Edi Rama, një gallataxhi qesharak që po tallet me një komb të tërë…!

614
Nga: Mehmet Metaj*
Shqipëria edhe pas 100-vjetësh, përballë sfidës së bërjes së shtetit dhe normalizimit të ekonomisë 
Shqipëria jonë e vogël edhe pas 60 mijë vjetësh krijim e zhvillim të qenies njerëzore, pas 3000 vjetësh qytetërim, edhe pas 300 vjetësh kulturë shtetarie dhe përvoje botërore perëndimore, edhe pas 100 vjetësh shtet shqiptar, endet edhe sot është e katandisur si një vend pa shtet, me politikanë primordialë. Mbetet ende’ “me krye n’hi” siç e ka përshkruar Pashko Vasa më se një shekull e ca më parë (1880). Dhe po ta shohësh nga larg problemi i saj duket si ”Veza e Kolombit” dhe në ka mbetur si ”Guri i Sizifit” që s´gjen derman e s´zë vend kurrë për sa kohë duhet që vetëdija publike dhe intelektuale të arrijë në nivelet e standardet e duhura të kohës dhe të hedhë tej dhe pastrojë vendin nga llumrat e tranzicionit. “Ky vend ka vuajtur ‘dje’ gjithmonë dhe vuan ende sot nga njerëz ose gjysmë-të-mësuar’ dhe në tranzicionin e stërzgjatur nga politikanë të papërgjegjshëm që dinë vetëm të vjedhin, duke filluar nga i papërgjegjshmi Nano dhe hileqari-provincial Sali Berisha, e deri tek Edi Rama, batutaxhi që s’di të bëjë asgjë veç broçkullave dhe gallatës bajate të denja për për kuvend halabakësh… Në një takim me intelektualët që u zhvillua më 11 Janar 1991, në ILA, (organizuar nga Z. Edi Rama dhe Z. Ardian Klosi, ku unë pata rastin të marrë pjesë) shkrimtari i madh disident Kasëm Trebeshina citoi një amanet i lashtë për qeverisjen.”Qeveriseni mirë popullin se përndryshe ai çdo invazion të huaj do ta quajë çlirim”-ka thënë 3500 vjet më parë Hammurabi-u mbreti i Asirisë/Babilonisë së lashtë. Duke ritheksuar parimet e demokracisë Ish-Presidenti Amerikan Barrack Obama, në fjalën e tij në Universitetin e Cape Town-it (2016), për fillimin e mbështetjes Amerikane për Afrikën, tha se: “Jo..në ato vende ku liderët pasurojnë veten e tyre nga mosndëshkimi…këto gjëra duhet të ndryshojnë.. ). Dhe këto fenomene “afrikane” janë aktuale edhe tek ne sot e gjithë ditën. Por ne jemi në Evropë ! “. Në këtë vend duhet të marrë fund hipokrizia dhe arroganca e injorancës – siç e quante atë Mikelanxhelo që në shekullin XV. Ndaj foli dhe bëri thirrje dhe Zarathustra i Niçes 3000 vjet më parë për t’u bërë dinjitoz dhe i vetëdijshëm i mjeri njeri dhe ne ende’ s’kemi kuptuar e zbatuar asgjë nga dija dhe përvoja njerëzore, sepse kodet dhe idetë primordiale dhe dijen hyjnore pak e njohim. Por këtu siç ka thënë Prof. Përparim Kabo, është zëvendësuar “Çeta e Profetëve (e Pjetër Bogdanit) me “Çetën e Hajdutëve”… Të gjithë besuam se me ardhjen e Edi Ramës në krye të PS-së dhe PS-ja në pushtet në v. 2013, pas degradimit të skajshëm dhe kapjes së shtetit Qeveria e RE do të ishte në një nivel të ri, dhe do të shmangnin gabimet e bëra, por askujt s’i shkonte ndër mend se ky do të ishte një iluzion sa tragjik aq edhe komik dhe Rama (në emër të gjoja sloganit primordial ala Tony Blair “Shqipëria e gjeneratës tjetër”) do ta degradonte më tej shtetin dhe ekonominë, duke emëruar në administratën e lartë turli lloje anonimësh dhe çupëlinash, deri dhe ‘xixëllonja pabesh’, dhe do të denigronte tërë armatën intelektuale dhe profesionistët e vendit.. madje dhe vetë socialistët.

Edi Rama dhe Qeverisja e tij qesharake do të linte të qetë të zhvillohej substrati gjiriz Solonian, bile do ta promovonte atë dhe do të linte të lirë, që të vazhdonte rrumpalla jonë në shtet ku lulëzojnë:
• Nepotizmi dhe militantët që vrapojnë me marifet për zënien e posteve pa konkurrim real për të punuar në administratën publike apo strukturat shtetërore?!

• Nuk pengoi “për t’u shpërblyer” nga partitë aleate ata që hodhën para të vjedhura nga taksapaguesit me postet e tyre në zgjedhje për të zënë prapë një post pas tyre dhe për të marrë “kamatë-fitimin” e tyre njëqindfish nga fondet publike, duke u bërë shefa e drejtorë ?! 

• Nuk shmangu dot marifetçinjtë dhe dallkaukët, pehlivanët dhe rrufjanët qe gjithmonë, nga që s’bejnë dot punë tjetër, gjejnë strehë në parti dhe na bëhen shefa, drejtorë e Zv.Ministra?! 

• La të lirë partinë aleat-pronë private të bëjë si të dojë emërimet e njerëzve të pamësuar në poste që janë për të mësuarit si në përfaqësitë tona diplomatike, në OKB, NATO, UNESCO… etj ?!

• Nuk ka konkurrime në dogana e tatime dhe ata marifetçinj që i zënë këto vende pasurohen e bëhen miliarderë me 6-muaj punë dhe pastaj fillojnë të na “bëjnë politikë e krijojnë parti” me paratë e vjedhura nga fondet publike apo private?!

• Nuk u neutralizua dot kripto-politika dhe pastrohet ajo nga kriminalizimi dhe paratë e pista?!

• Nuk u arrit të bëhet dhe zbatohet më në fund pas 22-vjetësh hallakatje një “set menaxhimi-qeverisës” për shtetin dhe rehabilitimin e ekonomisë së vendit dhe ulet informaliteti?!

• Nuk u vu para përgjegjësisë ligjore ata që urdhëruan vrasjen e njerëzve të pafajshëm më 21 Janar, ata që vranë në Gerdec, por dhe ata që urdhëruan nxënësit e shkollave të shkonin në mitingje partish ?!

• Nuk u zhbënë dhe të vihen para përgjegjësisë ligjore qeveritarët-përgjegjës për privatizimet dhe koncesionet abuzive me pasuritë tona natyrore kombëtare dhe kufijtë detarë të vendit, por u vazhdua më me furi duke dhënë me qindra koncesione të tjera dhe duke çuar ekonominë kombëtare në kolaps?!

• U la dorë e lirë të bëhen prapë drejtorë dhe ministra ata që kanë qenë njëherë në qeverinë e korruptuar 2009-2013 dhe janë përfolur dhe dyshuar për korrupsion?!

• Nuk u arrit të ketë një kontroll të pasurive të vëna nga përfitimet shtetërore dhe vihen para përgjegjësisë të gjithë ata që nuk e justifikojnë atë dhe kanë përfituar në mënyrë abuzive?!

• Nuk u hetuan ish-Ministra, ish-Prokurorë, ish-Kryetarë Gjykatash, Ish-Prokurore, Ish- Drejtorë Doganash, Tatimesh etj. me vila në bregdet, që kanë pasuri marramendëse dhe të ndalohen që të na bëhen përsëri drejtues, dhe të na “japin mend” se po bëjnë gjoja politikë dhe shtet?!

• Dhe 300 mijë vendet e punës që premtoi kur s’hapi as dhe një vend të vetëm pune për 4-vjet qeverisjeje, pale “shëndetësinë falas” etj…vetëm gallatë dhe show.
Të gjithë presim të kemi pas 27-vjetësh tranzicion një shtet që t’i vërë fre korrupsionit, që të evidentoje gjithë vilat e ndërtuara me para të pista në bregdet apo zona turistike, brenda dhe jashtë vendit nga ish-drejtues e politikanë që ende na dalin e flasin për rregull e transparencë virtuale në TV?! Kur të bëhen këto ndonjëherë nga ndonjë parti apo politikan serioz atëherë mund të themi, se edhe ne kemi shtet dhe Shqipëria po qeveriset! Bëhet shumë zhurmë për Veting-un por asnjë njeri me mend në kokë nuk mund ta besojë se vetë “Çeta e hajdutëve” në krye do “kapin hajdutët”…!
* Drejtor ekzekutiv, Qendra ALBAFOREST (www.albaforest.com) 
Sigal