Damian GJIKNURI/ Milionat e shtetit dhe revokimi i licencave

564
Sigal

Minierat e Bulqizës duhet të dalin në ankand, të interesuarit të investojnë dhe ta pasurojnë këtë fushë

*Ministër i Energjisë dhe Industrisë

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka një rol deçiziv në të gjithë politikat e fushës së energjisë apo ato që mbulon Ministria e Energjisë dhe Industrisë. Kjo, për vetë faktin se ju jeni agjencia e specializuar edhe për promovimin e projekteve të reja por njëkohësisht për mbikëqyrjen, për monitorimin e shumë sektorëve strategjikë dhe deçiziv për ekonominë shqiptare. Dy-tre gjëra të mprehta që ja vlen të preken dhe për të cilat publiku është tashmë i njohur kanë të bëjnë me monitorimin sidomos të kontratave hidrokarbure, ku agjencia ka një rol të pazëvendësueshëm, siç edhe problemin tashmë të njohur nga të gjithë të minierave. Gjatë këtyre muajve është bërë një punë e mirë edhe nga agjencia dhe nga strukturat e tjera të ministrisë. Për herë të parë, një kombinim i tre strukturave, pra pjesa e ministrisë, me agjencinë, me AKBN-në dhe me RISHM-in ushtruan një kontroll të imtë në Bulqizë, ku u morën disa masa të nevojshme dhe një ndërhyrje emergjente, në një zonë ku për shumë vjet nuk ishte vënë dorë nga shteti. Kjo punë nuk ka mbaruar dhe kërkohet nga AKBN-ja që të merren masat edhe për detyrat e lëna nga ai kontroll. Aq më tepër, kur vet kontrolli ka evidentuar që ka nevojë për definimin të qartë, përfundimisht të zonës së rrezikshme në Bulqizë, në atë zonë ku nuk duhet të zhvillohet më aktivitet minerar. Kërkoj që brenda një afati të shkurtër, pas një urdhri të nxjerrë nga unë, të përcaktohet përfundimisht zona e rrezikshme në Bulqizë, në mënyrë që aty të mos zhvillohet më asnjë aktivitet minerar. Të revokohen ato licenca të cilat operojnë në atë zonë. Kjo bëhet për të siguruar jetën e minatorëve, për të siguruar jetën e njerëzve. Nuk e kemi fare me industrinë e kromit, industrinë e kromit duam ta përkrahim. Industria e kromit është shumë e rëndësishme për eksportet e Shqipërisë, për të gjeneruar valutë, por njëkohësisht jeta e minatorëve është po aq e rëndësishme.  Agjencia ka një rol të rëndësishëm këtu. Shpesh herë, në të kaluarën ka pasur lidhje të shkurtra mes subjekteve, shkelës të ligjit, dhe agjencive që duhet t’i monitoronin ato. Fatkeqësisht, kemi konstatuar kompani të cilat punojnë jashtë projekteve të miratuara nga AKBN-ja, do të thotë kompani, të cilat nuk duhet të operojnë më në atë fushë. U bë një punë e mirë këto muaj për evidentimin e subjekteve që nuk kishin paguar garancitë financiare. Besoj se është kompletuar e gjithë lista me subjektet që akoma i detyrohen shtetit, të fillohet menjëherë nga procedurat e revokimit të licencave. Këto miniera, le të dalin në ankand, siç janë rregullat, sipas ligjit, subjekte të interesuara dhe që kanë interes të investojnë dhe ta pasurojnë këtë fushë të vazhdojnë të punojnë. Ne nuk mund të lëmë mënjanë detyrimet që kanë këto kompani ndaj institucioneve shtetërore. Nga ana tjetër, dua të ndalem edhe tek sektori hidrokarbur. Sektori naftës ka marrë një zhvillim në Shqipëri pasi është rritur prodhimi i naftës dhe kjo është për tu përshëndetur. Shqipëria ka pasuri natyrore, ka interes të vazhdueshëm dhe ju jeni në dijeni. Ka interes edhe për fusha të tjera të mbetura. Ministria së bashku me struktura të tjera të qeverisë do të punojë edhe për t’i dhënë një zgjidhje Albpetrol-it në perspektivë. Një punë e mirë, duhet thënë, po bëhet nga Albpetrol-i duke i monitoruar mirë këto kontrata hidrokarbure. Kjo duhet të shoqërohet edhe me një punë edhe më intensive nga ana e agjencisë nga AKBN-ja. Pse?! Sepse e thashë aty keni një rol të jashtëzakonshëm, sepse jeni ju që i monitoroni direkt ato kontrata. Vërtet prodhimi i naftës është rritur, por nga ana tjetër ka edhe pikëpyetje nga publiku se a po merr shteti pjesën e tij dhe kur këto kontrata do të jenë fitimprurëse për shtetin? Kuptohet, të ardhurat në favor të shtetit kanë ardhur duke u rritur, këtë s’duhet ta mohojmë, por nga ana tjetër, ka ardhur momenti që mos miratohen më plane zhvillimi symbyllazi siç e thotë populli, ku kompanitë hidrokarbure paraqesin plane aspak të bazuara dhe pa asnjë logjikë ekonomike mbrapa, çka bën që fitimi i atyre kontratave vazhdimisht të shtyhet në vite. Këtë, ne nuk duhet ta lejojmë dhe i përket punë sonë, një auditimi të imët të të gjithë këtyre kontratave për të përcaktuar qartë se kush janë ato shpenzime reale që lidhen direkt me zhvillimin e sektorit, zhvillimin e fushave të naftës apo të prodhimit të naftës. Ministria, së bashku me ju, po diskuton një rregullore, së bashku edhe me kompanitë hidrokarbure. Jemi në fazat e fundit të përpilimit të kësaj rregullore, ku do të përcaktojmë njëherë e mirë ato norma se çfarë do të njihen si shpenzime, kush do të jetë mënyra e komunikimit dhe si do të mbrohet edhe pasuria në terma afatgjatë. Sepse, ne nuk kërkojmë që nafta thjesht të merret e të ikin dhe të shfrytëzohet për një kohë të shkurtër, por të ketë një zhvillim të qëndrueshëm dhe një ndarje e një përfitim afatgjatë për vendin tonë. Kështu që, roli i agjencisë në këtë drejtim është shumë i rëndësishëm dhe unë them që kjo do të jetë një nga fushat ku këtë vit duhet të përqendrohemi me përparësi. Të shohim se si të ndërtojmë raportet e drejta, të duhura, në bazë të praktikave më të mira, duke qëndruar syçelur ndaj të gjitha pretendimeve që kanë kompanitë, mbi ato plane zhvillimi dhe aty ku këto plane zhvillimi nuk janë të argumentuara mirë, patjetër që interesi shtetit duhet të dominojë. Ne na duhet që edhe kompanitë të zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe shteti të mbrojë interesat e tij. Fatmirësisht, me ndryshimet e reja që ndodhën në ligjin për TVSH-në dhe me akcizën, AKBN-ja do të çlirohet edhe nga një rol që fatkeqësisht i kishte dhënë një nam të keq këtij institucioni, që në vend të merrej me monitorimin e kontratave merrej vetëm me çështje faturash TVSH-je.  Ishte kthyer si një zyrë tatimore e dytë, gjë që krijonte një opinion negativ tek publiku shqiptar. Ka pasur edhe raste konkrete me akuza direkt për naftë gjoja të zhdoganuar dhe të përjashtuar nga TVSH-ja që ka vajtur për operacione hidrokarbure, po ka përfunduar në tregun shqiptar, duke dëmtuar standardet e naftës dhe duke krijuar evazion fiskal. Me ndryshimet e reja, kjo qeveri e mori shumë seriozisht, negociuam edhe me kompanitë, e kuptuam që asnjë dëmtim nuk do t’ju vinte atyre nga futja në skemën e TVSH-së. Përkundrazi, do të mbyllte vrimat për evazion fiskal, do të çlironte AKBN-në nga një rol që nuk duhet ta ketë dhe e përqendron AKBN-në në misionin që ka, të mbikëqyrë siç duhet këto kontrata, të bashkëpunojë për të gjithë elementët, edhe shkencorë, të fushës së hidrokarbureve, të sektorit të hidrokarbureve, në mënyrë që të kemi zhvillim të qëndrueshëm mes edhe sektorit të naftës, por edhe ajo çka do të përfitojë publiku. Këto janë dy sektorë që i shoh prioritet, por pa lënë të tjerët, sepse dhe sektorët e tjerë janë shumë të rëndësishme dhe qeveria po punon në këtë drejtim edhe në sektorin energjetik. Patjetër, ju keni rolin tuaj në mbikëqyrjen e kontratave të HEC-eve, të kontratave koncesionare. Fatkeqësisht, është krijuar një problem i madh me gjendjen e rëndë financiare të sektorit dhe tashmë kjo dihet. Këto investime të reja nuk janë reflektuar drejt tek shpenzimet dhe çështja e balancës së energjisë, planifikimit të burimeve të reja dhe sa mbështetje financiare këto do të kenë, patjetër do të shikohet me prioritet nga Qeveria Shqiptare. Për t’u kthyer tek ajo që thashë, keni një mision historik dhe mbështetja e ministrisë nuk do të mungojë. Jemi duke përgatitur edhe kuadrin e ri ligjor për AKBN-në, në mënyrë që të ketë edhe burime të qëndrueshme financiare për këtë institucion, por edhe një koordinim, mes të gjitha institucioneve të tjera të varësisë të Ministrisë së Energjisë dhe të vetë ministrisë, në mënyrë që të gjitha këto organe në koordinim të plotë të fokusohen aty ku është interesi më i madh, monitorimi siç duhet i burimeve natyrore të këtij vendi. Ky vend, të ardhmen e ka nga investimet e huaja. Shqipëria do të zhvillohet atëherë kur potencialet e saj, burimet e saj t’i vërë në dispozicion në mënyrë transparente me një konkurrencë të hapur, por njëkohësisht duke mbrojtur edhe interesin publik dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të tyre. Në qoftë se do të lejonim vetëm shfrytëzim të shpejtë, fitim të shpejtë, vetëm për pak njerëz dhe duke mos marrë parasysh të ardhmen e brezave tanë do të bëjmë një gabim që askush nuk do të na e falë në të ardhmen.