Çlirim HOXHA/Rilindja fitonte e vetme në zgjedhjet e 23 Qershorit, por frika ruan të zotin

243

Të gjithë socialistët shqiptarë, të gjithë simpatizantët e kësaj partie, të gjithë aleatët veteranë të socialistëve, të gjithë të papunët, të pastrehët, të zhgënjyerit, të mashtruarit nga radhët e PD-së, kishin fiksuar në kokat e tyre se, PS do t’i fitonte padiskutim dhe thellë zgjedhjet e 23 Qershorit 2013. Pas 8 vjetësh në pushtet dhe zhgënjimit që ngjalli PD dhe Sali Berisha në qeverisje, pas gjithë atyre bëmave kriminale të Qeverisë së Sali Berishës, të cilat kulmuan me Gërdecin dhe 21 janarin, pas denoncimit të korrupsionit qeveritar, i cili kulmoi me bllokun e Metës me zë dhe figurë dhe pas asaj fushate paraprake të Edi Ramës “Për Një Rilindje Shqiptare” dhe jehonës dhe optimizmit që ajo krijoi në radhët e shqiptarëve, të gjithë u bindën se opozita do t’i fitojë në mënyrë spektakolare zgjedhjet e 23 Qershorit. Dhe me të vërtetë ishte krijuar një atmosferë inkandeshente mes shqiptarëve, të cilët kanë vite që presin ndryshimin, presin rrotacionin, presin Rilindjen e Edi Ramës për të shpëtuar nga mjerimi dhe shpresa e humbur. Të gjithë socialistët dhe simpatizantët e tyre kishin krijuar një bindje fikse, se me ata që u përfolën për korrupsion, me ata që brodhën gjykatave për të mbyllur problemet nuk do të kishte bashkëpunim, të paktën parazgjedhor, pasi në politikë nuk mund të thuash kurrë. Sa për moralin, atë e kanë vrarë në Qafën e Koçiut, siç thuhet në Vlorë. Jo pa qëllim politika është quajtur “kurvë” që nga koha kur u shpik si art i drejtimit të pushtetit. Duke parë situatën që ishte krijuar në Shqipëri nën drejtimin e Sali Berishës, shqiptarët në një masë të madhe po e shikonin Rilindjen e Edi Ramës si shpresën e vetme për të ndryshuar gjërat dhe kishin vendosur (parë kjo nga reagimet në rrjetet sociale dhe në teren) se në 23 Qershor do të dilnin pasivisht në votime për të votuar dhe mbështetur projektin e Rilindjes Shqiptare, të cilin Edi Rama po e përhap anë e këndë vendit si manifestin e shpresës dhe fitores së padiskutueshme. Qeverisja e ngjizur nga interesi midis Berishës dhe Metës është shkërmoqur keq në fund të këtij mandati dhe anija e dështimeve ka marrë ujë dhe po fundoset. Pikërisht, për këtë arsye, i zgjuari dhe dinaku Ilir Meta nxitoi ta lëshonte këtë anije, ende pa u mbytur plotësisht dhe për t’iu vardisur korçerës së re të Rilindjes, përmes të cilës rehabiliton fuqishëm imazhin e nëpërkëmbur dhe i siguron partisë së tij socialiste, pra LSI-së, një pozitë komode dhe me shumë bereqet. Rama nga ana e tij humbet shumë pikë nga kjo marrëveshje dhe ftesë që lëshoi mes shqiptarëve drejtë LSI-së, si një rrufe në qiell të pastër, siç thuhet rëndom. Në fakt, politikanët e dinë mirë se ku u pikon çatia dhe marrin përsipër kosto të rënda, madje, thënie të tilla si: “Bëj aleancë edhe me djallin vetëm të rrëzojë kryedjallin” duket se, funksionon në politikë, prandaj shqiptarë mos u çudisni fare, duhet të mësoheni me të tilla akrobaci, të cilat bëhen ndonjëherë edhe për shkak të sigurisë maksimale dhe frikës nga kurthet dhe komplotet elektorale. Megjithatë, me atë ç’kemi parë e dëgjuar, Opozita e bashkuar i fitonte bindshëm zgjedhjet e 23 Qershorit pa ndihmën e askujt tjetër. Ajo që mund të afrohej dhe bashkëngjitej opozitës do të ishte Aleanca Kuq e Zi, e cila deri tani e ka treguar veten si një forcë atdhedashëse, patriotike dhe serioze, por e paprovuar në një betejë elektorale. Duhet thënë se, prostitucioni si profesion dihet nga të gjithë që është më i vjetri që kur njeriu i parë vuri këmbët në këtë planet 587 mijë vjet më parë dhe vazhdon të quhet i tillë edhe sot e kësaj dite. Duke qenë se pas  prostitucionit si profesioni më i vjetër vjen politika, të gjithë duhet ta marrin me mend afërsinë e të parit me të dytin dhe ndikimin e madh që ata kanë ndaj njëri-tjetrit. Kështu që gjërat dhe surprizat duhen marrë me gjakftohtësi dhe pa dhimbje koke. Në fakt shumë socialistë dhe aleatë të tyre janë bërë me dhimbje koke këto dy-tre ditë dhe nuk ka aspirinë apo eudorlinë që tua heq këtë dhimbje që u shkaktoi Rama me surprizën e tij. Edhe vet Rama është i vetëdijshëm me këtë hap të rrezikshëm që po hedh drejtë aleancës më të përfolur politike përpara zgjedhjeve, por duket se e ka ndarë mendjen dhe do marrë përsipër përballimin e kostove. Në rrjetet sociale ka dy ditë e tre net që valët e reagimeve dhe kundërshtimeve po shkaktojnë tërmet, cunam, tornado mes shqiptarëve. Shumë socialistë dhe aleatë, apo simpatizantë kanë mbetur të zhgënjyer, por politika e tillë është. Mund të ndryshoi qëndrim në sekondat e fundit dhe t’i lerë me gojë hapur të gjithë ndjekësit fanatik apo të baraslarguar. Rama duhet të dal urgjentisht në bazë e kudo, ku të mundet dhe të sqaroi situatën, të bind anëtarësinë dhe simpatizantët për këtë lëvizje të papritur, ndryshe flakja e bumerangut në ajër nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të godas në kokë autorin. Janë njëmijë e një arsye që Rama të mos e bënte këtë ftesë për koalicion me LSI-në, por janë gjithashtu edhe njëmijë e një arsye se përse duhej ta bënte këtë lëvizje apo kthesë të menjëhershme. Duket, Ramës nuk i dalin mirë llogarit në komisionet e qendrave të votimit, dhe ata zonal, pasi është në minorancë. Ftesa ndaj LSI-së ndershmërisht është pamoralshme, por politikisht e domosdoshme. Dihet që Sali Berisha i vodhi dhe manipuloi zgjedhjet e 2009-s, pa folur për Bashkinë e Tiranës në 2011-n. Duke qenë në fund të mandatit të dytë dhe duke qenë një dashnor i zjarrtë pushtetesh, Sali Berisha nuk ka çfarë humbet më dhe do të luajë të gjithë skenarët për të mbajtur pushtetin. Ai di të kërcënojë me telefon në vesh, ashtu siç bëri me Ristanin për Bashkinë e Tiranës dhe rezultatin e saj. Ai di të paguajë kesh për blerjen e votave. Ai di të nxjerrë nga burgu kriminelë për shantazh në qendrat e votimit, sidomos ato rurale dhe periferike. Ai di të sfidojë ndërkombëtarët dhe të mos pjerdhi për raportet e tyre të progresit. Dihet se për pushtet Berisha shet edhe vendin e varrit, por frika e Berishës pas humbjes është gjykimi i tij dhe për këtë gjë Berisha kërkon te ketë nesër një garanci mes atyre që do vijnë në pushtet. A do ta tolerojë drejtësia e reformuar nesër Berishën për zullumet që ka bërë me pushtetin, këtë askush nuk e di. Nëse Berisha del pa lagur pas 23 Qershorit, mund të themi pa frikë se në këtë vend sundon mafia dhe jo ligji dhe shteti i së drejtës. Eksperienca të ngjashme për mosndëshkim sipas ligjit ka sa të duash në këtë vend. Kujtojmë vitin e mbrapsht ‘97 me rreth 2000 të vrarë dhe rreth 10 000 të plagosur dhe shkatërrimin e ushtrisë dhe policisë dhe faturën nuk e pagoi askush, kryesisht shkaktari?! Për të gjithë këto, shqiptarët janë të tronditur dhe nuk i përtypin dot kthesat e menjëhershme, të cilat të nxjerrin nga rruga. Askush brenda opozitës dhe kryesisë së PS-së të mos mendojë se e ka me vete monopolin e së vërtetës, qoftë ky edhe kryetari. Një vendim kolegjial do të ishte më i vlefshëm se një kokëfortësi për të realizuar atë që mendon ti se është e drejtë. Vendimi kolegjial mbahet nga të gjithë mbi shpinë në rast dështimi apo suksesi, kurse vendimi individual, apo vendimi në minorancë tregon autoritarizëm dhe mendjemadhësi. Është meraku që na çon në këto konkluzione, por do të ishte krim ndaj shqiptarëve që vendi të qëndroi akoma në duart e Berishës, prandaj Edi Rama po merr me vete koston e një aleance të ndotur për shkak të anatemimeve që i ka bërë LSI-së dhe kreut të saj, por të sigurt për ta përzënë në shtëpi mbretin e së keqes dhe për t’i hapur rrugën ndryshimit dhe zhvillimit të vendit. Rama ishte ai që denoncoi skandalin me Metën dhe ftoi rreth 200 000 shqiptar në demonstratën e 21 janarit, ku mbetën të vrarë 4 protestues, por Rama di të respektojë shtetin dhe institucionet prandaj heshti kur gjykata e nxori të larë Ilir Metën. Çfarë duhet t’i thuhet familjarëve të 4 të vrarëve të 21 Janarit, këtë e di Rama dhe ndoshta e ka menduar një justifikim, por ato që kanë ndodhur me jetë njerëzish dhe shitje të pasurisë kombëtare duhet të dalin në dritën e diellit përpara drejtësisë. Shqiptarët kërkojnë ndryshim përmes Rilindjes që po prezanton Edi Rama, por kërkojnë edhe shpagim për ngjarjet e rënda me përgjegjës qeverinë dhe kryeministrin. Aleanca PS-LSI padyshim që garanton një fitore të sigurt në 23 Qershor, por mbart me vete edhe shumë pikëpyetje pas zgjedhjeve kur forcat politike të shikojnë se ku janë me numrin e votave dhe vendeve ne Parlament. Duam, s’duam ky është realiteti në Shqipërinë e sotme, realitet që helmon moralin e një shoqërie të tërë, por që edhe kjo është një metodë që siguron pushtet me më pak moral, por me më shumë besim se gjërat do të ndryshojnë për mirë në këtë vend të varfër, ku papunësia dhe kriza janë ulur këmbëkryq në jetën e çdo familje. Socialistët duhet t’u imponohen aleatëve të tyre të koalicionit me rregulla dhe ligje që e çojnë përpara Shqipërinë dhe e nxjerrin nga bataku popullin e vuajtur dhe të palumtur shqiptar.