Eglantina Mirashi: Pazarxhinjtë!

731
Largimet e koordinuara drejt grupit të rilindjes, nga partia LSI të disa këshilltarëve nëpër bashki të vendit janë vetëm disa gjethe të thata të rëna nga pema e gjelbër e LSI-së. Këto përveç se lëvizje politike amorale, janë shembulli dhe modeli më i shëmtuar njerëzor i mohimit të kauzave qytetare. Kjo sigurisht ndodh gjithashtu në kuadër të ri-dimensionimit të LSI-së si forcë konstruktive opozitare. Ndaj më shumë ngjan si një shfaqje e shëmtuar mediatike, një lajm që as nuk përbën më lajm. Çdo parti në opozitë pa diskutim ndër të tjera kalon dhe një proces reformues, ku partia bëhet më e fortë. E aq më tepër LSI-ja një forcë që lindi në opozitë. LSI nuk është forcë numrash, LSI nuk është forcë individi, LSI është forcë vlerash, familjeje, fryme pozitive dhe grupi. Këto njerëz pa ideale u ofruan në LSI për interesa në momente të caktuara, dhe kur duhej më shumë se kurrë t’i shërbenin kauzës së opozitës ata shiten dhe blihen nga tepsia për t’i shërbyer asaj si ushtarë të bindur, dhe pse jo, për t’u përdorur dhe për t’u nxjerrë gështenjat e nxehta nga duart e tyre. Makaronat e prishura të tepsisë së skrapit do helmojnë, jo vetëm këto individë, por gjithë lëvizjen e tyre prej tradhtaresh së vërtetë, sepse ata realisht nuk kanë tradhtuar LSI-në por qytetarët që u kanë besuar. Por fatkeqësisht disa krijesa Zoti i krijon vetëm me një funksion, një përdorimesh. Këta individë, janë vetëm barut i lagur në luftën e pandërprerë të LSI-së si forcë opozitare deri në largimin e qeverisë. Kuptohet që ky është një “emigrim” për një jetë më të mirë por dhe njëherësh momenti që LSI-ja të shpëtojë, pasi arriti të evidentojë “farën e keqe” brenda saj.
Sigal