Çlirim HOXHA/Berishës nuk i dalin mirë llogarit, kërkon votat e 16 vjeçarëve

602
Sigal

Kur Adolf Hitleri dhe Gjermania naziste po shkonin drejtë humbjes përfundimtare të Luftës së dytë Botërore, kur numri i ushtarëve në front ishte zvogëluar dukshëm, e vetmja zgjidhje urgjente ishte mobilizimi i të gjithë adoleshentëve deri në moshën 14 vjeçare. Të gjithë kemi përpara syve ato pamje filmike të atyre çasteve, kur Fyreri nazist takonte ushtarët 14 vjeçar të rreshtuar për nder të tij. Pra, desha të them se, kur diktatorëve u vjen fundi i pushtetit, kur forcat e tyre në front pakësohen, kur opozita dhe aleancat e reja bëjnë presion dukshëm mbi mazhorancën përmes numrit në rritje të votuesve, atëherë nuk  mbetet më shpëtim.

Nuk e di përse deklarimet e fundit të Kryeministrit Berisha më sollën ndër mend të gjitha ato që shkruajta më lartë?! Kuptova menjëherë që Berishës nuk i kanë dalë llogaritë e votave të 23 janarit pozitivisht, pra në favor të tij dhe ka kohë që po mendon, po sajon dhe po zhvillon ide dhe praktika të reja “moderne”, që t’ia fus opozitës dhe ta josh në këtë ndërmarrje të çmendur dhe me nuanca patriotike-elektorale. Pra, Berisha tha se, 16 vjeçarët nuk duhen vetëm për të mbajtur pushkët, sipas traditës, por edhe votat për Berishën, ishte thelbi i qëllimit?! Kjo na tregoi se Berisha nuk i ka punët mirë me zgjedhjet e 23 qershorit dhe po shpik natë e ditë teori dhe joshje të reja. Llogaritë që ka bërë për zgjedhjet e 23 qershorit i dalin keq e mos më keq. Nuk e mban dot pushtetin, as me forcat e veta, jo se jo, por as me aleatët strategjik, apo ata të çastit dhe interesit. Kjo gjë e ka frikësuar shumë Berishën dhe së fundmi na hodhi në atmosferën mediatike dhe politike një “xhevahir” të gjetur tek mendjet diabolike. Berisha kërkon të josh opozitën me futjen në vallen e zgjedhjeve edhe të adoleshentëve 16 vjeçar, pra të nxënësve të shkollave të mesme që Berisha mund t’i detyrojë përmes presionit të mësuesve dhe drejtorëve vasal të shkollave. Se sa do t’ia arrinte këtij qëllimi, është e sigurt që do të dështonte, pasi nxënësit kanë nga prapa familjet dhe nuk mund të bëhen vegla qorre në duart e pushtetit të Berishës. Megjithatë, shpresa vdes e fundit dhe Berisha në këto çaste dramatike të fundit të pushtetit të tij, po tenton ta turbullojë situatën me shpikje të tilla, me propozime dhe joshje. Kujton se ka përpara një tufë budallenjsh dhe do t’i manipulojë dhe mashtrojë?! Ky është fundi politik i pushtetit të tij të korruptuar. Berisha ka kohë që po tregohet agresiv përballë opozitës, si ngaherë. Ai nuk i bëri dot numrat për të qeverisur i vetëm në zgjedhjet e 2009-ës dhe ftoi LSI-në t’i bashkëngjitej formimit të qeverisë së tij. Berisha synon që ta përsërisë përsëri këtë aleancë me LSI-në dhe nëse do t’ia arrinte të fitonte qeverisjen e vendit për të tretën herë radhazi, gjë që ka pak gjasa të ndodh, me siguri që nuk do të ishte më kryeministër. Ilir Meta do t’ia vinte si kusht qysh në fillim dhe do të kërkonte të ishte ai kryeministër, duke ja vënë Berishës të dyja këmbët në një këpucë. Berisha nuk do kishte asnjë alternative tjetër dhe, ose do ta pranonte, ose do ta dorëzonte tek opozita pushtetin. Por këto janë ëndrra në diell, kur dihet mirë se pakënaqësitë që janë akumuluar gjatë këtyre 8 viteve të qeverisjes së Berishës dhe demokratëve, do ta përmbysin keq situatën zgjedhore në 23 qershor në favor të opozitës shqiptare të Edi Ramës. Propozimi i fundit i Berishës për të përfshirë edhe 16 vjeçarët në të drejtën për të votuar, është sa i vonuar aq edhe i djallëzuar dhe nuk pi ujë. Duket sheshit që opozita shqiptare ka marrë frenat e lojës në dorë dhe po shkon e sigurt, por jo euforike, drejtë 23 qershorit. Janë një sërë shkaqesh që do ta bënin opozitën fituese të zgjedhjeve politike të 23 qershorit. Brenda 4 vjeçarit të dytë të qeverisjes, mazhoranca e drejtuar nga Sali Berisha ka pësuar disa dështime dhe diskreditime publike dhe botërore. Gërdeci me 26 të vrarë të pafajshëm që nxirrnin bukën e gojës mes barotit të korrupsionit shtetëror. 21 janari 2011 me 4 të vrarët në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që Rama pas ardhjes në pushtet në 23 qershor, duhet t’i shpallë ata Dëshmorë të Atdheut. Nuk mund të shpallen dëshmorë të Atdheut vetëm ata që janë pjesë e strukturave shtetërore, por edhe ata që vriten pa të drejtë nga strukturat shtetërore, në mes të ditës, në bulevard dhe përpara syve të gjithë botës. Qeverisja e Berishës ka marrë kum tek bova, thuhet në Vlorë, pra është mbytur në llumin e krimit dhe korrupsionit. Rreth 1 milion të papunë për shkak të shkatërrimit të gjithçkaje të ndërtuar në 50 vjet të regjimit komunist, përmes teorisë famëkeqe, “ta fillojmë nga kuota zero”, zeroi gjithë ekonomitë e familjeve shqiptare duke i lenë të gjithë të papunë. Berisha nuk mund të fshihet pas rrugëve nacionale, të ashtuquajtura autostrada, ndërkohë që të gjithë rrugët e tjera janë copë-copë. Kujt i bie rasti të kalojë sot në segmentin rrugor Levan-Fier apo Fier-Levan, ka borxh të braktis makinën dhe t’ia mbathë në këmbë. Kjo është situata e rrugëve në këtë vend, situatë që është përcjellë me qindra viktima nga aksidentet rrugore në të gjitha akset e këtyre të ashtuquajturave autostrada të vdekjes. Por ka shumë e shumë mëkate qeverisja e sotme e Berishës, ndaj 23 qershori është i vështirë për tu mbajtur. Edhe sikur opozita të gënjehet dhe të pranojë votën e 16 vjeçarëve, qofshin këta të ardhur edhe nga Kosova, përsëri Berisha nuk i fiton dot zgjedhjet e 23 qershorit. Këtë nuk e them unë se kështu më pëlqen mua, por e thonë analizat dhe sondazhet që gjithkush me këmbë në tokë bën për zhvillimin dhe qeverisjen e këtij vendi në këtë vite. Vërtetë që zgjedhjet e 23 qershorit do t’ia prishnin gjumin çdo politikani në pushtet dhe aq më shumë Berishës, i cili njihet nga gjithë bota si një pushtetdashës i kategorisë superiore. Por këto janë të vërteta dhe nuk ka asnjë ekuivok. Koha përpara 23 qershorit i ka bërë partitë politike të shikojnë ku janë me votuesit e tyre dhe si do t’i ndërtojnë aleancat për këto zgjedhje. Duket fare qartë që Berishës nuk i dalin mirë parashikimet dhe llogarit. PD+PR+PLL+PBKD+LPK+PDK e ndonjë parti tjetër, nuk i japin dot pushtet Berishës me numrin e votave që prodhojnë. Këtu nuk përfshihet LSI, FRD, PBDNJ e ndonjë tjetër, të cilat po alternojnë strategjitë e përbashkëta për të krijuar një pol të tretë. E vetmja aleancë që do të prodhojë pushtet në 23 qershor, sipas mendimit tim, do të jetë aleanca PS (PSD+PDS+partitë e tjera të vogla) me AK (Aleanca Kuq e Zi) të Kreshnik Spahiut. Unë mendojë se kjo aleancë do të jetë më e fuqishme dhe garant i një qeverisje të sigurt. Kaq e përçarë është skena politike në Shqipëri, sa nuk di se kujt t’i besosh dhe kë të marrësh seriozisht nga forcat politike. Mund të them se, kështu si kanë shkuar punët në këto vite, PS mund t’i fitonte e vetme zgjedhjet e 23 qershorit, por formula e votimit me koalicione nuk ja garanton këtë gjë, ashtu siç ndodhi në zgjedhjet e vitit 2009. Sipas informacionit që kemi, PS me organizimin perfekt që po bën, po mbyll çdo shteg abuzimi dhe manipulimi për zgjedhjen e 23 qershorit. Ajo është e vetëdijshme për shtimin e numrit të votuesve që bëri PD në zgjedhjet e vitit 2009 dhe sidomos në zgjedhjet e 8 majit 2011, ndaj ka marrë në konsideratë të gjithë opsionet që shkaktojnë rritjen fiktive të numrit të votuesve nga kundërshtarët. Të gjitha këto shtigje dhe marifete të djegura e kanë bërë Berishën të hedh në tregun politik propozime të reja në favor të mbajtjes së pushtetit në zgjedhjet e 23 qershorit. Gjithkush që e pa dhe dëgjoi u habit?! Kaq lehtë mund ta joshi Berisha opozitën sa t’i marrë ‘ok’ për lejimin e 16 vjeçarëve për të votuar?! Vetëm në Shqipëri dëgjon propozime të tilla, të denja për në vendet e pazhvilluara dhe arsimuara. Berisha ka bërë analizën nëpër shkolla dhe i është dukur se shumica e 16 vjeçarëve janë demokratë të tërbuar?! Me siguri, se ndryshe nuk ka si shpjegohet që ky propozim na vjen tre muaj e gjysmë përpara zgjedhjeve. Nuk e di, por fundi qenka i hidhur dhe i vështirë për një politikan karriere dhe të sprovuar në beteja politike nga më të egrat dhe më antidemokratiket, që kanë ndodhur në 20 vjet në Shqipëri, me shumë pak përjashtime.

Dhe për dreq, ç’mu kujtua Adolf Hitleri përpara 14 vjeçarëve të mbetur si të vetmit forca naziste në tregun e fund-Luftës së Dytë Botërore. Pjekuria e opozitës dhe mësimet që ajo ka nxjerrë nga disa dështime në të kaluarën, nuk mund t’i varin ujkut të vjetër mëlçitë në qafë. Demokracia është një sistem vlerash të pastra që duhet respektuar me rigorozitet dhe fanatizëm, duhen zhvilluar dhe në rastin konkret, duhen rilindur nga e para në Shqipëri. Unë nuk e besoj se 16 vjeçarët e Shqipërisë të gënjehen dhe mashtrohen me koncerte veresie grupesh apo këngëtarësh ardhur nga bota. Nuk e besoj që 16 vjeçarët e Shqipërisë të vihen në rresht si lopët për të votuar bartësit e korrupsionit dhe deformimit të demokracisë në këtë vend. Prandaj politika, le t’i lerë të qetë 16 vjeçarët në adoleshencën e tyre. Ata kanë nevojë të piqen dhe të kuptojnë më mirë demokracinë në këtë vend. Dihet se adoleshentët e sotëm nuk janë si adoleshentët e 20 viteve më parë, por shumë herë më të njomë dhe të parrahur me jetën. Adoleshenca si periudhë e vështirë e rinisë, dihet se kur fillon, por nuk dihet se kur mbaron në Shqipërinë e sotme. Të kërkosh votën e 16 vjeçarëve të sotëm, gjimnazist ose jo, do të thotë se nuk të dalin mirë llogaritë e votave të 23 qershorit dhe kërkon t’i kompensosh?! Nuk e di pse mu kujtuan çastet e fundit të Adolf Hitlerit me 14 vjeçarët. Qofsha i gabuar.