Dr. Ina K. Zhupa: Progres raporti i BE për krimin

666
Të gjitha palët e pranojnë progres raportin, si pasqyrë të realitetit shqiptar dhe pse dikush mund të preferoj të citoj disa pjesë edhe “harroj” të tjerat. Evidentimi i gjendjes së krimit në Shqipëri ka një analizë të posaçme, ku nxjerr në pah me objektivitet edhe njëherë atë gjendje që opozita e ka paraqitur përditë me deklaratat dhe qëndrimet e saj politike. Lufta ndaj krimit ishte një nga pesë prioritetet që Shqipëria duhet të kryente, me qëllim hapjen e negociatave. Në progres raport vihet në dukje që në fillim, që problem kryesor është droga. Pavarësisht që bashkëpunimi me ndërkombëtarët ka çuar në disa aksione pozitive në këtë fushë, ato ngelen të papërfillshme në krahasim me tregun kombëtar dhe rajonal të drogave vë në dukje raporti. Shqipëria është bërë zë i parë në rajon për sa i përket drogave. Kujtojmë që edhe super aksioni i përfolur në Lazarat nuk çoi në kapjen e ndonjë grupi kriminal të organizuar apo ndonjë nga drejtuesit. Por kryesisht të plakave, të pleqve dhe të adoleshentëve të këtij fshati. Nuk mund të lëmë pa vënë në dukje faktin, që në trafikun e drogës është përmendur edhe emri i ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, i cili ende nuk ka qartësuar pozicionin e tij. Edhe pse deklaroj që makina që transportonte drogë është shitur tashmë dhe nuk është e tija, nuk janë zbardhur ende të gjitha akuzat publike që ngre komisar Zagani kundër tij. Të gjitha këto të dhëna patjetër që do reflektoheshin edhe në progres raportin e Bashkimit Europian. Është për t’u vënë në dukje që qëndrimi i kësaj qeverie dhe kësaj mazhorance ndaj drogës është i çuditshëm. Nga njëra anë propagandon që lufta kundër drogës është prioritet, që punon natë e ditë për kapjen e atyre që e prodhojnë, që e shesin, që e shpërndajnë, që e konsumojnë. Ndërsa nga ana tjetër nuk pranojnë që të jenë shembull për luftën kundër drogës, duke bërë testin e drogës përpara se të jenë ligjvënës të këtij vendi. Mospranimi i këtij propozimi të opozitës tregon qartazi që lufta kundër drogës është një propagandë për të tjerët dhe kanë nevojë për të qenë ata që kanë monopolin e drogës në vend. Ata të jenë të privilegjeruarit që mund ta konsumojnë pa u dënuar nga ligji, por pse jo edhe të mund ta prodhojnë e ta shesin, sepse ky qëndrim aty të çon të mendosh. Bashkëpunimi mes prokurorisë dhe policisë është me shumë probleme, sipas BE-së që bën të mundur që puna kundër krimit të çalojë. Askush nuk merr përsipër që të gjej fajtorin, nëse është policia apo prokuroria, por ama mungesa e bashkëpunimit ose çon në moskapjen e kriminelëve ose çon në lirimin e tyre për mungesën e provave apo çështje procedurash. Krimi luftohet kur hallkat e shtetit kanë të njëjtin qëndrim dhe ju vihet përballë, jo kur njëra i rri anash për ta mbështetur dhe tjetra gjoja e lufton duke i zgjatur dorën. Problemi që evidenton progres raporti lidhet me faktin, që nuk bëhet investigim financiar për anëtarët e grupeve kriminale të organizuara. Pasuritë janë ato që korruptojnë sistemin, qoftë atë politik apo atë gjyqësor dhe që bëjnë të dalin kriminelët në rrugë. Kur nuk bëhet investigim financiar, nuk kemi as konfiskime të pasurive, nuk kemi as zbardhje të plotë të krimit. Përkundrazi, me lekët e krimit paguajnë për të dalë të lirë edhe për të vazhduar krimin. Duke kriminalizuar kështu gjithë sistemin, që bëhet pjesë e këtij mekanizmi falë korrupsionit dhe parave. Plagë ngelet pastrimi i parave, si një mënyrë që çon në forcimin e kriminelëve, duke i legalizuar ata dhe paratë e tyre. Kjo lidhet me një tjetër problem që nxjerr në pah BE, me mungesën e personelit të kualifikuar që të mund të bëj një hetim të çështjeve fiskale dhe financiare. Krim pa para nuk ka, për këtë arsye duhet hetuar mirë mekanizmi që i mban të gjallë kriminelët dhe krimin, pikërisht paratë e pista dhe përdorimi i tyre, si tentakula për të kapur institucionet e shtetit.
Duhet të rregullohen procedurat e përgjimit dhe monitorimit, sipas rregullave dhe me një kohë limit. Lufta ndaj krimit nuk duhet të keqpërdoret dhe të bjerë vetë në krim. Lufta ndaj krimit, nuk duhet të jetë selektive edhe e përqendruar në ata që nuk mund të bëjnë oferta ekonomike për të blerë qëndrimet politike. Duhet të jetë luftë me rregulla edhe luftë e drejtë, ashtu edhe rezultatet e saj do të përgëzohen nga ndërkombëtarët dhe do të ndjehen nga qytetarët. Problem është edhe cenimi i hetimit, i cili duhet të jetë i fshehtë në mënyrë të tillë që të mos dekonspirohet. Me sms politikanësh, deputetë e ministra që çojnë ujin në burimin e tyre të parave të padeklaruara, ndodh shpesh që rrëzohen dhe dekonspirohen hetime të rëndësishme. Por edhe mediat ndonjëherë kanë luajtur një rol të kundërt, me atë që duhet të kenë, me ose pa dashje ka penguar një proces normal hetimesh sipas progres raportit. Efiçenca dhe puna e policisë nuk është në nivelin e duhur në luftë kundër krimit. Problemi fillon që në emërimet dhe rritjet në detyrë, të cilat bëhen në mënyrë jo transparente sipas BE-së. Policia shqiptare nuk funksionon sipas meritës. Kjo gjë më pas bën të mundur që, duke qenë se pozicionin nuk e ke fituar, por ta ka dhënë dikush, ai dikushi të jetë ai që bën urdhrat për ty dhe jo ligji. Po ashtu mungesa e emërimeve, sipas meritës bën jo vetëm që punonjësit të jenë të komanduar sipas dëshirës, por edhe të jenë të paaftë për punën që duhet të kryejnë. Mungesa e rezultateve vjen edhe nga paaftësia për të kryer me sukses, pavarësisht se mund të mos kesh pasur urdhër nga lart në një rast të caktuar. Opozita ka denoncuar edhe një fenomen tjetër që lidhet me emërimin në detyrë në polici, të njerëzve që janë pushuar nga detyra për abuzime ose për njerëz që kanë pasur, ose kanë lidhje me botën e krimit. Këto emërime e bëjnë më të lehtë që të lulëzoj krimi dhe më të vështirë që të luftohet ai. Po ashtu, nuk investohet sa duhet në pjesën e pajisjeve dhe logjistikës së policisë, që pengon në arritjen e rezultateve edhe si pamundësi për të ndërtuar një aksion efikas. Përkundrejt retorikës, bravo çuna dhe luftë e suksesshme ndaj krimit, progres raporti na paraqet një gjendje plot probleme për krimin në Shqipëri. Ai na jep notë ngelëse në këtë fushë edhe pse me gjuhë diplomatike. Lufta kundër krimit, duhet të na bashkojë të gjithëve, pa dallime politike mbi të gjitha, sepse na ndikon jetën tonë të përditshme, sigurinë dhe mirëqenien tonë dhe pastaj, sepse kështu do bënim një hap përpara drejt BE-së. Mesa duket nuk është luftuar sa duhet, ose nuk është luftuar në drejtimin e duhur.
Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 01.12.2015
Sigal