Dhimitër Gegprifti/ Kur do të qartësohet vorbull-i në “politikën” shqiptare?

565
Në momentin e parë, lexuesi me të drejtë do të pyesë veten dhe përmes asaj pyetje të brendshme edhe mua si autor: Pse fjala “politikë “ është marrë në thonjëza. Po e shpjegoj. Kohë më parë kam shprehur mendimin se Shqipëria nuk ka politikanë të vërtetë dhe më e keqja është se këta “politikanë” quajnë “politikë”, debatin, akuzat, fyerjet, sharjet…kuptimi më vulgar i politikës. Pse? 
Shqipëria aktualisht nuk ka fakultet Diplomacie, për rrjedhojë deputetët tanë janë nga të gjithë specialitetet. Kjo do të përbënte më të mirën e politikës, nëse këta parlamentarë do të ishin njerëz publik me parametra të lartë:studiues, intelektualë të mirëfilltë, me figurë morale të padiskutueshme, para se të fillonin të merreshin me politikën si një art i vështirë të përvetësohet edhe më i vështirë të implementohet.
Kjo, mendojmë ne, na bënë ta vlerësojmë aktualitetin shqiptar vorbull, e cila ka treguar se nuk dekanton, por kalohet, harrohet dhe pas një kohe riaktivizohet.
“Politikanët”, Qeveritarët duhet të njohin politikën dhe variacionet e saj. Politikën e jashtme e të brendshme, politikën ekonomike si koncepte dhe mandej implementimin e tyre. Një dukuri e tillë nuk është e sotmja. Ky vorbull ka shoqëruar të gjitha Qeveritë nga ’97-a e deri më sot. Publiku vazhdimisht ka pritur që ky ose të zgjidhet, ose të ndalet, ose të eliminohet, duke hapur një faqe vërtet të re me politika të vërteta sociale sa më të prekshme, me politika zhvillimore të pakontestueshme dhe shpresëdhënëse. Por nuk ka ndodhur kështu në këto dy dekada e gjysmë. Asnjëra nga Qeveritë nuk e ka lënë dhe nuk e le njëra tjetrën të punojë.
Në raport me atë, që duhet të bëjnë në krye të tyre janë akuzat, të cilat janë marramendëse dhe ky është një sindrom shqiptar, që përsëritin ciklin sa herë që njëra le dhe tjetra merr Pushtetin. Akuzat e palëve sfumojnë njëra tjetrën, mbushin dosje dhe mbulojnë njëra tjetrën. Nuk dua t’i përsërit ato, pasi populli i di dhe i ka dëgjuar të gjitha, do të krijonte vërtet një alergji politike, por po u referohemi këtyre të vitit 2015, që po mbyllet. Debate dhe akuza më monstruoze për njëri tjetrin. Kërkesa për hetime ndërkombëtare për aferat në CEZ, krisje të koalicionit politik, kërkohet një ritëm ndryshe i Qeverisë, por me pak gjasa të ndodhi, krime në familje, aksidente rrugore, akuza për korrupsion në ministri të caktuara, u sinjalizua për destabilizim, por përsëri ata shprehen se gjendja po qetësohet, lufta kundër drogës. Në gjithë këtë situatë të ngarkuar dhe të nderë, do ta quaja, “akuza” vijnë edhe nga institucione ndërkombëtare, nga OSCE të adresuara deri në krerë të lartë të politikës. Përflitet për “aleanca” të reja në zgjedhjet 2017, për të cilat po bëhen përgatitjet, por përflitet edhe për Zgjedhje të Parakohshme?
Nuk do të mjaftonte me kaq, por nga Prokuroria e Vjenës vjen një sinjal tjetër për një qeveritar të lartë për ryshfet 575 mijë euro përmes bankave të Qipros.
Në të njëjtën kohë vazhdon operacioni antiinformalitet dhe puna me Reformën e Madhe në Drejtësi. Në këto kushte edhe drejtësia e ka tepër të vështirë, jo vetëm nga çështjet e mëdha në dosje, por veç korrupsionit, që nuk është tek të gjithë, ekziston, sipas nesh edhe frika. Në Shqipëri edhe të tilla gjëra të shëmtuara kanë ndodhur dhe ende nuk janë zbuluar e gjykuar. Nëse Reforma vërtet do ta shkëputi përfundimisht politikën nga drejtësia mund të besohet për drejtësi. Qeveria harroi premtimin me fillimin nga puna për një program të ri për armët, ato mbeten një rrezik i madh për shoqërinë tonë. Ne po merremi me pasojën dhe jo me shkakun. Në Shqipëri është kërkuar ekspertizë ndërkombëtare, por herë është pranuar dhe herë është injoruar. Mos ndodhtë kështu kësaj radhe. Drejtësia shqiptare, me ekspertë dhe pa ekspertë të huaj, me mbështetjen reale të të dy “kampeve” të hetojë e të gjykojë çështjet më emergjente, më sensible, pasi kështu do të bëjë të mundur të japë një sinjal pozitiv, për një nisje të re, për një ndryshim të madh të opinionit dhe të krijojë besimin e munguar.
Në shoqërinë shqiptare duhet të formohet një mendim i ri: depolitizimi është një “modus vivendi” (rrugëzgjidhja). Flasim e kritikojmë pa masë, deri në urrejtje, por kur vjen çasti vendimtar (vota) përsëri nuk shkëputemi dot. Ashtu si janë të grupuar forcat politike, ashtu është edhe populli votues!
Shoqërisë sonë i mungon nervi i vërtetë demokratik, kultura demokratike është e politizuar, siç është tejet e politizuar Lëvizja Sindikaliste. Ku janë llojet e Sindikatave? Shoqëria jonë dhe politika shqiptare duhet me patjetër të shkarkohet nga këto ngarkesa, pasi janë pengesa serioze në një shoqëri demokratike si e jona. Një vorbull e tillë duhet dalëngadalë të qartësohet e të qetësohet, duke krijuar një bazament, të cilin po tentojmë ta krijojmë, i cili do të mbetet një garanci e madhe për të ardhmen edhe më të mirë, që presin shqiptarët dhe Shqipëria.
Sigal