fakt tjetër? Ish-drejtori i policisë bashkiake të kryeqytetit emërohet prefekt dhe më vonë kryebashkiak. Ka me dhjetëra dhe qindra raste të tjera, ku elementët kriminalë të policisë dhe mediokrit e sajë janë në qarqet ku ka më shumë dogana. Ka edhe më keq, kur bashkëpunëtorët e policisë brenda trafikantëve janë dekonspiruar nga vetë elementë të policisë. Për ambasadorin Donald Lu, që ndoshta nuk ka qenë pjesë e zhvillimeve në drejtësinë shqiptare në vite, mund t’i themi që të marrë listën e deputetëve, kryebashkiakëve, asamblesë së Partisë Socialiste dhe drejtorëve të përgjithshëm dhe do të shikosh se një pjesë e mirë e tyre vijnë nga radhët e prokurorisë, gjyqësorit dhe shërbimeve sekrete të policisë së shtetit. A ka fakte? Sa të duash. Ish-Prokurori i Përgjithshëm z. Dhori Sallaku është në këshillin kombëtar të PS, ish-prokurori i Tiranës është deputet, ish-prokurori Ulsi Maja është deputetet, ish- kreu i gjykatës së Fierit u bë deputetë dhe tashmë kryebashkiak i Fierit, ish-prokurorja e Beratit, Ermonela Felaj sot është deputete dhe dhjetëra e dhjetëra të tjerë, që kanë shërbyer si shërbëtor të politikës në organet e depolitizuara dhe departizuara dhe që sot kamë marrë kolltukët e shtetit. Pra edhe presioni që po bën Edi Rama me ligjin e ri për reformën në drejtësi, këtë qëllim ka dhe kjo vlen më shumë se për këdo, për ambasadorin Donald Lu dhe përfaqësuesen e BE-së, zonjën Vllahutin. Drafti i socialistëve, dërguar komisionit të Venecias në lidhje me ndryshimet kushtetuese dhe krijimin e institucioneve të drejtësisë kanë kriteret që i plotësojnë të besuarit e Ramës dhe Xhafës dhe se vetëm emri i tyre mungon në këtë ligj. Nëse PS e ka seriozisht, atëherë le të vendosi edhe dy tre pika shtesë, ku të përcaktohet se të gjithë anëtarët e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë për ndryshimet kushtetuese për 5 vjet të mos marrin pjesë në asnjë nga këto struktura, që krijohen me firmën e tyre. Së dyti, asnjë gjyqtar, prokuror apo nëpunës i sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit të mos lejohet të marrë pjesë në partitë politike për 10 vjet, nga dita e largimit prej këtyre funksioneve. Kjo bëhet që asnjë gjyqtar, prokuror i çfarëdolloj shkalle të mos kthehet në shërbëtorë partiakë dhe pas largimit apo mbarimit të mandatit futen në listat për deputetë. Parajsa e një populli është liria, ndërsa ferri i një populli është robëria, ndaj sot është koha që të tregojmë se, nuk mundet të vazhdojmë të mbajmë në kurriz robërinë që po servirin disa maskarenj që Shqipërinë e shikojnë si një vend për t’u pasuruar dhe më vonë të ikin andej nga kanë ardhur…
Drejtor i Gazetës “Telegraf”
Sigal