Dr.Gëzim Tushi: Divorci si “ metafizikë” e dashurisë së përmbysur…

308
Sigal

 

Dy gurë të ashpër nuk e bluajnë dot “drithin e martesës”…

Gëzim Tushi, Sociolog,

Mjeshtër i Madh

 

Çdo vit prishen rreth 6000 ose 6500 martesa duke e sjell shifrën në nivelin 26% të destruktimit të martesave të realizuara. Në shoqërinë tone ky fenomen  nuk ka qenë  në këto përmasa

Situata e divorceve në Shqipëri si kurrë më parë, është përditë duke u agravuar. Numri i tyre është në rritje. Prishen çdo vit rreth 6000 ose 6500 martesa duke e prurë shifrën në nivelin 26% të destruktimit të martesave të realizuara. Nuk është fenomen social i panjohur më parë, por kurrë në shoqërinë tonë nuk ka qenë në këto përmasa. Megjithatë pavarësisht dimensionit aktual, divorci në shoqërinë shqiptare, në vartësi nga natyra historike e shoqërisë dhe familjes shqiptare, kontekstet ideologjike, morale e civile dhe sidomos tipologjisë të martesës, ka qenë pjesë e pandarë bashkëshoqëruese e saj. Krahasimet sociologjike të situatës së divorcit në ditët tona, në kushtet e paqëndrueshmërisë dhe natyrës likuide të shoqërisë postmoderne, me ato të shoqërisë tradicionale nuk kanë të krahasuar. Duke e vështruar dhe analizuar përmasat, shkaqet, pasojat e kësaj dukurie me optikën e një lloj “dialektike negative”, apo më saktë duke parë me “kokë poshtë” situatën, duhet të pranojmë natyrën komplekse, vlerat dhe antivlerat, që ekzistojnë në mënyrë gati të pashmangshme në lidhjet dhe relacionet midis martesës dhe divorcit, rolin që ato kanë në ekzistencën e tyre si bazament i lidhjeve njerëzore materiale, humane, shoqërore e shpirtërore.

Një gjë është e sigurtë, analiza e situatës së divorceve në Shqipëri duhet parë jo vetëm brenda tipologjisë së dukurisë universale sociale, por duhet vlerësuar përtej shkaqeve dhe përgjegjësive të personalizuara të çiftit të divorcuar. Nga pikëpamja sociale, numri në rritje i divorceve është dhe duhet konsideruar si një nga plagët shoqërore me efekte social ekonomike e shpirtërore polivalente. Kjo nga që sjell pasoja të konsiderueshme, shpesh herë të vështira për t’u administruar dhe përballuar me sukses. Por nga ana tjetër përtej të “keqes sociale” ai ka një vlerë, që nuk mund dhe nuk duhet nihiluar. Sepse pas kësaj tabloje të ekzagjeruar të divorcit është edhe dukuria e emancipimit të martesës, si një lidhje e qëndrueshme emocionale e çiftit. Ndaj nuk duhet mohuar që divorci është një fenomen i jetës sociale shqiptare, që më në fund ka sjellë paradigmën e ndryshuar të moralit të vjetër për martesën dhe lidhjet martesore, të përgjegjësisë në marrëdhëniet reciproke, duke ndihmuar në thyerjen e paradigmës konservatore sipas, të cilës, në të gjitha rastet nga divorci gruaja kishte “humbjen”, ndërsa mashkulli gjithnjë “fitoren”.

Nga pikëpamja sociale, numri në rritje i divorceve është dhe duhet konsideruar si një nga plagët shoqërore me efekte social ekonomike e shpirtërore polivalente

Kjo do të thotë që pavarësisht shifrave shumë shqetësuese e tepër të larta të divorcit në Shqipëri, është e udhës të vlerësojmë anën e “errët” dhe të “ndritur” të saj. Sepse pas shifrave të shfrenuara e tejet shqetësuese të divorcit, është mirë të shikojmë efektet në dëmtimin e martesës si lidhja më intime dhe nga ana tjetër si mjet për përmirësimin e cilësisë së jetës intime e sociale. Me këtë optikë duhet ta vlerësojmë atë edhe si “kazmë” e martesës nga njëra anë, por dhe si mjet i pranishëm dhe në shumë raste i domosdoshëm për emancipimin e saj. Padyshim nuk ka qënë e paparashikuar, që me zhvillimet e jetës moderne, zgjerimit të hapësirave të lirisë të ndodhte kjo dukuri edhe në shoqërinë tonë. Ai është një nga komponentët e vonuar të “revolucionit seksual”, që për arsyet që janë të njohura, erdhi me vonesë në shoqërinë tonë.

Kjo duket edhe në faktin, që shumë më vonë dhe krejt më pas nga të tjerët u bënë ndryshime konceptuale, u realizuan kushtet etike e ligjore, që e bënë divorcin një veprim human normal, një akt civil dhe privat më të lehtë për t’u realizuar, duke i dhënë martesës dimensionin e integruar e të balancuar, më së pari si institucion i jetës private dhe pastaj edhe i jetës publike.

Padyshim, shqetësimi është se në divorcet, është gjithnjë i pranishëm stresi emocional që  shkakton dështimi i martesës. Tani jemi në momentin kur divorci është vendim i personalizuar, nga pikëpamja sociale nuk ka më penalizime për “fajin” individual apo reciprok të kryerjes së divorcit. E drejta e vetpërmbushjes nga martesa, përtej ndalimeve morale e ligjore, është shprehje e emancipimit të martesës, krijimit të kushteve që njeriu i divorcuar të dalë nga “ngërçi martesor” dhe të ndjekë rrugën e vetëpërmbushjes, arritjes së synimeve personale. Qëllimi është si duhet vepruar, çfarë duhet që të bëjmë të mundur të kemi sa më shumë “çifte të përputhura” në martesë, si rruga kryesore që shërben për uljen e numrit të divorceve? Si mund të aktivizohen ata faktorë dhe mekanizma që demotivojnë divorcin?

Në se në mënyrë sintetike do t’i përmbledhim të gjithë faktorët subjektivë që shkatërrojnë martesën dhe sjellin divorcin, do të thosha se etiketimi nominal i fenomenit dhe sinteza e dukurisë, mund të përmblidhet filozofikisht si metafizikë e një “martese të përmbysur”. Duke parë shkaqet që determinojnë këtë epidemi divorci, që është në nivele sociale dëshpëruese, mund të themi se divorci bëhet zgjidhje e natyrshme kur konflikti i çiftit martesor bëhet ekzistencial, i vazhduar irreversibël.

Padyshim njerëzit me të drejtë duke parë këtë situatë tejet alarmante të divorceve në shoqërinë tonë, kanë dilema, paqartësi, pyesin, presin analiza dhe diagnostikime sociologjike e psikologjike për të përcaktuar se cilët janë faktorët që sjellin këtë nivel epidemik, në shifra të panjohura më parë në historinë e martesës shqiptare. Cilat janë ato “determinantë”, që kanë përkeqësuar situatat dhe kanë sjellë nivele të panjohura  të dështimit të martesave. Në këtë analizë përzihen në një aliazh psiko-social, faktorë që kanë të bëjnë me aftësinë për të zgjedhur partnerin e duhur si bashkëshort dhe pastaj me aftësinë për ta mbajtur të gjallë, aktive, dinamike martesën dhe jetën e përbashkët në çift. Për fat të keq, megjithëse hapësirat e lirisë për të “zgjedhur të duhurin” janë zgjeruar, përsëri për shkaqe historike, ekonomike dhe paradigmatike, duket se femrat në këtë aspekt akoma janë në ndikimin e disa “normave sociale” të vjetra dhe të trashëguara nga e kaluara. Beteja për kushte të njëjta lirie, si për meshkujt dhe femrat, në mundësitë e tyre për të gjetur të “duhurin”, jo gjithnjë janë të barabarta.

Është e vërtetë që martesa në kohën tonë është një akt civil personal, i personalizuar dhe privat, që ndryshon nga tipologjia e martesës në sistemin e vjetër patriarkal dhe paternalist të shoqërisë tonë në të kaluarën e largët dhe të afërt. E megjithatë do të ishte gënjeshtër dhe hipokrizi nëse themi, se martesat sot janë pa përjetuar turbulenca të natyrshme dhe nganjëherë edhe “tërmete ekzistenciale”: të cilat kanë trajtën e një lloj skllavërimi modern, sidomos për femrën, e cila duke qënë në situata të vështira, të ndërlikuara janë të detyruara të gjejnë si zgjidhje të mundshme divorcin. Divorci në shumë raste është shpëtim për gruan, e cila përmes tij del nga “burgu martesor” dhe siguron lirinë, qoftë edhe me statusin e “beqares për së dyti”. Megjithatë analiza e shkaqeve të divorceve në shoqërinë tonë, evidenton se në shumicën e rasteve divorcet janë pasojë gati e pashmangshme e martesave të ngutura, lidhjeve të parakohëshme, mendjelehtësisë në vendimmarrje. Të gjitha këto janë shkaqje dhe kanë rrezikun e sjelljes së dështimit sentimental dhe falimentimit shpirtëror të martesës.

Dhe doemos kur martesa për shkaqe të caktuara thelbësore apo edhe aksidentale bie në krizë, divorci është zgjidhja e duhur. Në kohën tonë akoma ka martesa të hershme, sidomos në zonat rurale, por dhe urbane. Por sikurse dihet, koha e martesës nuk është e njëjtë me kohën e pjekurisë seksuale. Vendimet e marra me nxitim dhe mendjelehtësi për martesën, është një nga bazat pse bashkëshortët e kthejnë atë në një “lidhje të përkohshme”, me afat të shpejtë “skadence”. Ndërkaq natyra maskiliste e shoqërisë akoma ka të forta instrumentat dhe paradigmat e “hierarkisë” mashkullore, që kërkon jo aq partneritetin se sa sundimin martesor. Dhe sipas mendimit tim, në se shoqëria jonë nuk mësohet me kulturën e barazisë gjinore në martesë, nuk pranon të shembë skemën e vjetër klasike patriarkale të “privilegjit mashkullor”, divorcet do vazhdojnë të jenë “kreshendo”.

Në mënyrë të veçantë ndikim ka niveli absurd i dhunës në lidhjet martesore dhe në familjen e sotme shqiptare, e cila jo vetëm është “demokratizuar” por dhe është masivizuar. Ajo është bërë një limfë që për fat të keq “qarkullon” dëndur. Ajo jo vetëm është një barrë e tmerrshme mbi “kurrizin e grave”, por sipas gjykimit tim, ky fenomen tashmë është bërë “lëndë djegëse” për mbarë shoqërinë. Konfliktet e vazhduara, mungesa e durimit, tolerancës, mirëkuptimit në çift është “karburanti” që mban të ndezuar makinerinë që “prodhon dinamit”, për ta hedhur martesën në erë. Besoj se është e domosdoshme gjetja e mekanizmave të rinj të bashkëjetesës, zgjidhjes së konflikteve martesore përmes dialogut, komunikimit, tolerancës, empatisë reciproke. Historia e divorceve në Shqipëri tregon se ashpërsia, intoleranca, inkomunikabiliteti bashkëshortor e çon drejt destruktimit pa kthim martesën. Sepse sikurse thotë populli, “dy gurë të ashpër nuk e bluajnë dot drithin”. Padyshim në se “antagonizmat në çift” marrin përmasa të zgjeruara, konfliktet bëhen të pakontrolluar nga partnerët, atëherë situata e martesës është futur pa kthim në “zonën e shkatërrimit”.

Pasojat e divorcit janë komplekse dhe duhen parë e vlerësuar si të tilla. Jo si një akt që ka impakte destruktive në jetën personale e intime, por edhe si dukuri që lë gjurmë dhe krijon vështirësi sociale. Ky ndikim i dyfishtë i divorcit, është me pasoja të thella materiale dhe shpirtërore. Është e vërtetë që këto pasoja të natyrës sociale, janë besoj më të “hidhura” se ato që kanë të bëjnë me ndjenjat komplekse të çiftit të divorcuar. Sepse martesa nuk është vetëm lidhje sentimentale, shpirtërore, fizike e seksuale e dy njerëzve me përgjegjësi para njëri tjetrit. Por ajo është edhe “lidhje sociale”, që ka krijuar relacione e raporte të reja me njerëzit e afërt të familjeve të çiftit martesor, me shokë e miq që janë bërë. Dhe që pas divorcit edhe ato hollohen, zbehen, destruktohen gradualisht. Më në fund këputen. Këtij momenti i duhet kushtuar vëmendje dhe vlerësim, si komponent social shtesë kur bëhet divorci. Trajektorja e divorcit kalon përtej kufirit të relacionit bilateral të çiftit martesor. Për të gjitha këto, njerëzit duhet të mendohen thellë, që të mos bëjnë me mendjelehtësi martesën dhe me po aq mendjelehtësi edhe divorcin. Është koha që të bëjmë gjithçka, që të mund të demotivojmë këtë “pandemi” të epidemisë së divorcit!

Dhe më në fund ne kemi nevojë të përmirësojmë jo vetëm “kulturën e martesës”, por në të njëjtën kohë edhe “kulturën e divorcit”, duke e humanizuar atë, duke kapërxyer mjetet e dhunshme të realizimit, duke e bërë atë një akt civil dhe human. Kjo do të thotë që edhe martesa “humbet vlerën” dhe divorci bëhet i pashmangshëm është e nevojshme, qytetare dhe qytetëruese që ndarja e çiftit të bëhet me dinjitet dhe integritet. Madje sociologët e humanizmit dhe martesës mendojnë se “ashtu sikurse bëjmë ceremonitë martesore për të shënuar fillimin e një bashkimi, kemi nevojë të njohim dhe zbatojmë edhe për ritualet që shënojnë fundin e martesës”. Sipas tyre, “ritualet e buta” lehtësojnë “tranzicionin e divorcit”.