Elona Agolli: Baladë për tim atë dhe për vete

199
Sigal

Këtë 90 vjetor të lindjes së babait tim, nuk do të mund të mos më joshte mendimi i ribotimit të një prej poemave të para të rinisë së tij “Baladë për tim atë dhe për vete”. Në 1954, në vitet studentore në Leningrad, ka lindur kjo poemë, është rizgjuar në vitet ’70, ’80, pas viteve ’90 (në 1997), e ripunuar dhe rishkruar nga Dritëroi, shoqëruar me fjalët e shpjegimin përcjellës të vetë atij.

E pikërisht ngasja për ta ribotuar këtë ’90 Vjetor ishte e madhe. E shkruar me një dashuri e frymë të shenjtë, drejtuar atit dhe birit, ajo është një himn dashurie.

Ati është prijësi, rebeli, luftëtari, qejfliu i këngës dhe i gëzimit të jetës, por mbi të gjitha zot i tokës, këngës, jetës së tij. Është zot i tokës dhe plisit që ai e trajton si fëmijë, si qënie të gjallë, ia ndjen pulsin dhe rrahjet e zemrës. Pasi toka është edhe Atdheu, edhe familja edhe mirëqenia. Mesazhe të shumëfishta përcjell kjo poemë, e cila për mua është më e dashura pasi e ndiej si jetëshkrimin e babait tim në vargje, por edhe jetëshkrimi im dhe i fëmijëve të mi.

Të përcjellësh filozofinë e ekzistencës, mesazhe të gjithmotshme, përmes një poeme-këngë që prek thellë ndjesitë e shpirtit, në këtë 90 vjetor të Lindjes së atit, për mua është kënaqësi e përmbushje maksimale.