Dr. Qemal Lame: Shqipëria kërkohej të dëshmonte të njëjtin qëndrim për Jerusalemin me SHBA dhe jo të distancohej prej saj

656
Shqipëria për Jerusalemin kërkohej të dëshmonte qëndrim të njëjtë me Shtetet E Bashkuara të Amerikës 
Shqipëria, më 18 dhjetor 2017, bashkë me 128 shtete të tjera votoi pro rezolutës së OKB-së për të mbajtur qëndrime neutral ndaj statusit të Jerusalemit deri në zgjidhjet e konfliktit që zgjat prej disa dekadash mes Palestinës dhe Izraelit. Ky është qëndrimi që OKB ka mbajtur që prej vitit 1948 kur u shpall shteti i Izraelit. Me këtë synohet që të gjendet një zgjidhje që kënaq të dyja palët dhe siguron paqen në atë zonë. Vendi ynë u rendit krahas shumicës së shteteve të tjera aleate si edhe të anëtarëve të Bashkimit Evropian, të cilët gjithashtu mbështetën rezolutën. Kundër ishin vetëm 9 vota, mes të cilave 2 votat e pritshme të SHBA-së dhe Izraelit, të cilëve ju bashkuan edhe Bosnja, Kroacia, Rumania, Hungaria, Polonia etj.

Votimi i Qeverisë së Shqipërisë pro rezolutës së OKB-së kundër qëndrimit të SHBA-së për Jerusalemin, ishte i papritur. Me të drejtë u shkaktuan diskutime të shumta në opinionin publik dhe median, si dhe me reagimin zyrtar nga Presidenti Ilir Meta, i cili deklaron se “vota kundër aleatit dhe mikut tonë të madh, është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës dhe as me parlamentin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA-ve në momentet më të vështira të ekzistencës së tij”. Në dimensionin e politikës së brendshme, kuptohet se nuk është treguar vëmendje për një qëndrimi zyrtar të përbashkët të institucioneve dhe përfaqësuesve më të lartë të shtetit, si dhe nuk janë bërë konsultime për një marrëveshje të gjerë politike. Ka rëndësi të theksohet fakti se ky qëndrim dhe kjo votë kundër, me të drejtë kritikohet se ishte e panevojshme. Ato nuk pasqyrojnë një vendim të unifikuar shtetëror, nuk dëshmon një qëndrim mbarëkombëtar, si dhe nuk ishte i kushtëzuar ose imponuar nga ndonjë detyrim apo marrëveshje ndërkombëtare.

Meritojnë vlerësime mendimet e ekuilibruara të analistëve të politikës amerikane për Evropën dhe Ballkanin, se Shqipëria të paktën duhet të abstenonte. Me gjithë tolerancën e arsyetuar, nuk mund të justifikohet plotësisht vota pro e Shqipërisë, për vetë specifikën e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, të cilat janë në një stad më të lartë po të mund të krahasohen edhe me ato amerikano-izraelite. Qëndrimi zyrtar me mbështetjen natyrshëm të qëndrimit amerikan, do të duhej të ishte vlerësuar i nevojshëm dhe i domosdoshëm, si obligim i ndërgjegjshëm për mbrojtjen e interesave kombëtare, si demonstrim i mbështetjes së arsyeshëm të partneritetit strategjik, si reagimim për një të vërtetë historike që kërkon zgjidhje me konsensus të gjerë e mirëkuptim midis shtetit të Izraelit dhe autoriteteve të Palestinës për Jerusalemin si kryeqendra historike mijëravjeçare e hebrenjve. Shqiptarët dhe hebrenjtë janë dy popujt më të martirizuar në historinë e shoqërisë njerëzore dhe meritojnë të mbështeten në strategjinë e tyre kombëtare, duke i zgjidhur problemet me marrëveshje dhe mbështetje të gjerë ndërkombëtare.

Qeveria e Shqipërisë ka arsyetuar qëndrimin e saj ndërkombëtar, me deklaratën e Ministrisë së Jashtme, me të cilën theksohet se Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jerusalemin bazuar në një numër te konsiderueshme dokumentesh të OKB-së si dhe është rreshtuar përkrah vendeve të BE.“Vota jonë sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së reflekton pozicionin tonë të pandryshuar për këtë çështje. Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jerusalemin, bazuar në një numër te konsiderueshme dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit, dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit të saj të linjëzuar me Bashkimin Evropian”- thuhet në deklaratën e MPJ.” Është e vërtetë se vota e Shqipërisë tregon për pozicionin e pandryshuar dhe konsensusin ndërkombëtar për Izraelin, Palestinën dhe Jerusalemin. Po kështu, kuptohet edhe linjëzimi me shumicën, por jo të gjithë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, pasi katër shtete votuan kundër. Por nuk justifikohet përse Shqipëria duhej të votonte duke i distancuar nga SHBA dhe linjëzuar me BE-në!?Bashkësia ndërkombëtare dhe vetë SHBA kanë bërë përpjekje të vazhdueshme dhe presin marrëveshjen midis Izraelit dhe Palestinës. Këto probleme të mbartura dhe të mbetura pasive dhe me pasoja për të sotmen dhe të ardhmen e hebrenjve dhe të palestinezëve, kanë shtruar domosdoshmërinë e zgjidhjeve përfundimtare. Presidenti Trump, mbajti premtimin e dhënë në fushatën elektorale dhe tronditi vetë politikën e brendshme amerikane, si dhe bashkësinë ndërkombëtare me vendimin e njëanshëm për njohjen e Jerusalemit si Kryeqytet të Izraelit. Njëkohësisht, ai sqaroi se bisedimet midis Izraelit dhe Palestinës duhet të vazhdojnë dhe ai do të luajë rolin e tij të ndërmjetëm. Vendimi i Presidentit Trump, u vlerësua në disa komente të analistëve se i hodhi benzinë zjarrit të ndezur dhe nuk mori as masat e nevojshme për shpërthimin e rëndë të shkaktuar në marrëdhëniet e tensionuara ndërkombëtare për këtë problem. Bashkimi Evropian deklaroi menjëherë qëndrimin për zgjidhjen me marrëveshje dhe distancimin nga vendimi i njëanshëm i Trump. Organizata Islamike, ku u përfaqësua edhe Shqipëria me nivelin e një ambasadori, reaguan në kundërpërgjigje, duke deklaruar njohjen e Jerusalemit Perëndimor si kryeqytet të Palestinës, megjithëse ajo është akoma me statusin e Autoritetit të Autonomisë së territorit, por jo si shtet. Rusia njohu po kështu, Jerusalemin Lindor si kryeqytet të Palestinës. Edhe Kina që njihet për qëndrimet e saj neutrale, në këtë rast u përshi në diskutimet dhe deklaroi se njeh Jerusalemin si kryeqytet të Palestinës. Me të drejtë, pozicionimi i Shqipërisë, kërkohej të ishte më i kujdesshëm dhe bashkë me atë të SHBA-së. Pas ndryshimit të sistemit politik, vendosjes së demokracisë dhe rivendosjes së marrëdhënieve me SHBA-në, Shqipëri në këto 27 vitet e fundit, natyrshëm ka qenë në krah të qëndrimit amerikan për zgjidhjen e krizave ndërkombëtare, si dhe në Lindjes së Mesme. Papritur, për herë të parë Shqipëria ka ndryshuar qëndrim dhe është rreshtuar me shumicën e vendeve të BE-së”!? Nuk ka ndonjë marrëveshje të shteteve anëtare të BE-së. Nuk jemi as anëtarë të BE-së. Edhe po të anëtarësohemi, marrëdhëniet me SHBA mbeten parësore. Reagimet më të shumta, tregojnë se distancimi nga qëndrimi amerikan ka qenë një veprim i gabuar. Shqiptarët dallohen në marrëdhëniet ndërkombëtare si kombi me mbështetje unanime për kombin amerikan. Ky realitet bazohet në mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për strategjinë e kombit shqiptar, njohjen e pavarësisë, krijimin e shtetit sovran, kundërvënien ndaj copëtimit të Shqipërisë dhe asimilimit të kombit shqiptar. Edhe në ndryshimin e sistemit politik dhe me vendosjen e demokracisë, kontributi amerikan ka qenë nga kryesorët. Me mbështetjen e fuqishme të Amerikës, u realizua çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Edhe strategjia për integrimin evropian mbështetet në vazhdimësi nga SHBA. Për këto arsye, qëndrimi përkrah SHBA-së, do të ishte kuptuar e vlerësuar i natyrshëm dhe roli i Shqipërisë do të ishte më kontribues, pasi pa angazhimin amerikan, nuk mund të arrihet zgjidhje përfundimtare as për Izraelin dhe as për Palestinën. Shqipëria ka mbështetur zgjidhjen e çështjes palestineze, duke ju bashkuar marrëveshjeve ndërkombëtare. Ka rëndësi të rikujtojmë, se në kundërshtim me politikën ndërkombëtare, regjimi në kohën e socializmit, ndihmoi në përgatitjen dhe armatimin ushtarak të Hamasit të Jaser Arafatit, i cili në atë kohë vlerësohej si terrorist. Ndërsa autoritetet palestineze, nuk kanë dëshmuar të njëjtën dëshirë e reciprocitet. Me pa të drejtë, vazhdohet të mos njihet pavarësia e Kosovës dhe mbështetet politika shoviniste e Serbisë.
Sigal