Donika Omari: Nëpërkëmbja e shqipes dhe shembulli i madh i Umberto Egos

383
Sigal

Sipas mendësisë së kultivuar veçanërisht gjatë viteve të diktaturës, kur gjithçka pritej nga shteti, edhe sot zgjidhja e problemeve pritet nga lart, nga njerëzit që na qeverisin.  Një qëndrim krejt i papërgjegjshëm ndaj kulturës, në përgjithësi, dhe gjuhës në veçanti, a nuk është përgjegjësi e të gjithë shoqërisë e jo vetëm e një grushti njerëzish të pushtetshëm? Është e qartë se qëndrimi prej indiferenti, prej “qytetari” që s’do të kuptojë rolin, detyrën dhe forcën e tij si qytetar, shtrihet në një masë shumë të madhe të shoqërisë sonë.

Do të duhej të ishin personalitete të kulturës, të asaj që quhet inteligjencia e një vendi, të parët që do të duhej të reagonin me forcë ndaj kësaj dukurie që i shkon ndesh qytetërimit. Mosreagimi ndaj nivelit fare të ulët të kulturës së masës është me rrjedhoja afatgjata në zhvillimin kulturor të shoqërisë: çka do të bëjë që edhe kësaj inteligjencie t’i shkojnë dëm veprat e rëndësishme e të vlefshme të saj. Sepse ato do të mbeten brenda interesit të një rrethi të mbyllur, shumë të kufizuar.

Këtu, vetvetiu të vjen në mend një figurë shumë e shquar e kulturës, letërsisë e shkencës italiane e asaj botërore si ajo e Umberto Ekos. Një figurë universale, shkencëtar i semiotikës, shkencës së shenjave, historian, filozof, esteticien, romancier, me një inteligjencë të rrallë e me një kulturë aq të gjithanshme saqë është quajtur tru i kompjuterizuar. Me shumë honoris causa të shumë universiteteve të botës, me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare. E megjithatë ai nuk i shmangej detyrës qytetare, duke dhënë shembullin se nuk mjaftojnë titujt e meritat nëse nuk je i pajisur edhe me një ndërgjegje qytetare.

Ishte i shqetësuar për gjërat që nuk shkonin siç duhej, prandaj nuk mjaftohej të bënte punën e tij si shkencëtar, si profesor universitetesh në mbarë botën edhe si një romancier i suksesshëm, i përkthyer në mbi 40 vende. Dhe prapë dinte të kapërcente interesin e tij ngushtësisht vetjak shkencor e letrar. Të linte punët e tij të vlerësuara ndërkombëtarisht e të gjente kohë të merrej me probleme të përditshme të shoqërisë italiane. Me problemin e burokracisë në Itali, me probleme të imigrantëve etj. Por, sidomos, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm, të drejtpërdrejtë e praktik të mediave, e sidomos të TV-ve, në përcjelljen e dijeve masës së italianëve, përgatiste ato pyetjet e zgjuara të kuiceve të Rai 1.

Para shumë vjetësh, kur po binte shumë në sy prishja e gjuhës nga hapja e vendit tonë ndaj botës dhe nga botime librash e gazetash prej ndividësh të papërgatitur për punën e botuesit, desha ta ndaj shqetësimin tim me një gjuhëtar, duke kërkuar mendimin e tij se ç’mund të bëhej  për ta parandaluar këtë dukuri. U befasova nga përgjigja e tij: Unë punën time e bëj mirë, -më tha. Çka është plotësisht e vërtetë. Madje e bën shumë mirë dhe, me studimet e tij në fushë të gjuhës, jep një ndihmesë të çmuar. E jo vetëm ai. Por, le t’i kthehemi shembullit të Ekos dhe të bëjmë pyetjen: -Ndihmesa që dha ai për të sjellë një ndërgjegjësim lidhur me ngritjen e nivelit kulturor e gjuhësor të popullit italian, a nuk i bëri italianët të ishin në gjendje të përballonin leximin e vështirë të veprave të tij? Se, edhe italiani më i zakonshëm filloi ta ndiente si çështje dinjiteti vetjak pajisjen me kulturë, përfshirë atë gjuhësore. Kjo ngritje niveli e italianëve mund të vërehet lehtësisht kur bëjmë krahasimin e filmave e dokumentarëve të viteve 50 të shekullit të kaluar me ata të sotëm. Sot edhe një bari apo një peshkatar apo një bujk a një kuzhinier flet e shkruan me korrektësi gjuhën standarde dhe i shpreh saktë e qartë mendimet e veta. Bie në sy një vogëlim i konsiderueshëm i distancës mes së ultës e së lartës. Është një marrëdhënie e ndërsjellë që e ka  bërë lexuesin e thjeshtë të shijojë e të përfitojë prej leximesh e emisionesh televizive të ngritura, letrare apo shkencore qofshin.

Tek ne po ndodh e kundërta, kjo marrëdhënie e munguar  po e shton distancën. Nga një anë studime e punime shkencore të lavdërueshme, nga ana tjetër rënie e dukshme e kulturës, nëpërkëmbje e gjuhës.

Le të qëndrojmë te gjuha. Le të sjellim disa shembuj të kësaj tatëpjete, kur gjithkush mendon se  fjalën shqipe mund ta trajtojë sipas qejfit, pra të shpikë një fjalor personal.

Ka marrë një përhapje të çuditshme formimi i fjalëve me një bisht:….shmëri.

gjurmueshmëri, transmetueshmëri,  vendosshmëri, nevojshmëri, përdorshmëri, riprodhueshmëri,  përhershmërisht,  bartshmëri, lidhshmëri, besueshmëri te Zoti, konkurrueshmëri, shtëpia e punësueshmërisë, amshueshmëria etj- etj.

Nga lindi kjo dukuri? Ndofta nga fjalë të reja që i kërkon koha: p.sh. përditshmëri … Dhe për shoqërim mendimesh ka marrë revan një marrëzi që dëbon fjalën shqipe dhe e zëvendëson me fjalë të shpikura nga mendje gjysmake.

Një ndikim i huaj i një natyre të re po tjetërson e varfëron fjalorin e shqipes. Kështu ndodh me fjalën i lumtur, që po përmbledh kuptime që në shqip shprehin gjendje  emocionale të ndryshme, të shkallëzuara: i kënaqur, shumë i kënaqur, i gëzuar, më pëlqen etj. – A je i lumtur me këtë punë? – pyet gazetarja, në vend të: A je i kënaqur? A të pëlqen? A të përshtatet? Lumturia është një shkallë shumë e lartë e kënaqësisë, e gëzimit, kjo gjendje shpirtërore nuk është kaq e shpeshtë, madje është shumë e rrallë.  Por tani shqiptarët nuk janë më të kënaqur apo të gëzuar, janë vetëm të lumtur. Edhe një fëmijë kopështi pyetet: A je i lumtur këtu në kopësht?

Po kështu ndodh me fjalë të tjera:

Urrej: urrej ta bëj (s’më pëlqen ta bëj), e urrej këtë pjesën(s’më pëlqen kjo gjë, kjo pamje, kjo sjellje etj. )

Dashuroj: E dashuroj mishin e derrit, e dashuroj gatimin, e dashuroj fitoren, japonezët dashurojnë të shkojnë jashtë shtetit etj. (Deri tani nuk kemi dëgjuar ende: E dashuroj nënën.)

Pjesë. Kërkon një shqyrtim të veçantë pjesa që ka marrë fjala pjesë në të folurën e përditshme, dhe jo vetëm. Ka marrë pjesën e luanit. Një e ftuar në një emision thotë: Meqë nuk e kam pjesën e nënës…(me këtë mënyrë të çuditshme të shprehuri ajo do të thotë se i ka vdekur nëna, se s’e ka më nënën). Shqiptarë të tjerë shprehen: Pjesa e pjesëve të këmbimit. Kemi ndërhyrë te pjesa e pjesëve ndarëse. Të flasim për këtë pjesë. Kjo pjesë (kjo anë e problemit), pjesa tjetër e medaljes (ana tjetër e medaljes). Pjesa e nisjes së fluturimeve. Është vërtet një çudi e pashpjegueshme një përdorim i tillë i kësaj fjale, kur dihet që pjesa i përket një të tëre, por po përdoret kur s’ka një të tërë. Dhe me sa duket shqiptarët nuk po shprehen më dot pa përdorur në të folur pjesën e pjesës.

Gjuha është mjet komunikimi. Po ç’të kuptosh me fraza të tilla:

Të shohim si do të vijnë në jetë këto receta.- Jam mbartëse e kancerit të gjirit. – Filani shfaqet me një valencë të lartë formues. – Është shpresuese të flasim për këtë pjesë. – I plagosuri është brenda parametrave jetësorë. – Të bëjmë pushime shqip, të pushojmë shqip (që do të thotë:Të bëjmë pushimet në Shqipëri), etj. etj.

Është një fatkeqësi e madhe që në arën me grurë të shqipes po fiton terren egjri.

Gazetari Ndue Dedaj shkruan një artikull plot shqetësim për prishjen e gjuhës: Pandemia po na “sëmur” edhe gjuhën. Konstatime me vend, dhe një shqetësim që duhet ta ketë çdo shqiptar. Por kjo prishje ka nisur shumë më herët se të niste pandemia.

Ne po e përkthejmë gjuhën tonë. Dhe po e përkthejmë sa s’ka më keq. Sa të pasigurt e ka identitetin fjala shqipe. Mos është çështje mode gjuha? Apo sistemi politik? Nga vjen kjo shpikje fjalësh të paqena në shqip:

E kanë brendësuar mësimin (në vend të: përvetësuar).

Pse mutohen viruset.

Konfuzionitet.

Muzealizim.

–     është përmasuar, shkruhet në një shkresë zyrtare të një institucioni kulturor.

Një dukuri edhe më e dënueshme, është padija në fushën e gramatikës së shqipes, të morfologjisë e të sintaksës.

T’i them atyre, (për: t’u them atyre), motrës tënde (për: motrës sate), pasanikë shqiptar, një  shqiptarë, shteti jonë, me patjetër, ai ta gjej, unë të bëjë, po ke dijeni për këtë problem (në vend të: nëse ke dijeni…), këto përbërës ushqimor, Mulliri vjetër, Vula vjetër…

Ky është pozicioni ku SHBA donte të fuste Kim (donte të fuste Kimi SHBA- apo ShBA- Kimin?). Nuk është partizani i brigadës që arrestoi Musolini (për: Musolinin). Është vërtet e pashpjegueshme sesi mund ta pranojmë shmangien e lakimit të emrit. Gjithashtu preket topika e fjalës shqipe: Siç ai tha. Sa të zgjuar ata janë. Siç pjesa më e madhe ka. Nevojat që qyteti ka.– Përdoret pa vend parafjala mbi: Ai u interesua mbi syrin e njeriut. Të kontrollosh mbi këtë gjendje.

Përdorimi pa vend e pa nevojë i përemrave vetorë e pronorë tregon sesa pak arrijmë t’i rezistojmë ndikimit të huaj: që të shuajnë urinë e tyre, të lani flokët tuaj, vjen në tryezën tuaj (për: ju vjen në tryezë).

Si për të shtuar rrëmujën gjuhësore shtohen pa nevojë dubletet: Shpërfaqje, shfaqje, përshfaqje.

Ndodh që t’i tjetërsohet edhe kuptimi fjalës, siç po ndodh me fjalën amulli, së cilësi jepet kuptim i kundërt: rrëmujë! Ose fjalës njehsim që përdoret për njësim. Fare qesharak është pastaj “kujdesi” për të shmangur në kushtet e pandemisë fjalën vdekje, që zëvendësohet me fatalitete!! Të bën për të qeshur edhe një gazetar sportiv që thotë: Goditje poshtë barkut (në vend të: poshtë brezit).

Po harrohen idiomat e shqipes. Një gazetar shprehet: Unë flas pa qime në gjuhë (përkthim fjalë për fjalë nga italishtja. Në shqip: flas troç, i kam sahanët pa kapak). Një tjetër: Në verë është e vërteta (nga latinishtja: In vino veritas. Shqip: Ç’ka barku e nxjerr bardhaku). S’po flasim pastaj për vërshimin e fjalëve të huaja që dëbojnë pa asnjë nevojë fjalën shqipe. Kjo dukuri kërkon një studim më vete, për të përcaktuar fjalët e huaja të domosdoshme nga ato të kotat. Edhe kur janë të domosdoshme, ato duhet t’i përshtaten natyrës së shqipes, (si psh: mund të thuhet vaksinues, në vend të vaksinator). S’po përmendim as problemin e shenjave të pikësimit, që, të vëna pa vend, vështirësojnë kuptimin, në mos shkaktofshin keqkuptime.

Vëmendje e munguar.

Një mungesë e theksuar vëmendjeje vihet re në përvetësimin e pasaktë të fjalëve e të dijeve, nga një vesh e një sy primitiv, i pazhvilluar. Si rezultat kemi regjistrime të tilla me zë e figurë, dhe kjo, në emisione kulturore: ornitorinku quhet ornitornik, Shampolioni quhet Zhanpolion,  Kardinali Belarmino quhet Belarmine. Thuhet e shkruhet: kavalishencë, pronotim, shorteu, konçension, Los Anxhelos, kompromentuar, shimpaze, seretonina… Për recesion përdoret recension. Në vend të konseguent, koherent, përdoret konsistent… Në një të përditshme, në faqe të parë, lexojmë titullin: Efekti Nocebo (është fjala për efektin placebo). Në një emision televiziv për natyrën, papagalli kakatò, quhet kakapò,(një racë qensh).

Padija dëshmohet edhe kur shtatoret quhen buste, kaskat skafandra, konia quhet kotele,  Edit Durhami quhet: zotëri…Van Gogu i shkruante së motrës (në vend të vëllait). Një “ekologjist” jep në televizion shpjegime e këshilla për lulet, por fikusin e quan fokus, dhe këtë gjatë gjithë emisionit.  Dëgjojmë gjithashtu: Ivo Andriçi mori çmimin Nobel për legjendën e Rozafës (e ka marrë për romanin Ura mbi Drinë, ndërsa për legjendën e Rozafës ka shkruar një novelë M.Jursënari). Një shkrimtar pohon plot siguri në një TV: Shën Pali erdhi deri në Bunë dhe konsakroi kishat pas dy vjetësh, (kur ende sot nuk është sqaruar nga teologët nëse hyri në Iliri, apo erdhi deri në kufijtë e saj). Diku tjetër lexojmë: Në Zvicër siç dihet, gjendet kryeqyteti i botës, e plot njoftime të tjera “diturore” kodra mbas bregu.

Dhe të gjitha këto jo nga ndonjë i pashkolluar që shkruan në rrjetet sociale, por në gazeta e emisione të përditshme, nga gazetarë e analistë me emër. Mund të shkruhet një libër i tërë për të nxjerrë në pah deri ku arrin padija te ne.

Nuk u shpëton gabimeve as Muzeu historik kombëtar: diçitura e një pafte brezi prej bronzi na njofton se aty paraqiten 2 kalorës (ndërsa aty është një kalorës e një këmbësor). Në një vazo bronzi diçitura është:  Djali ka vënë dorën në supin e djathtë, ndërsa në fakt e ka vënë në të majtin. Atamantët quhen Atamanë, Kasiopea quhet Kasope, Hyjnesha e Butrintit quhet Hynesha, shkruhet: varëse me gura, (jo: me gurë).

Shpjegohet gabim madje edhe në TV Shkolla. Në një shkrim timin të pak kohëve më parë me titullin Sokrat i përmbysur, kam vënë në dukje padijen e disa mësuesve te ky televizion. Por gabimet vazhdojnë: Galileo Galilei u dogj i gjallë nga inkuizicioni se tha që toka rrotullohet.

Shën Agostini shkroi Qyteti i Diellit, (autori është Kampanela). Teuta u detyrua të lëshojë Durrësin…(por s’e ka pushtuar kurrë, megjithëse është përpjekur, por s’ia ka dalë). Shpjegon mësuesja: Shkrimi autobiografik shkruhet vetëm në vetë të parë. Si do t’i përgjigjet kjo mësuese pyetjes: Po Autobiografia e Nolit a s’është shkruar në vetë të tretë? Dhe le të vijmë te çudia e çudirave: një mësuese e klasës së parë u shpjegon vogëlushëve sesi shkruhet shkronja Z: sipas saj, dy vijat paralele të kësaj shkronje duhet të shkruhen të përdredhura!!!

Në fletën shoqëruese të një produkti, për të ditur nëse është origjinal apo jo, këshillohet blerësi të shohë nëse fleta është shkruar me gabime, se kjo tregon mashtrimin, tregon se prodhuesi nuk e di mirë gjuhën e vendit ku tregton produktin dhe që e paraqit si origjinal. Atëherë, ne shqiptarët, mos jemi të huaj që shkruajmë shkresa zyrtare me gabime, tekste shkollore, libra, gazeta, revista me gabime, emisione televizive me gabime, receta mjekësore, kontrata të ndryshme, mbarë qytetet me postera e tabela dyqanesh me gabime…Meritojmë të hyjmë në librin Gines si vendi që i ka bërë normë gabimet në të gjitha fushat e drejtimet.

Duke u rrekur ta fuqizoj sadopak këtë përpjekjen time të pafuqishme për të ngjallur një sensibilizim lidhur me këtë problem madhor, po shtoj zemërimin e skajshëm të Ismail Kadaresë:

Gjuha shqipe është nën një dhunë të vazhdueshme, nën një agresion të vazhdueshëm, në një ndotje, në një prishje të vazhdueshme dhe është një turp për opinionin publik shqiptar që e lejon një gjë të tillë. Ai duhet të gjejë mënyrat për të detyruar përdoruesit e kësaj gjuhe, për t`i bërë zap, për t`i detyruar ta respektojnë gjuhën e vet, sepse nuk janë ata që e kanë krijuar këtë gjuhë. Kjo gjuhë është krijuar me mundime të mëdha dhe askush nuk ka të drejtë të vërë dorë mbi të e ta prishë me injorancën, barbarinë ose me egërsinë politike, siç ndodh për fat të keq në Shqipëri”.

 

 

 

***************************************************

 

Vazhdon

Mision i pamundur?

Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa. Që të kuptojmë ç’do të thotë ky sllogan, duke lënë mënjanë probleme të tjera shumë të rënda tonat, le të bëjmë pyetjen: në Evropë a gjen shembuj si të mësipërmit?

Kur flitet te ne për hyrjen në BE, a mbahet parasysh kjo mungesë kulture kaq poshtëruese?

Tani, shpërblimi i merituar për ata “që e bëjnë mirë punën e tyre”, gjuhëtarë, historianë, arkeologë etj. është se po përmbyten nga dallga e pseudoshkencëtarëve, që dalin me gjithfarë teorish halucinante. Dhe nuk është e tepruar fjala dallgë, kur sheh lukuninë e ndjekësve në rrjetet sociale. Këta pseudoshkencëtarë janë të parapëlqyer edhe nga mediat. Sa më shumë marrëzira aq më shumë shikues. Dhe aq më pak lexues të librave të vyer shkencorë, që rrezikojnë të myken bibliotekave. Ka një rënie të theksuar e të paparë të autoritetit shkencor.

Është e vërtetë që gjuhët ndryshojnë. Zhvillimi shoqëror, gjendje e zakone të reja patjetër që kanë pasqyrimin e tyre në gjuhë. Kjo ndodh në të gjitha gjuhët. Por nëse kjo dukuri merret si  rrjedhojë e pashmangshme, pra, e papërballueshme e prurjeve të kohës, atëherë kemi varje krahësh,  përgjumje “të përligjur”, çka nuk ndodh në vendet e zhvilluara. Në këto vende, me gjuhë të konsoliduara prej shekujsh, nuk reshtin përpjekjet për t’i bërë një përzgjedhje të studiuar e plot përgjegjësi këtyre prurjeve të kohës.

A mund të dilet nga kjo gjendje? Po, nëse institucionet do të kthejnë sytë te burimi i së keqes, aty ku nis problemi. Nëse të gjithë ata që janë të shqetësuar për këtë rrukullimë që ka marrë gjuha, do të arrijnë të bashkojnë zërat e përpjekjet për të vënë gishtin në plagë. Nëse do të aktivizohen në një fushatë të përbashkët jo vetëm institucionet e Republikës së Shqipërisë por edhe ato të Republikës së Kosovës, edhe ato të Maqedonisë së veriut për të përcaktuar mënyrat e mjetet e duhura për t’ i prerë rrugën nëpërkëmbjes skandaloze të gjuhës e të kulturës së shqiptarëve. Herë pas here ka shkrime të vlefshme për këtë problem. Studiues të gjuhës bëjnë përpjekje të lavdërueshme për të sjellë një ndihmesë lidhur me ngritjen e kulturës së gjuhës. Akademia e shkencave e Shqipërisë e ka pasë ngritur shqetësimin para disa vjetësh në Kryeministri. Nuk ka marrë përgjigje dhe e ka lënë me kaq.  Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë bën herë pas here konferenca për çështje të gjuhës së sotme apo të mësimdhënies së gjuhës e letërsisë. Po ashtu edhe në Prishtinë, Instituti Albanologjik e Fakulteti Filologjik organizojnë seminare të përvitshme, e edhe Universiteti i Tetovës e tani edhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës në Maqedoninë e Veriut. Por në këto konferenca, me pak përjashtime, nuk trajtohen çështje të kulturës së gjuhës, dhe kështu shqipja e sotme mbetet e pambrojtur.

Tani, duke e vërejtur konkretisht padijen në kulturën gjuhësore, del se këto veprimtari janë të pamjaftueshme. Dhe kështu do të jenë derisa të mos shkohet te një mobilizim  e bashkëveprim i të gjitha institucioneve përgjegjëse për këtë gjendje. Një konferencë kombëtare, emisione ndërgjegjësimi nga tv shtetëror, ngritje e problemeve në Kuvendet tona kombëtare (probleme në arsim, në media, etj.) këto masa mund të jenë nisja e një sensibilizimi, në mënyrë që shqiptari kudo qoftë, ta ndiejë si një turp vetjak trajtimin kaq pa nderim e arbitrar  që i bëhet gjuhës së vet.  Gjuha është limfa e një kombi.

Nuk na duhet të shpikim gjë. Mjafton të hedhim vështrimin në masat që marrin vendet e qytetëruara për mbrojtjen e gjuhëve të tyre. Në Itali, kujdesi për gjuhën është ngritur në rang institucional me Akademinë e Kruskës (Crusca). Në arsim, në administratë, në shtyp apo në mediat pamore, nëse vihet re ndonjë gabim gjuhësor, problemi bëhet publik, me kritika të rrepta apo me sarkazma të qëlluara. Lojërat nxitëse të dijes po bëhen gjithnjë e më argëtuese e më të ndjekura në kanalet televizive. Emisioni i mëngjesit i së dielës në Rai 1, me prof. Sabatinin, President nderi i Akademisë së Kruskës, shpjegon përdorimin e duhur të fjalës, shprehjes, idiomave, fjalëve të urta etj.

Akademia jonë e shkencave ka planifikuar të përpilojë Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, me 100.000 fjalë. Bota i bën këta fjalorë, por pasi janë edukuar njerëzit t’i përdorin. Bota e nis me Fjalorin e arushëve, fjalor për fëmijë të moshës së njomë. Fëmija i mësuar të shfletojë fjalorë do t’i  afrohet më vonë me kënaqësi e kureshtje thesarit të gjithëmbarshëm të gjuhës. Përndryshe, nëse ndodh që rrota e mbrapme t’ia shkelë së parës, mundimi shkon kot. Siç po rrinë kot te ne fjalorët e gjuhës shqipe si edhe ata të përgjithshëm, që duhet të ishin të pranishëm kudo, në shkolla, në redaksitë e gazetave, në institucionet shtetërore e private, në zyrat e noterëve e të avokatëve etj. Kryeministri ynë, që deklaron se i kemi plotësuar të gjitha kushtet për të hyrë në Bashkimin europian, nuk ka parasysh nivelin e vajtueshëm kulturor të shoqërisë në përgjithësi. A i ka detyruar mediat qeveria e tij të mbajnë në redaksitë fjalorin e gjuhës shqipe dhe atë enciklopedik, siç qe një urdhëresë para disa vjetësh? A e ka  parasysh nivelin aq problematik të mësimdhënies? A e vë re gjendjen katastrofike gjuhësore në rrjetet sociale? Është domethënës shembulli i mëposhtëm: Në një reklamë dygjuhëshe, është shkruar drejt  në anglisht: Key Competencies. Ndërsa në shqip lexojmë: Kopetencë. Kryeministri po e vë theksin te mësimi i gjuhës angleze nga fëmijët tanë, duke lënë mënjanë problemet e mëdha në mësimin e shqipes.

Kur ta ndiejmë ne shqiptarët si punë tonën, (dhe së pari institucionet tona kulturore), ndërmarrjen e betejës së vështirë kundër shkatërrimit të gjuhës dhe një padijeje kaq të përhapur, atëherë do të ketë shpresë se nuk do të vijë një ditë që shqipja e Naimit dhe e Fishtës, Konicës e Mjedës, e Dritëro Agollit dhe Ismail Kadaresë etj. të na duket e largët si gjuha e autorëve të vjetër. Dhe nuk do ta kemi harruar krejtësisht porosinë e Naimit: Dhe drit’ e diturisë/ Përpara do na shpjerë.

 

Donika Omari

 

 

Emri i trëndafilit

Autori:           Umberto Eco

Përkthyesi:  Donika Omari

Umberto Eco –

Umberto Eco ka lindur në Alesandri më 1932; filozof, studiues i Mesjetës, semiolog, studiues i medias, botoi romanin e tij të parë “Emri i trëndafilit” më 1980, i ndjekur nga romani “Lavjerrësi i Fukosë” (1988), “Ishulli i një dite më parë” (1994), “Baudolino” (2000) dhe “Flaka e fshehtë e mbretëreshës …

“Emri i trëndafilit”, romani që e bëri të njohur në gjithë botën Umberto Egon, u botua për herë të parë në vitin 1980 dhe tani, pas 32 vjetësh, ai rishfaqet për të tronditur edhe një herë kritikën letrare. Ky botim i ri i rishikuar dhe i plotësuar nga vetë Eco, doli në Itali në janar 2012. Po pse duhej riparë një roman kaq i suksesshëm? “Kryesisht për veten”,- thotë Eco. “Më bezdisnin disa fraza dhe përsëritje. Për lexuesin bëra disa përkitje të vogla, duke shkurtuar paksa citatet nga latinishtja. Edhe mund të mos e kisha bërë, sepse libri është shitur në rreth tridhjetë milionë kopje. Pra, tridhjetë vjet më vonë, meqë nuk e kisha prekur kurrë,- thashë t’i hyja një herë mirë.”

 

 

 

 

 

Umberto Ego

 

 

 

Vepra e përkthyer më mirë e vitit 2014 u vlerësua romani “Nga ana e princeshës së vdekur”, që mban edhe firmën e Donika Omarit në shqip.

 

 

 

Çmimi i dhënë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në Panairin e Librit jepet për veprat e botuara gjatë vitit ku zhvillohet eventi më i madh mbarëkombëtar në fushën e botimeve, ku vlerësohet edhe përkthimi më i mirë. Vitin e kaluar u vlerësua me çmim Donika Omari me librin Nga ana e princeshës së vdekur” nga Kenizé Mourad,

 

Unë e doja

Anna Gavalda

Përkthyesi:  Donika Omari