Çlirim Hoxha/Tragjeditë e Vlorës kanë shpëtuar sa herë kombin…

500
Sigal

Vlora ka dhënë përherë mesazhe bashkimi për kombin shqiptar, parë kjo në dritën e një analize historike. Shumëkush e ka parë Vlorën si pengesë për përçarjen e shqiptarëve, si një barrikadë të pakapërcyeshme për pushtimin e Shqipërisë, si një bastion patriotik për mbrojtjen e tërësisë tokësore të shqiptarëve, si një kockë të fortë që u mbetet në fyt synimeve djallëzore të armiqve të këtij kombi, qofshin këta të huaj apo shqiptar. Historia e Vlorës si qytet dhe i vlonjateve si qytetar, apo i gjithë Labërisë si një tërësi vlerash patriotike të patjetërsueshme është e shkëlqyer. Vlora ka qenë përherë epiqendra e tërmetit patriotik që ka frymëzuar mbarë shqiptarët në shekuj. Por askush nuk e di, apo nuk e shkon nëpër mend rolin e madh që luajti Vlora në ngjarjet e vitit 1997. Në ato vite jo pa qëllim Vlora ishte bërë kryeqyteti i skemave piramidale, gjë që u interesonte qarqeve antishqiptare për të realizuar qëllimet e tyre të mbrapshta. Duke i tërhequr shqiptarët në një jetë mirëqenie informale, i largoje ata nga të tjera çështje që preokuponin kombin në tërësi në dekadën e parë të viteve 90, jo shumë vite nga përmbysja e madhe e sistemit komunist si në të gjithë Evropën lindore. Duke i mashtruar shqiptarët me lojën e fajdeve me interesa marramendëse, mund ti sundoje ata kollaj, po ta krahasoje gjendjen ekonomike të atyre viteve me atë të para viteve 90. Berisha fillimisht fitoi pikë me fajdet pasi i mbrojti ato për disa vite për qëllimet e tij të mbajtjes sa më gjatë të pushtetit. Madje, në ato vite dëgjonim edhe një këngë të vjetër: “Sa të jetë Sali (Lala) Gjoni hani, pini dhe këndoni…” Por firmat piramidale u shembën dhe njerëzit të dëshpëruar nisën të këndonin ndryshe: “ Kur të vdes Sali (Lala) Gjoni merrni trastën e kërkoni, e mbuloni me bujazhga, ja lini t…. përjashta…”. Pati nga ata, sidomos ithtarë të Sali Berishës që thërrisnin: “Ku je Sali bollëku”, “në kohën e fajdeve shkelej banania me këmbë” etj budallallëqe si këto. Ata nuk e kuptonin që në skemat piramidale hanim nga parat e njëri-tjetrit.

Problemi që dua të trajtojë në këtë opinion nuk është ky, por Vlora dhe tragjedia e saj e vitit 1997. Ndërkohë, në Kosovë ishte krijuar UÇK-ja, e cila kishte nevoja të ngutshme për armë, përballë makinës fashiste të Sllobodan Millosheviçit. Duhej gjetur një shkak për armatosjen e UÇK-së, por shteti shqiptar i asaj kohe kishte frikë ta bënte këtë, pasi nuk e lejonte agjentura serbe që dominonte në politikën shqiptare. Deri në atë kohë politika qeverisëse në Shqipëri ishte shumë kaotike në qëndrimet e saja dhe kishte ndërmarrë hapa të gabuara dhe të qëllimshme, kundër interesave kombëtare të shqiptarëve në Ballkan, siç ishte thyerja me qëllim e embargos së naftës kundër makinës ushtarake të kasapit Millosheviç. Ky kasap me ardhjen e tij në pushtet instaloi në Kosovë aparteidin, çka bëri që shqiptarët e Kosovës të përjetonin një tjetër epokë të errët në jetën e tyre, atë të kufizimit të plotë të lirive dhe të drejtave të tyre  kombëtare. Nacionalizmi ekstrem serb e shihte Sllobodan Milosheviçin si yllin e ri të idealeve të tyre shoviniste ndaj shqiptarëve të Kosovës në veçanti dhe të shqiptarëve në përgjithësi, mbështetur kjo nga Akademia nacionaliste serbe dhe kleri ortodokso-fanatiko-nacionalist. Të mos harrojmë fundin e viteve 80 kur në ish Jugosllavi erdhi në pushtet Millosheviçi dhe thirrjet e ekstremit nacionalist kundër Shqipërisë. Thirrje të tilla si; “Ec përpara Sllobodan, po qe nevoja gjer në Tiranë”, nuk kanë nevojë për komente. Kësaj parulle atëherë, një punëtor i quajtur Mersin Zeneli gjatë një mbledhje kolektivi, do ti kthente këtë përgjigje: “Hajde, hajde Sllobodan, do vish mish do të kthejmë sallam”. Në këto kushte, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova gjendej në udhëkryqet e historisë. Lindja e  lëvizjes guerile në Kosovë ishte një domosdoshmëri, por krijimi i formacioneve ilegale të armatosura mbetej një imperativë i kohës. Situatat krijuan mundësinë e daljes publike të një formacioni ushtarak të quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës me Adem Jasharin e të tjerë heronj shqiptar të Kosovës. Kush mund ta njihte këtë formacion në ato momente dhe sa i besueshëm ishte ai për ndërkombëtarët. Shumëkush e quajti UÇK-në organizatë terroriste, madje edhe brenda politikës shqiptare qeverisëse të kohës. Por koha ishte e limituar për të vazhduar me politikën gandiste, që Ibrahim Rugova po përdorte prej disa vjetësh. Shtetet e tjera brenda ish Jugosllavisë kishin çarë ferrën dhe kishin fituar pavarësinë, paçka se iu desh të derdhnin gjak me luftë. Në këto kushte duhej shfrytëzuar çdo mundësi për armatosjen e UÇK-së dhe historia thirri në skenë Vlorën. Hapja e depove të armëve të ushtrisë ndodhi në Vlorë në 28 shkurt 1997, atë natë kur shteti përmes shërbimeve të inteligjencës u përplas me popullin dhe ku mbetën të vrarë nga të dyja palët, fatkeqësisht shqiptar nga soji ynë. Këtu nisi udhën tragjedia e Vlorës që u përhap në të gjithë vendin, ku shteti u shpërbë dhe kaosi mbuloi Shqipërinë. Në këto kushte, kur plumbat qorr vrisnin jetë të pafajshme dhe rrugaçëria krijoi banda të armatosura, me mijëra armë udhëtuan drejtë Kosovës në duart e UÇK-së. Askush nuk mund ta furnizonte me armë UÇK-në në ato momente të vështira, veç Shqipërisë dhe kaosit të saj, gjë që justifikonte situatën. Vlora si gjithmonë në udhëkryqet e historisë do të ishte shkaku vendimtar i kësaj armatosje, pasi dashje-padashje organizoi hapjen e depove të ushtrisë, zinxhiri i të cilës u përhap anë e këndë Shqipërisë. Vlora e pagoi shtrenjtë me rreth 400 të vrarë dhe rreth 2000 të plagosur atë vit të ‘97-ës, pa llogaritur pasojat e mëtejshme në vitet që pasuan. Por kontributi i Vlorës në zgjidhjen e çështjes kombëtare, siç ishte armatosja e UÇK-së do të mbetet i paharruar në jetë të jetëve, gjë që duhet thënë hapur dhe qartë. Vlora labe me shpirtin rrebesh di të sakrifikohet përherë për çështjen kombëtare dhe di të ndez patriotizëm të pastër në çdo zemër shqiptari anë e këndë botës. A nuk e ndezi Vlora patriotizmin më 28 nëntor 2012 në 100 vjetorin e pavarësisë? E ndezi që ç’ke më të, kur mblodhi nga gjithë bota në rrugët dhe sheshet e saj rreth 1 milion shqiptar të dehur nga patriotizmi dhe flamuri kuq e zi. Të gjithëve na kujtohet viti 1999 gjatë luftës që NATO nga qielli dhe UÇK nga toka bënë për çlirimin e Kosovës dhe kur kasapi i Ballkanit Millosheviç po bënte pastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës në sytë e mbarë botës. Sa herë gratë e Vlorës shkuan në Pallatin e Sportit “Flamurtari” me bukë dhe ushqime për vëllezërit kosovar, pa pyetur për mijëra shqiptar të tjerë nga Kosova të shpërndarë kudo në shtëpitë e vlonjateve, ashtu si në mbarë Shqipërinë. Ky solidaritet kombëtar ishte solidaritet gjaku dhe shpirti ndaj pjesës tjetër të kombit që lëngonte. Por, me gjithë këto akte madhore të Vlorës dhe popullit të saj patriotik, Vlora është lënë në harresën e viteve, ndoshta në pritje të ndonjë tragjedie tjetër?! E kam fjalën për këtë Qeveri dhe për këtë Kryeministër, të cilët u mbuluan me turp në 100 vjetorin e pavarësisë, kur dhanë vetëm 39 milion lekë në muajin tetor dhe vetëm kaq?! Vlora nuk meriton këtë përçmim dhe këtë indiferentizëm dhe nuk pranon lojëra nacionaliste si ajo e 4 dhjetorit 2012 në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë. Vlora duhet të ishte sot, pas 22 vjetësh demokraci një qytet si ato të Singaporit për nga arkitektura në brigjet e Adriatikut, rrugë që mund t’ia hapnin vetëm njerëzit vizionar. Vlora duhet të ishte një zonë e lirë ekonomike, ku zhvillimi i saj të pasqyrohej në mbarë vendin, por Vlora për shkaqe biologjike të politikanëve që e drejtuan këtë shtet në këto 22 vjet, mbeti një qytet me një situatë ekonomike të vështirë, me një papunësia galoponte, me një biznes në grahmat e fundit të shpirtit, me një turizëm të cunguar vetëm në dy muajt korrik-gusht dhe vetëm kaq?! Vetëm puna e Bashkisë së Vlorës është e dukshme në këto vite, pa mbështetjen e Qeverisë shqiptare. Për të gjitha këto arsye Vlora po pret me padurim ekipin kombëtar që Edi Rama po formaton çdo ditë e më tepër, për të realizuar atë Rilindje Shqiptare që po trumbeton në çdo kënd të Shqipërisë ku shkon. Askush nuk e kupton se zhvillimi i shpejtë i Vlorës do të ishte zhvillimi i shpejtë ekonomik i Shqipërisë për shumë e shumë arsye. Vlora është porta me e afërt e Shqipërisë me perëndimin dhe Mesdheun dhe si e tillë duhet të shihet nga qeveria e nesërme socialiste si prioritet i prioriteteve. Që nga Vlora duhet të nisi Rilindja Shqiptare e Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, pasi qeveria në ikje e Sali Berishës e ka zhgënjyer keq Vlorën dhe vlonjatët.