COVID-19. Njësitë Ekonomike Shqiptare kanë nevojë të rikthehen në jetë

598
Sigal

Nga Rudina Qurku

Pedagoge në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë

Prej një muaji Shqipëria është prekur nga pandemia COVID – 19, pandemi që kishte filluar të gjunjëzonte një pjesë të madhe të botës. Në mbrojtje të jetës së qytetarëve, Qeveria Shqiptare ndërrmori masa drastike mbrojtëse dhe vetë-izoluese në shërbim të mos përhapjese së Pandemisë, situatë e cila u shoqërua me nderprerjen e menjëhershme të punës dhe aktivitetit normal në shumë njësi ekonomike.

Përballë kësaj gjendjeje, ndër masat e para emergjente  u hartua dhe plani i masave financiare i cili ka hyrë në fuqi prej datës 20.03.2020 dhe që ka si qëllim kryesor të tij mbështetjen e sektorit shëndetësor, zbutjen e krizës, mbështetjen e biznesit si dhe ndihmën kundrejt shtresave në nevojë.

Megjithëse ekspertë të ndryshëm të ekonomisë mendojnë se masat e marra nga Qeveria Shqiptare janë një hap i rëndësishem në zbutjen e kësaj situate të pazakontë, edhe në sektorin ekonomik mendoj se mbështetja financiare e deklaruar deri tani duhet të jetë më e gjerë, më e fortë dhe më ambicioze në mënyre që rënia ekonomike të mos jetë agresive dhe fatale, duke çuar kështu në falimentim njësitë e vogla dhe ato të mesme kryesisht.

Edhe pse vendimi i Qeverise është në linjë me atë që po bëjnë të gjitha qeveritë në vendet që janë prekur nga COVID-19 akoma nuk po duket dritë në fund të tunelit për sektorë të rëndësishëm  të ekonomisë sikurse turizmi, transporti, shërbimet apo bizneset fason që përveç faktit që kanë një  numër shumë të lartë punonjësish janë edhe kontribues të rëndësishëm në PPB.

Nuk duhet anashkaluar fakti se kjo situatë po i mbivendoset tashmë dhe dëmeve të jashtëzakonshme të tërmetit në 2019, ku u prekën jo vetëm jetët e njerëzve në vendin tonë por edhe njësitë e ndryshme ekonomike.

Duke qënë të papërgatitur përballë kësaj situate, referuar dhe opinioneve të ndryshme dhënë nga specialistë të fushës, ndoshta ka ardhur momenti i përgatitjes dhe përfshirjes në planin e zhvillimit të biznesit, të një plani masash për raste të ngjashme në të ardhmen që përfshin trajnime vjetore të ndërgjegjësimit, “përzgjedhje” të burimeve të nevojshme të informacionit, dhe zbatimin e teknologjive inovative për komunikim, bashkëpunim  dhe kryerjen e aktivitet operativ (proceset e punës) me punëmarrësit në distancë kur është e mundur. Kjo mund të realizohet nëpërmjet përdorimit të formave të komunikimit në distancë si GoToMyPC LogMeIn për një njësi ekonomike të vogël ose Windows Remote Desktop, Virtual Private Networks, aplikacione cloud për njësitë ekonomike të mesme dhe të mëdha.

Përsa i përket fushës së kontabilitetit, është e vetmja që së paku ka një  përgjigje për situatën dhe mënyrën se si trajtohet situata e jashtëzakonshme nga pikpamja kontabile.

Për të gjitha ato njësi ekonomike që e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre operativ – referuar Ligjit për Shoqëritë Tregëtare dhe Ligjit për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare të ndryshuar, duke qënë se pjesa më e madhe e njësive ekonomike klasifikohen si mikronjësi dhe pjesa tjetër si SME, përgjigjen për trajtimin kontabël të kësaj situate e gjejnë tek SKK1 i cili sqaron se shpenzimet që i përkasin  kësaj periudhe, në varësi të drejtimit mund të klasifikohen si shpenzime të vitit raportues ose si shpenzime për tu shpërndarë në periudhat e ardhshme. Pra drejtuesit e njësive ekonomike duhet të bëjnë përllogaritjet në lidhje me influencën që ka vendimi i tyre në rezultat për të mos e çuar shoqërinë në faliment. Në këto kushte një sqarim do të ishte i nevojshëm për hartuesit e PF. Efektet negative të COVID-19 nuk duhet të rrisin akoma me shumë kostot e njësive ekonomike duke kërkuar konsulencë për hartimin e Pasqyrave Financiare për shkak te humbjeve apo mosdijes së ndërtimit të tyre.

Sipas një vëzhgimi në faqen zyrtare te Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dukshëm shfaqet një parashikim për sektorin publik për ngjarjet e jashtëzakonshme. Udhezimi Nr 8 Dt 9.3.2018 “Për procedurat e përgatitjes, paraqitjes dhe raportimit të pasqyrave financiare vjetore në njësitë e qeverisjes së përgjithshme” citon se: zërat e shpenzimeve, si zëra të jashtëzakonshëm, nuk duhet të paraqiten më vete në zërat e shpenzimit të jashtëzakonshëm (që historikisht janë klasifikuar si “të jashtëzakonshme”), çka e evidentojnë edhe Standardet Kombëtare të Kontabilitetit. Ato duhet të paraqiten brenda kategorisë përkatëse të shpenzimeve sipas natyrës me shpjegimet përkatëse.

Shpenzimet klasifikohen sipas natyrës së tyre ekonomike në:

  • Shpenzime të veprimtarisë së zakonshme
  • Shpenzime të shfrytëzimit
  • Shpenzime financiare
  • Zëra të tjerë shpenzimesh jashtë operacioneve buxhetore
  • Shpenzime të veprimtarisë së jashtëzakonshme

 

Ndërkohë që të ardhurat e jashtëzakonshme përfshijnë të ardhurat nga dëmshpërblimet e fatkeqësive të ndodhura, nga shitja e titujve të pjesëmarrjes, e aktiviteteve, e degëve, sektorëve, nga gabimet e pakonstatuara më parë etj sipas standardeve, ashtu sikurse edhe për shpenzimet, nuk duhet të paraqiten zëra të ardhurash si zëra të jashtëzakonshëm as dhe në shënimet shpjeguese.

Duke e marrë si referencë, mbështetur edhe në legjislacionin në fuqi mendoj se Njësitë Ekonomike të mëdha cilat kanë kapital të akumuluar apo kanë bërë sigurime të biznesit të tyre do e ndjejnë disi më të zbutur këtë situatë të njohjes dhe rregjistrimit të të ardhurave dhe shpenzimeve dhe rrjedhimisht shpenzimet e tyre do të jenë relativisht më të mbulueshme.

Për të gjitha njësitë e tjera që nuk kanë sigurime të biznesit apo forma të tjera mbulimi, shpenzimet e periudhës, pamvarësisht nga aktiviteti operativ shumë i reduktuar do të klasifikohen si korrente dhe duhet të përfshihen në periudhën raportuese.

Për përgatitjen dhe rezultatin e pritshëm të Pasqyrave financiare të vitit 2020.

Pritshmëritë janë të tilla që situata financiare e njësive ekonomike në shumë sektorë të ekonomisë (për aq kohë sa nuk dimë se sa do të zgjasë) do të jetë shumë e dobët dhe si e tillë do të pasqyrohet edhe në Pasqyrat Finanaciare si dhe shënimet shpjeguese të tyre për vitin raportues. Me besimin se paketa e ndihmës financiare do të jetë në vazhdim më e gjerë dhe do të prekë më shumë sektorë, ajo do të amortizojë dhe shpëtojë nga falimenti shumë njësi ekonomike. Nga pikpamja kontabile financimi shtetëror (nëse vjen në vazhdim të masave nga qeveria) do trajtohet si “e ardhur e jashtëzakonshme” por do të paraqitet brenda kategorisë përkatëse të të ardhurave sipas natyrë,  si dhe shpenzimet me sipër.

Efektet e pasqyrimit kontabël të situatës (në kushtet e udhëzimeve aktuale) tek detyrimet tatimore.

Vetëm për muajin mars, të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë krijuar një gropë prej 73 milion Euro në buxhetin e shtetit për shkak të tkurrjes së tregtisë dhe bllokimit të shumë aktiviteteve ekonomike, çka tregon se efekti i mospagimit të detyrimeve tatmore nga ana e njësive ekonomike do të thellohet më tej nëse nuk kalohet ne Planin B apo C dhe të rihapjes graduale të ekonomisë. Sygjerimet mund të jenë gjithëpërfshirëse por mbetem e rezervuar deri në shpalljen e masave të reja mbështetëse nga ana e Qeverisë Shqipëtare.

Kreditimi me garanci qeveritare për pagat zgjidhje apo zgjedhje

Kredia e çfarëdo forme qoftë është barrë shtesë për biznesin në terësi në çdo kohë të aktivitetit të tij ekonomik. Mundësia e kreditimit me garanci është deri diku e vlefshme për cilëndo njësi ekonomike e cila ka pritshmëritë e nevojshme për të shlyer kredinë pa komplikuar financat e
mëvonshme të saj. Por, nëse njësitë ekonomike kanë tashmë kredi aktive kjo mbështetje mund të komplikojë akoma më shumë pozitën e saj duke rrezikuar të shkojë drejt falimentit si pasojë e mungesës së të ardhurave të pritshme, mungesës së likujditeti dhe pasigurisë në klimën e biznesit.
Mbetet për t’u vërtetuar nëse njësitë ekonomike të cilat nuk kanë funksionuar/zhvilluar aktivitet për arsye të masave të marra nga Qeveria do të jenë në gjendje të paguajnë detyrimet kontraktuale për më shumë se një muaj, efekt i cili do të japë ndikimin e tij edhe në Bankat e Nivelit të Dytë, jo vetëm nga Njësitë Ekonomike por edhe nga të gjithë punëmarrësit të cilët nuk do të kenë mundësi të likujdojnë detyrimet e tyre ndaj institucioneve të kredisë. Praktikisht për pjesën dërrmuese të njësive ekonomike që operojnë në tregun vendas, nuk do jetë një opsion i vlefshëm dhe nuk do të merret në konsideratë nga ana e tyre.

Zgjerimi i fushës së  mbulimit me kredi me garanci shtetërore

Nëse norma e interesit nëpërmjet politikave monetare ulet deri në nivelin e Euro Libor, kredia mund të ishte shpëtim dhe do të ndihmonte në ringritje për ato njësi ekonomike qe kane riskun shumë të ulët. Ekzistojnë shumë njësi ekonomike të madhësive të ndryshme të cilat do kishin dhe kanë më shumë nevojë për kredi krahasuar me njësitë ekonomike të cilat priten të mbulohen
nga paketa e parë e ndihmës financiare. Sipas parashikimeve, me shumë gjasa  njësitë ekonomike të targetuara nga paketa e parë e ndihmës financiare që më tepër duket si një paketë me karakter social, nuk do të aplikojnë për kredi por kjo mund të ishte e vlefshme për SME-të dhe njësitë ekonomike të konsideruara të mëdha për shkak të qarkullimit vjetor, por me rentabilitet të ulët.

Kontabilizimi i “pagave të luftës “

“Paga e luftës” për momentin është e vetmja ndihmë dhe masë konkrete e vënë në jetë nga Qeveria për të gjitha njësitë ekonomike që kanë ndërprerë aktivitetin dhe që kanë realizuar qarkullim vjetor per vitin 2019 deri në 14.000.000 All. Për sa kohë kjo pagë kalon direkt në llogarinë e punëmarrësve, njësitë ekonomike në rastin më të, mirë kontabilizojnë vetëm pjesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në rast të kundërt njësia ekonomike nuk pasqyron dhe rregjistron asgjë në kontabilitetin e saj.

Në lidhje me mbështetjen e njësive ekonomike  dhe zgjerimin e sektorëve të ekonomisë në planet financiare në vazhdim të Qeverisë (gjithmonë në varësi të kohëzgjatjes së Korona situatës) , mendoj që masat e mëposhtme do të ndihmonin njësite ekonomike që të furnizonin me  oksigjen dhe te rikthenin në jetë biznesiet e tyre  :

.Ristrukturimi apo pagesa me këste e detyrimeve tatimore dhe taksave vendore të gjeneruar gjatë kësaj situate dhe deri në rimëkembje

.Rishikim i Buxhetit 2020 dhe alokimi i shpenzimeve jo-imediate në mbështetje të biznesit

.Zgjerimi i masave të mbështetjes financiare edhe në sektorët e turizmit, transportit, shërbimit etj.

.Rishikimi i Planit të Rindërtimit

.Masa lehtësuese dhe mbështetje ndaj fermerëve duke stimuluar konsumin e produkteve dhe shërbimeve vendase.

.Politika monetare për administrimin e kushteve monetare të ekonomisë: ofertës monetare, normave të interesit dhe kursit të këmbimit, në funksion të realizimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve, në periudhën afatmesëm dhe afatgjatë.