Dr. Ina K. Zhupa/ Si e kanë gjykuar qeverinë shqiptare në 2015?

677
Viti 2015 është viti më i keq, në lidhje me ecurinë e qeverisë shqiptare dhe me sukseset që duhet të ishin arritur, që në fakt ishin mosekzistente. Ky nuk është thjesht reflektim personal për keqqeverisjen e këtij viti, por janë edhe të dhëna konkrete nga organizma të huaja. Shqipëria ka prodhuar vetëm lajme që tregojnë regres dhe imazhi i saj gjatë vitit 2015 ka qenë tejet negativ. Më konkretisht, si e kanë gjykuar gjatë vitit 2015 raportet dhe të dhënat e ndërkombëtarëve qeverisjen shqiptare? Raporti i ‘Heritage Foundation’ dhe ‘Wall Street Journal’ i dalë gjatë vitit 2015 konstatojnë një rënie me 7.5 pikë të lirisë për të bërë dhe për të hapur biznes si edhe rënie të lirisë fiskale. Mundësia për të investuar është zvogëluar me 5 pikë për lirinë për të investuar. Me qeverinë shqiptare duhen 200 ditë për të filluar biznes. Ky rezultat i nxjerrë vjen si rrjedhojë e taksave të qeverisë. Qeveria ka rritur tatimin mbi të ardhurat personale dhe mbi fitimin. Raporti i Bankës Botërore-Doing Bussiness nxori në pah që Shqipëria kishte humbur 35 vende krahasuar me një vit më parë, duke na bërë vendin e fundit të rajonit. Ndërsa për lejet e ndërtimit të fundit të botë. Treguesit kryesore ishin në përkeqësim të ndjeshëm, konkretisht: nisja e biznesit minus 4 pikë, leja e ndërtimit minus 67 pikë, furnizimi i energjisë elektrike minus 3 pikë, regjistrimi i pronës minus 3 pikë, marrja e kredisë minus 6 pikë, taksat minus 12 pikë. Të gjitha në lidhje të drejtpërdrejtë me punën dhe vendimet e qeverisë, me korrupsionin, klientelizmin, kontrabandën, evazionin e ndodhur në këtë vend. Sipas raportit Paying Taxes 2016, të Bankës Botërore që ka studiuar 189 ekonomi të botës, Shqipëria renditet në vendin e 142. Duke humbur 11 pozicione në krahasim me vitin paraardhës ku renditeshim në vendin e 131. Raporti vlerëson se norma totale e taksave është rritur me 5.2% gjatë 2015, ku tatimi mbi sipërmarrjen u rrit me 50% dhe njëkohësisht u dyfishua taksa mbi pronën. Komisioni europian ka lëshuar alarmin, në lidhje me borxhin publik të Shqipërisë. Po në këtë vit Fondi Monetar Ndërkombëtar, mbylli bashkëpunimin dyvjeçar me qeverinë shqiptare pa rifirmosur një marrëveshje. Mbasi ekonomia shqiptare nuk u stabilizua dhe rreziku i krizës është shtuar, duke mos i dhënë sinjale pozitive FMN për të vazhduar rrugën e bashkëpunimit. Kujtojmë këtu që qeveria Rama bëri një lëvizje aspak normale teksa mori borxh për të paguar borxhin!! Dështim tjetër i qeverisë i reflektuar edhe në sytë e ndërkombëtarëve ishte edhe me Crown Agents, e kontraktuar për doganat shqiptare për të rritur të ardhurat. Kreu i saj do të pohonte se “dështuam me doganat, sepse nuk ka transparencë dhe ka korrupsion kudo”. Eurostat me të dhënat e korrikut 2015 publikoi raportin dhe grafikët e saj, ku dallon që Shqipëria ka pagën minimale më të ulët mes vendeve të Bashkimit Europian dhe atyre kandidate, jo vetëm në vlerë absolute, por edhe e matur nga standardet e fuqisë blerëse. Siç bën me dije edhe revista monitor, paga minimale nuk ka ndryshuar që kjo kohë që ka marrë të dhënat Eurostat për të nxjerrë rezultatet. Është në vlerë absolute rreth 160 euro. Ndërsa kur vjen puna tek shtrenjtësia e çmimeve me të cilën paguajmë mallrat dhe shërbimet në këtë vend, aty nuk jemi më në vend të fundit. Gjatë 2015 ne kemi qenë ndër 10 vendet më të shtrenjta në Europë, për sa i përket çmimit të shitjes së naftës, kjo sipas të dhënave të Global Petrol Prices. Taksa e Ramës për karburantin është 240 lekë për litër që i merr nga qytetarët dhe nuk përfundon në të mira publike apo shërbim ndaj nesh. Ndërsa pritet që këtë rekord ta kalojmë në vitin që vjen, duke qenë se nafta pritet të rritet mbas taksave dhe tatimeve të reja që janë vendosur për ti shkuar xhepave të bashkive në kurriz të çmimit për qytetarët. Në fund të vitit 2015 u publikua nga Forbes, prestigjiozja e ekonomisë dhe biznesit, renditja e vendeve për sa i përket klimës së biznesit. Ky raport vendos Shqipërinë të 69-ën, pas Malit të Zi që është i 49-ti, pas Maqedonisë e 39-ta dhe Ukrainës që është një vend që rrezikon luftë civile edhe është në vendin e 61. Që do të thotë Shqipëria është gjithnjë e më pak e preferuar nga investitorët e huaj, të cilët para vendit tonë do të preferonin një vend tjetër të rajonit me një klimë më pozitive ndaj biznesit dhe biznesmenëve. Ndërkohë, duke lënë mënjanë pamjen ekonomike, askush nuk mund të harroj që në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, në vitin 2015 na u dha një tronditje e vërtetë teksa flitej haptazi për kriminalizimin e parlamentit. Një gjë që ishte thënë e stërthënë nga lideri i opozitës, Lulzim Basha në emër të një kauze që e ngriti opozita dhe e vazhdoj deri në fund. Raporti shkruante: “Korrupsioni dhe ndryshimet e shpeshta në drejtimin e policisë vështirësojnë luftën kundër trafikut. Bashkëpunimi dhe përfshirja e zyrtarëve të lartë me krimet që lidhen me trafikun vazhdon të mbetet shqetësuese, ndërkohë që një deputet i parlamentit shqiptar, ka qenë i dënuar më parë për akuza të tilla”. Një citim që nxirrte bllof përpara botës gjithë retorikën e pastërtisë me të cilën mbrohej në publik kryeministri Rama përballë qëndrimit të vendosur të opozitës, se parlamenti kishte kriminelë dhe ishte i domosdoshëm procesi i dekriminalizmit. Gjë që ndodhi në fund të vitit 2015 dhe rezultatet e të cilit ende duhet t’i shikojmë. Po në lidhje me krimin, imazhi ynë është dëmtuar rëndë, nga sasitë e drogës së kapura që vinin nga Shqipëria. Një moment i rëndësishëm është shkrimi i ‘Corriere della Sera’, gazetë shumë e rëndësishme italiane, por edhe nga më të cituarat në Europë që ekspozon një të vërtetë të hidhur duke folur për lidhjet e ministrit tonë të brendshëm me bandat e rrezikshme të drogës në vend. Duke shkruar që në Shqipëri sundon mafia e lidhur me qeverinë, se mafia e lidhur me ministrin e brendshëm eliminon oficerët,që guxojnë të flasin, që guxojnë të luftojnë trafikun e drogës. Viti 2015 gjithashtu ishte viti elektoral, ku kishim shansin që të shfaqeshim si vend demokratik, si vend me standarde dhe si vend që dëshiron të ecë në një rrugë europiane. Por e kundërta ndodhi fatkeqësisht, në konkluzionet e raportit të ODIHR del se më 21 qershor, në Shqipëri nuk u mbajtën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Togfjalëshi: “zgjedhje të lira e të ndershme” është zhdukur dhe nuk figuron në raport. Gjithashtu raporti sjell prova të presionit dhe frikësimit të zgjedhësve nga qeveria, detyrimit për të marrë pjesë në aktivitete të qeverisë dhe për të votuar për kandidatët e qeverisë. Raporti nënvizon veçanërisht presionin dhe kontrollin mbi punonjës të administratës, nëpërmjet kërcënimit për largimin nga puna dhe thekson frikën e tyre për t’u filmuar nga mediat në aktivitetet e subjekteve joqeveritare. Në të referohet edhe dhunimi i një tjetër standardi themelor të zgjedhjeve të lira, po kështu kriter i Kartës së Kopenhagës, që është ndarja e partisë nga shteti, zbulon mekanizmin me anë të të cilit, qeverisja e vendit dhunoi zgjedhjet për të kapur me çdo çmim pushtetin. Për ta mbyllur panoramën e plotë, se si e gjykuan qeverinë shqiptare në 2015 e gjejmë tek progres-raporti i Bashkimit Europian. Një tjetër dokument i prodhuar me paanësi dhe objektivitet, që na thotë që kemi dështuar në 5 kushtet e vendosura për t’u arritur nga qeveria shqiptare. Qeverisja dështoi për reformën në administratën publike, në reformën në drejtësi, në luftën kundër kriminalitetit, në luftën kundër korrupsionit dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Veç këtyre kushteve të papërmbushura, vendit tonë i shtohet edhe problemi i azilkërkuesve në dyert e Europës, më së shumti në Gjermani. Duke na bërë të renditeshim edhe këtu të dytët, pas Sirisë që gjendet në luftë. Po ashtu shifrat edhe të dhënat që raporti nxjerr për Shqipërinë nuk kishin aspak lidhje me propagandën qeveritare. Për shembull në progres-raport, ndryshe nga suksesi që do të tregoj qeveria me zyrat e punës dhe me luftën kundër informalitetit aty thuhet “që papunësia (17.5%) edhe informaliteti kanë vazhduar të jenë në nivele të larta”. Të gjitha më lart paraqesin se si është dëgjuar dhe është folur për qeverisjen shqiptare gjatë vitit 2015, edhe mesa duket ato janë në një vijë me atë që mendon opozita dhe qytetarët që gjendja po kalon në një kolaps, ku disa pasurohen dita ditës dhe qytetarët po skllavërohen dita ditës. Vendi jonë nuk ka prodhuar as lajm, apo të dhënë pozitive gjatë vitit 2015, duke na nxjerr në sytë e botës si vend, që vështirë mund të tërheq investime apo turizëm. Përsëri një lajm i keq për të ardhmen tonë, nëse do vazhdojmë të sundohemi nga kjo qeverisje.
Politologe 
Sigal