Eleina Qirici: Katër vjet duke mashtruar qytetarët

702
Kemi afro 4 vjet që dëgjojmë mashtrimet e njëpasnjëshme të kësaj qeverie, pa plotësuar asnjë prej premtimeve, për të cilat erdhën në qeverisje. Kemi afro 4 vjet që dëgjojmë për sukseset imagjinare të saj, ndërkohë që dështimin në qeverisjen e këtij vendi, e provojnë në kurriz qytetarët. Nga mëngjesi në darkë, publiku trysnohet me show politik, deklarata të neveritshme mbi parime e vlera, ndërkohë që realiteti është i zymtë. Edhe pse qeveria pretendon se ka ndërtuar një sistem të ndershëm tatimor, që ndihmon shtresat në nevojë, BERZH deklaron se pabarazia në Shqipëri është rritur në këto vite. Po sipas saj, perceptimi i qytetarëve mbi pabarazinë është më i rëndësishëm se sa ajo që tregohet në shifrat zyrtare. Madje, rritja ekonomike, akoma më keq, ka shkuar tek një grup i vogël individësh, shpesh të lidhur me pushtetin. Për çfarë sukses në ekonomi mund të flasësh, kur Shqipëria krahasohet me Afrikën? Familjet shqiptare shpenzojnë rreth 49% të buxhetit për ushqime. Pra shqetësimi kryesor mbetet sigurimi i nevojave bazë të jetesës. Paturpësisht, thuhet se “punësimi është një nga premtimet e mbajtura”, ndërkohë që ka pasur regjistrim fiktiv në sektorin bujqësor. Kjo qeveri do të mbahet mend për lulëzimin e kanabisit, monopoleve, tenderëve, koncesioneve dhe korrupsionit. Dhe për të gjitha këto të këqija që u keni sjellë shqiptarëve, nuk mund të rrini në karriget qeverisëse. Ka humbur kuptimi i fjalës”skandal”, kur kujton se pushtetari mund të vjedhë, të grabisë qytetarët, por ai jo vetëm nuk ndëshkohet por quhet dhe i suksesshëm. Ndërkohë qytetarët e thjeshtë janë viktimat e këtij realiteti të hidhur. Qeveri e koncesioneve në mjekësi, qeveri që i lë në mëshirë të fatit qytetarin në QSUT, në mes të korridorit, i sapodalë nga operacioni, duke pritur të sistemohej në dhomë. Por skandali më i madh të shohësh artistin e madh në mes të korridorit duke pritur të trajtohet në QSUT. Para pak ditësh bëmë publike gjendjen e qendrave shëndetësore, sidomos në këtë periudhë dimri, me temperaturë shumë të ulëta dhe viroza gripi. Por ajo nuk është e vetmja. Shikojini pamjet e qendrës shëndetësore Çaushlli, Zvezdë, Kreshpanj, asnjë investim infrastrukture për to. Dhe i drejtohem përsëri Ministrit të Shëndetësisë, duhet të kishe bërë urgjent “cheçk up” qendrave shëndetësore, tani nuk ke më kohë, pasi është koha e largimit. Për të vazhduar me spitalin e Ersekës, ku problematikat janë tek stafi mjekësor. Por votat ia deshën Ersekës, për të tjerat nuk ju bëhet vonë qeveritarëve. Aty ka mungesë të mjekëve specialiste: pediatër, kirurg, kardiolog, ortoped, neurolog, endokrinolog. Jo vetëm kaq por është rritur ndjeshëm numri i ambulancave të këtij spitali në dispozicion, e jo sepse kemi dhe rritje të popullsisë aty, por sepse dërgohen në sekondë në Korçë, edhe temperaturë të kesh, nuk të shtron njeri, direkt në Korçë. Shoferët e ambulancave nuk kanë dëshminë përkatëse të drejtimit të këtij mjeti, përveç faktit që dhe këta zgjidhen militantë. Qendrën sanitare e drejton jo një mjek, por një person që ka mbaruar për shëndetin publik. Në këtë situatën e virozave të stinës, infermiereve në Korçë u është kërkuar të punojnë dhe ditët e pushimit, por pagesa nuk ka pasur për këto ditë. Por kush flet, pushohet nga puna. Këtë shëndetësi të koncesioneve ju dhatë shqiptarëve në 4 vjet, pa asnjë qendër te re shëndetësore të ndërtuar. Këtë Shqipëri të varfër dhe të nëpërkëmbur prej jush, iu sollët shqiptarëve sa dhe mjekë po largohen nga vendi. Shqipëri fasadash dhe kullash, a thua njerëzit do hanë gurë, pa asnjë ndërmarrje të vënë në përdorim e që të sillte punësim. Por Shqipëria është vendi që rezulton me nivelin më të lartë të presionit për të dhënë ryshfet, duke e renditur si shtetin më të korruptuar në rajon për 2016. As një metër rrugë të re, rrugë të pambaruara-premtime të harruara. Iu është premtuar rruga banorëve të fshatit Polenë në Korçë, kur ishin votimet, asgjë nuk ka ndryshuar, madje aq keq është, sa urojnë që vetëm mort mos kenë, sepse dhe ne rast vdekje, duhen ta çojnë vetë në banesën e fundit se mjet transporti nuk kalon dot. Rrugë të premtuara, por të hedhura në koshin e harresës janë dhe rrugët në qendër të Korçës, as 10 m nga rruga e sistemuar që i gllabëroi shtëpitë pronarëve, kur synimi ishte ndërtim pallati( që po ndërtohet aktualisht). Edhe në zgjedhjet e 2013, dhe në ato të 2015..Bashkia iu premtoi shumë, por asgjë deri tani, veç harresës dhe përbuzjes për këtë lagje, ndonëse është lagje e vjetër. Fasada dhe bojatisje e qendrave të qyteteve; mbyllje biznesesh nga pamundësia e mbijetesës në këtë ekonomi; pronarë që duhet t’i paguajnë haraç Bashkisë, sepse kanë një pronë në Pazar, por nuk e japin dot me qira; gjelbërim i Shqipërisë nga kanabisi, tashmë qeveritar; pasiguri jetese ku të diplomuarit të varfër, mbi sundohen nga kriminelë të pasur, shpeshherë të veshur me pushtet; shëndetësi me skandale korruptive dhe pa shërbim ndaj qytetarit; bujqësi e goditur ndjeshëm nga ndryshimet klimaterike, por me mungesë të subvencioneve dhe kompensimeve; të varfër që u bënë edhe më të varfër dhe të pasur që pasurohen edhe më. Kjo është panorama e zymtë që e ka krijuar kjo qeveri, pasuar me skandale të njëpasnjëshme politike Dhe skandali i fundit dhe i paimagjinueshëm,do të ndodhë në Korçë, me ndërtime shumëkatëshe që pushtojnë zemrën e qytetit. Ky krim urban i hartuar për qëllime klienteliste u servir dhe u votua në Këshillin bashkiak. Qytetarët korçarë nuk do të lejojnë që duart e korrupsionit dhe të klientelizmit të sjellin humbjen e identitetit të këtij qyteti, nga të paktët qytete që kishte rezistuar. Korça është e korçarëve dhe ata do të vendosin për qytetin, jo më pushtetarët. Çdo forcë politike, që vendos me dhunë, kundër vullnetit të qytetarëve, ka vulosur kapitullimin e saj.
Sigal