Imzot Gjon Nikollë Kazazi, i lindur në Gjakovë më 1 janar 1702, ishte nxënës dhe student i dalluar në Fermo të Italisë, më vonë edhe në Kolegjin Ilirik të Loretos, ku kishte studiuar ndër të tjera edhe lëndët e retorikës, gramatikës dhe filozofisë. Kishte doktoruar në filozofinë dhe teologjinë në Kolegjin Urban në Romë. Pas shugurimit meshtarak, qe emëruar Vikar i Ipeshkvisë, Vizitator Apostolik për Bullgari dhe Serbi. Përshkrimet e tij, Papës Benedikti XIV i japin pasqyrimin e kohës dhe gjendjen tejet të vështirë për katolikët e këtyre viseve. Papa iu përgjigj me letrën baritore “Inter omnigenas” me përcaktime, udhëzime dhe rregullore për mbarë Ballkanin e atëhershëm. Në një letër që është zbuluar kohën e fundit, Gjon Nikollë Kazazi përshkruan vendet në Mesdhe ku flitet dhe komunikohet në gjuhën shqipe, dëshmi kjo e fuqishme për atë periudhë dhe për praninë shqiptare. Në vitin 1743 qe emëruar arqipeshkv i Shkupit, më vonë edhe të Mbretërisë së Serbisë. Pas një jete tejet të mundimshme dhe pune shumë meritore, vdiq në vitin 1752, në moshën 50 vjeçare. Gjatë studimit në Romë ka zbuluar në Bibliotekën “Propaganda Fide” kopjen e ruajtur “Meshari” i Dom Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555. Në vitin 1743 ka botuar edhe katelizmin “Përmbledhja e shkurtër e Mësimit të Krishterë, të përkthyer në gjuhën shqipe për përdorim të fëmijëve dhe të këtij Populli”, të shtypur në Propaganda Fide në Romë, që dëshmon të folmen e asokohe në Gjakovë dhe rrethinë, që ishte kundërpërgjigjje ndaj sundimit turko-otoman, ruajtje dhe mbrojtje e identitetit fetar dhe kombëtar shqiptar.
JUSUF BUXHOVI
Krijuesi, shkrimtari, historiani, intelektuali i mirëfilltë, Jusuf Buxhovi, lindi në Pejë më 4 gusht 1946. Fëmijërinë dhe rininë i kaloi në Gjakovë, ku kreu edhe shkollën e mesme. Studioi Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Vite të tëra ishte korrespondent i “Rilindjes” në Gjermani. Nga kjo përvojë shumëvjeçare, arriti shumë pjekuri njerëzore dhe në krijimtari. Ai është një ndër prozatarët më të shquar dhe më të dalluar ndër shqiptarë, sidomos me romanet “Prapë vdekje, I, II, III, (1991-1995); “Letra për Kryeprincin” (2001); “Vera e fundit e Gjon Bardhit”(2003); “Trilogjia gjermane” (2004-2006); “Libri i Blacës” (2007); Nga studimet dhe lëmi historik: “Historia e Kosovës, 3 vëllime, (2012), që ka zgjuar mjaft interesim tek ne, por edhe në botë. Deri me tash, Jusuf Buxhovi ka botuar më se 30 tituj të llojeve të ndryshme. Pra, ai është shkrimtar, krijues, njeri i angazhuar në shumë fusha, me mendje të ndritur dhe zemër të hapur. Me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, të botuar së pari në vitin 1982, pastaj të ribotuar disa herë, të përthyer në disa gjuhë, si intelektual ballafaqohet me çështjen e sundimeve të të huajve që për qëllim kishin asgjësimin dhe shkatërrimin tonë shpirtëror, kulturor, kombëtar. “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” nga kritika letrare shqiptare vlerësohet dhe trajtohet si “një nga veprat më të suksesshme të prozës sonë bashkëkohore” (Agron Tufa). Minjtë e dikurshëm gjatë sundimit turko-otoman, që bartnin murtajën dhe shkaktonin vdekjen e popullit, apo edhe ata gjatë sundimit serbo-sllav, ende janë të gjallë dhe veprues. Megjithatë i kemi përballuar të gjitha me ndihmën e Zotit, me përkrahjen e Kishës dhe klerit tonë, i cili gjithnjë ka jetuar dhe vepruar për Fe dhe për Atdhe, si dhe me vëllazërinë tonë gjithëshqiptare. Ashtu do të ndodhë edhe në kohën dhe hapësirat tona…





















