Dilema “shekspiriane” e të ardhmes së shoqërisë shqiptare

1145
Dr Jorgo MANDILI
(Në vëmendje të ministres së “re” të arsimit) 
Jemi tronditur kaq shumë gjatë këtij çerekshekulli, saqë me të drejtë shtrohet pyetja, se në cilin qytetërim do bëjmë pjesë? Jemi larguar kaq shumë intelektualisht, kulturalisht e moralisht nga qytetërimi, saqë me të drejtë shtrohet pyetja: Drejt Evropës do shkojmë si turmë apo si qytetarë? Çka mendoni ju se e kemi gjendjen ne? A nuk është pikërisht ajo që ka ndodhur në të vërtetë gjatë një shekulli, që ende ndodhemi përballë kësaj dileme? Dilemë e krijuar nga sistemi i edukimit, sepse edukimi, ose nuk është marrë seriozisht për paaftësi, ose është bazuar në autoritarizëm, ose në liri të pakontrolluar, ose në vetkënaqësi adoleshente.Në të gjitha rastet produkt i edukimit ka qenë “individ turmë” – një individ standard, pa origjinalitet personal dhe identitet mendor, lehtësisht i manipulueshëm për t’u organizuar në turma, një komunitet i varfër shpirtërisht dhe pa mundësi zhvillimi. Produkti më i keq i një doktrine të vjetër edukimi që bazohet tek autoritarizmi, frika, dhuna dhe nënshtrimi. Simptoma më e turpshme e civilizimit tonë, e shuarjes së shpirtit të protestës qytetare, e humbjes së ndjenjës së humanizmit dhe solidaritetit social. Është “njollë murtaje” e civilizimit tonë, e cila është shfaqur në trajta të ndryshme, në sisteme të ndryshme, por pa ndryshuar thelbin e vet – individin standard, servil i regjimeve! Gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së shtetit shqiptar, politika shqiptare dhe të gjitha qeveritë ideuan,projektuan dhe zbatuan reforma gjysmake në arsim, pa strategji, vizion, metodologji e menaxhim intelektual. Kjo ka ndodhur në monarki, në monizëm, por fatkeqësisht ndodh edhe në “demokracinë totalitare”. 
Monarkia
Në monarki, kur ende shteti ishte “foshnje”, dhe Shqipëria sapo kishte dalë nga otomanizmi, u bënë disa përpjekje modeste për një “reformim arsimor, por të pasuksesshme. Analfabetizmi mbizotëronte në mbi 90% të të popullsisë. Institucionet shkollore dhe burimet njerëzore ishin të pakta. Nuk mund të përfytyrohej dhe të bëhej fjalë për një sistem arsimor që të gjeneronte intelekt e qytetari. Me njerëz analfabetë, të nënshtruar ndaj autoriteteve shtetërore, fetare dhe gjyqësore, të zhytur në një varfëri emblematike, pa institucione arsimore, kulturore e shkencore, a mund të prisje “zhvillim mendor, ngritje morale apo fizike të shqiptarëve”? A mund të bëhej fjalë në këto kushte për individ të lirë, krijues e me personalitet? 
Monizmi
Në monizëm, për hir të së vërtetës u realizua një transformim gjigant në arsim, kulturë, sport shkencë e teknologji. Brenda një kohë të shkurtër u zhduk analfabetizmi, u ngrit një rrjet shkollor i edukimit të përgjithshëm dhe profesional deri në skajet më të thella të Shqipërisë, u ngritën universitete e institute, akademia e shkencave, teatro dhe estrada në të gjithë vendin etj, që dihen, por që nuk është vendi këtu për t’i përmendur. Ajo që duhet evidentuar është fakti që arsimimi dhe kulturimin i popullit mori një zhvillim të madh me parullën “më shumë bukë, më shumë kulturë”! Por… mungonte diçka… liria. Liria e ndërgjegjes, liria e shprehjes, liria e mendimit, liria ekonomike…Liria që individët të mendonin dhe të vepronin në mënyrë të pavarur, për të zbuluar rrugë e mënyra se si të bëheshin pjesë aktive në transformimin e botës, dhe jo nën udhëheqjen e Partisë, e cila ishte “truri dhe zemra e popullit”. U krijua “njeriu i ri socialist” – i ditur profesionalisht, por i nënshtrueshëm ndaj autoriteteve partiake dhe shtetërore, i kufizuar në mendime e veprime, si rrjedhojë e presionit të institucioneve shtetërore dhe opinionit publik. Por në instancë të fundit edhe ky ishte” individ turmë “, më “i moderuar”, por edhe ky, në thelb, pa identitet individual dhe mendor.
Por çfarë ndodhi me përmbysjen e monizmit? Atëherë kur erdhi “liria”? Liria e pakontrolluar – anarshia? 
Këtu u shfaq paaftësia dhe papërgjegjshmëria e një klase politike që nuk diti ta menaxhonte këtë liri dhe të ndërtonte politika arsimore, që t’i përshtateshin shoqërisë postkomuniste. Mungesa e nje filozofie te re edukimi pas permbysjes se monizmit çoi në krizen e thellë të identitetit qytetar, e cila nga ana e vet ka çuar ne nje gjendje shterpe, sterile, në të gjitha aspektet e jetes shoqerore, në shkence, art, letersi, filozofi, histori, ekonomi, politikë duke u “shteruar”nga burimet intelektuale. Si kudo edhe edukimi iu nënshtrua “rënies së lirë”. Vetë shoqëria nuk dinte se ku shkonte. Kudo mllef, të gjithë kundër të gjithëve, dhunë, vrasje, vjedhje, pushtim tokash, etje për pasuri dhe seks, botoks, bythë, vrima… Në këtë vorbull të shoqërisë u përplas individi, i cili ishte mësuar që interesat e tij vetjake të frenoheshin institucionalisht nga autoriteti shtetëror dhe shoqëror i regjimit të kaluar. Tani u vu përballë rrezikut të lënies së tij në “gjëndjen natyrore”, i lirë dhe i pavarur deri në absurditet. Përreth tij u krijua një parajsë artificiale, në të cilën dëshirat mund të përmbusheshin me çdo kusht dhe çdo mjet. Filloi konvertimi i virtyteve në vese. Dhe pasojat dihen. U krijua një gjendje me një pabarazi forcash, ku çdo individ ishte dhe është plotësisht i lirë për të zhvilluar forcën e tij në një botë pa barriera, në një shoqëri kaotike me kriza morale, politike, ekonomike, sociale e institucionale.Tashmë nevoja e kishte çliruar individin nga vargonjtë autoritativë dhe po lindte tek ai një pasion për pasurim të shpejtë, një ambicie që nga ana e saj nxiste një garë për pushtet. Interesi vetjak duke u shtrirë përtej kufijve të nevojave të natyrshme u përhap kudo dhe shpejt helmoi të gjithë shoqërinë. Institucionet, funksioni tradicional i të cilëve ishte ta përmbanin këtë ortek dëshirash e pasionesh vetjake, u transformuan në institucione manipulimi për të mbrojtur fuqinë e më të fortëve. Dija, tek e cila njeriu ka kërkuar shpëtim qysh nga koha e Platonit, u korruptua dhe mbeti dhe vazhdon të mbetet veçse një mashtrim. Në emër të liberalizimit, si kudo edhe në arsim u shembën dhe u shkatërruan të gjitha institucionet arsimore: shkollat, kabinetet, laboratorët, ofiçinat e parcelat eksperimentale të shkollave profesionale, rrjeti i të cilave ishte shtrirë në të gjithë Shqipërinë, formimi fillestar dhe kualifikimi i mësuesve, institutet pedagogjike, revistat, buletinet e shumëçka tjetër që lidhej me edukimin. Pa kuadër ligjor të mirëpërcaktuar, mbinë si kërpudhat nga dheu, shkollat dhe universitetet private. Lulëzoi tregu i diplomave, shitja e krediteve, trafiku i gradave dhe titujve akademikë, lindi “aristokracia” akademiko – shkencore” që do të drejtonte universitetet drejt rrënimit të tyre nëpërmjet korrupsionit, masivizimit, mediokritetit, militantizmit, nepotizmit. U krijua “njeriu i ri tranzicionalist”- konformist, servil i regjimeve, “i shkolluar por, i paditur”, me “një të folme as letrare as dialektikore, thjesht një mbllaçitje që as vetë nuk e kupton se ç’thotë. I përulet “demokracisë, (pa e ditur se ç’është demokracia) “vetëm për faktin, që ajo e la të lirë të bëjë ç’të dojë dhe të pasurohet sa të dojë”. Ky individ është edhe deputet, edhe ministër, edhe kryetar partie, edhe kryetar bashkie edhe gjyqtar e prokuror, edhe profesor, akademik e rektor… E gjen kudo. Mos guxo ta kundërshtosh se ndryshe… Ai është pjesë e elitës politike, ekonomike e akademike, por jo morale. Ai u bë modeli ynë, shëmbulli që frymëzon rininë: individi konformist, servili i regjimit, individi standard, “99”, që “di” të pasurohet e të bëjë karrierë. Edhe ky pa origjinalitet dhe identitet individual e mendor -“individ standard”, që i mjafton “shtylla të kurrizore se trurin e ka të tepërt”. Ky është produkti i reformave “haxhiqamiliste” arsimore pa filozofi edukimi, që po ushqen shoqërinë tonë ende dhe sot në këtë tranzicion të gjatë.
Por a ndryshoi “substanca” me ardhjen në pushtet të “xhonturqve” të Rilindjes? 
U shpresua për një Rilindje edhe në edukim. Pritshmëritë për ndryshime radikale, revolucionare për ta shkallmuar modelin e përçudnuar tradicional të arsimit dhe të gjitha institucionet që e mbështetnin atë ishin të mëdha. Shpresonim, se do të ngrihej një arsim i ri, institucione të reja, universitet i ri, për të hedhur themelet e një mentaliteti të ri intelektual dhe qytetar. Nuk ishte e lehtë, kuptohet. “Dhimbja sociale”do të ishte e madhe. Por, këtu ndahen njerëzit e zakonshëm nga burrat e shtetit që marrin vendime të guximshme dhe krijojnë një moment historic, që kujtohet e nderohet nga brezat e ardhshëm. Njëlloj si paraardhësit “haxhiqamilistë “, me nxitim dhe klientelizëm bënë disa arnime pa prekur substancën. U trumbetuan si reforma të reja “mballoma” të tilla si: zgjedhja e drejtorëve të arsimit me konkurse show, testimi i mësuesve, formulari i Aplikimit, reforma e teksteve, mbyllja selektive e disa universiteteve private, zgjedhjet “putiniste” universitare si farsa e farsës, disa përpjekje për zgjerimin e arsimit profesional. Apo ligjin e arsimit të lartë, aq shumë të trumbetuar dhe po aq shumë i debatueshëm dhe ende i pa implementueshëm dhe i pazbatueshëm në projekte konkrete, për të zhvilluar konkurrencën si brenda dhe midis 12 “ngrehinave të rrënuara” universitare për të krijuar botën e dijeve akademike dhe botën e kërkimit shkencor. (I ka futur më tepër se ç’ishin në kaos duke evidentuar edhe një kontradiktë të re midis rektorëve dhe Bordit Administrativ). Domosdo që ky “produkt” pritej nga mënyra se si u organizuan “zgjedhjet” në universitete. Rektorët vlerësohen nga projektet për tendera dhe nga numri i bordeve ku marrin pjesë. Nuk kemi dëgjuar apo lexuar ndonjëherë që një rektor të vlerësohet për ndonjë projekt në lidhje me ligjin e arsimit të lartë. Por kemi parë rektorë në pozicionin e sekretarëve mësimorë duke dhënë deklarata se si të regjistrohen e çregjistrohen studentët, kur duhet të jenë në gadishmëri për të plotësuar vendet bosh etj. Rektorë janë këta?! “O tempora o morres”! Asnjë ndryshim substancial as në përmbajtje, as në strukturë, as në metodologji e mbi të gjitha, as në menaxhim. Një menaxhim obskurantist i dijeve akademike dhe shkencore nga lidershipi akademik universitar (se në këtë gjëndje janë edhe dekanët si hallkë e tepërt si dhe përgjegjësit e departamenteve si figurantë). Thjesht u zëvendësua mediokriteti, korrupsioni, militantizmi dhe nepotizmi i “djathtë” me atë të “majtë. Të njëjtit” mutacione politike” në menaxhimin e arsimit si para dhe universitar, të cilët mundohen të justifikohen për dështimet e suksesshme me “shumë mami që nxjerrin fëmijën çyryk”. Të shohim tani që ka vetëm një “mami”, çfarë të nesërme ka projektuar ministrja e re e arsimit? .
A do t’a ringjallë Feniksin nga hiri i arsimit të zhuritur? 
A do të kemi një sistem arsimor që t’i përgjigjet një rendi të ri të punës, një sistem arsimor që të pasqyrojë ndryshimet në mënyrën e të kuptuarit të botës dhe që t’i paraprijë zhvillimeve të ardhshme të vrullshme ekonomike, sociale, shkencore e teknologjike. Kur bota mendon e projekton “netizens”-in=citizens of net (qytetarin digjital i ndryshëm nga”citizensi” ( qytetari i zakonshëm, që zë një vend të caktuar në një pikë të universit që quhet qytet ), ne ende nuk kemi përfunduar procesin e krijimit të “citizens”- it – , i cili u bë krijuesi i civilizimit evropian. Sot cilësori “qytetar”, nënkupton individin me arsye, “frikacakun” brenda ligjit, krijuesin brenda lirisë dhe frymëzuesin brenda civilizimit modern. Jo më kot Russoi apelonte: “Krijoni qytetarin dhe keni në pëllëmbë të dorës gjithçka”. Me qytetarin fillon e ardhmja e shoqërisë moderne. Kësisoj sfida që qëndron para arsimit tek ne është: A do të kemi një doktrinë të re të edukimit që të “prodhojë” qytetarë të formuar me normat dhe standartet e së drejtës, të cilët e konsiderojnë shërbimin për shoqërinë si problem madhor të jetës së tyre, apo si deri tani, do vazhdojmë me doktrinën e vjetër tradicionale të edukimit që ka më se një shekull që “prodhon” individë standardë, “servilë të regjimit”, pa origjinalitet dhe pa identitet individual e mendor, turma që ndjekin verbërisht të parin e tyre? Kjo është dilema “shekspiriane” që lidhet drejtpërsëdrejti me të ardhmen e shoqërisë shqiptare. A do të jetë e ardhmja jonë ajo e një shoqërie të lirë, liberale e tolerante apo si deri tani e një shoqërie të gënjeshtërt që nuk prodhon dot demokraci funksionale, por një “totalitarizëm demokratik”? A do të jetë e ardhmja jonë ajo e një shoqërie të lirë, liberale e tolerante apo si deri tani e një shoqërie të gënjeshtërt që nuk ndërton dot një kapitalizëm njerëzor me prosperitet ekonomik, por një kapitalizëm të egër, të zbatuar në mënyrë skllavopronare, antihuman, me polarizim të skajshëm midis të varfërve dhe të pasurve? A do të jetë e ardhmja jonë ajo e një shoqërie të lirë, liberale e tolerante apo si deri tani e një shoqërie të gënjeshtërt që nuk prodhon dot intelekt, virtyt, qytetari, elita intelektuale, politike e akademike, por mediokritet, korrupsion, nepotizëm e paaftësi, e cila nga ana e vet, ka çuar ne gjendje shterpe, sterile, në të gjitha aspektet e jetës shoqërore në shkencë, art, letërsi, filozofi, histori, ekonomi, politike etj? A do të mund të arrijnë ndonjëherë nipërit, më saktë stërnipërit tanë të jetojnë në një shoqëri të lirë, liberale e tolerante që të prodhojë drejtësi dhe barazi sociale, me një shtet ligjor si garantues i së drejtes, sigurisë dhe i mireqenies? Në fund të fundit, a do të ketë një fund që të zhvillohemi mendërisht e të ngrihemi, madje edhe të përsosemi moralisht? Prandaj si qytetar, i kërkoj ministres time të arsimit, të më japë përgjigje, ndoshta jo për të gjitha pyetjet, por për pyetjen e mëposhtme e ka për detyrim (për votën që i kam dhënë dhe taksat që i paguaj): A do të kemi më së fundi një projekt inteligjent për një Doktrinë të modernizimit të edukimit me strategji të mirëpërcaktuar, që të prodhojë intelekt e qytetari nëpërmjet dijes dhe Virtytit? Tek të cilat shoqëria ka kërkuar shpëtim qysh nga koha e Platonit.Të cilat u bënë pishtari i Rilindjes Evropiane, për ndriçimin e mendjes së njerëzimit për çlirim shoqëror, për liri, barazi,dhe drejtësi sociale, për të respektuar çdo njeri dhe bindjen e tij.? Rilindja juaj a do bëhet pishtari, që do t’i ndriçojë rrugn Dijes dhe Virtytit në Shqipëri? Tani që keni “timonin” të vetëm a mund të na garantoni një Arsim të ri, një Universitet të Ri që edhe nipërit tanë që nuk kanë mundësitë e fëmijëve tuaj të marrin një diplomë të konvertueshme me ato të universiteteve evropiane siç e kërkon procesi i Bolonjës, ku ne kemi firmosur të parët me servilizëm pa qenë të përgatitur për këtë proces? 

Duhet vetëm përgjegjshmëri patriotike, vullnet politik, devotshmëri shtetare, faturë financiare dhe ……pak intelekt të një ministri arsimi dhe një burrë shteti “400 dërhemësh” që të marrin vendime historike për të ardhmen, por edhe të përballojnë dhimbjet sociale të së tashmes. Ndryshe…. ne do të mbetemi, siç dhe jemi, si një shekull më parë. Po ata shqiptarë që u pëlqen të lëvdohen, “të zhytur në baltën e injorancës, llumin e padrejtësisë dhe të dremitur në frëngjitë e hakmarrjes”; po ata shqiptarë që kënaqen të gënjehen e të mashtrohen; po ata shqiptarë që “hidhen në flakë”e bëjnë marrëzira për prijësin, kurse për të drejtat e tyre, për veten e tyre as “qimen nga qulli” nuk e heqin e pranojnë të nëpërkëmben e poshtërohen; po ata shqiptarë, që nën hijen e “palmave te përtacisë, lëkunden në kolovajset e kënaqësisë, dalin nga honet e dëshpërimit e papritur duke u shfaqur nga mullarët e entuziazmit pa arsye” , bërtasin me një krenari të shtirur : “O sa mirë me kenë shqiptar!” 

Edhe sa do vazhdojmë të lëkundemi kështu “rrumpallë e një tufe këmbësorësh të pa orientuar?…(E. Rama)…. 

( vijon ) 
Sigal