Bedri Çoku: Kriza morale në Shqipëri…

563
Në asnjë vend të botës dhe në asnjë periudhë të historisë njerëzore nuk ka ndodhur që një popull të mos e ketë dënuar të kaluarën e tij, e cila i ka shkaktuar fatkeqësi dhe përçarje kombëtare dhe të mos e ketë lavdëruar historinë e vet, kur ka bërë një hop nga një epokë e prapambetur në një tjetër më të zhvilluar. Është më se e natyrshme të ndodh kështu, kur ai, populli, është i ndërgjegjshëm që, si një trup i vetëm, duhet të kapërcej rreziqet dhe kohërat e vështira të luftërave e të fatkeqësive natyrore. Por edhe t’i gëzojë etapat e një zhvillimi e të një begatie mbarëkombëtare. Ndërsa tek ne kjo histori është ndërprerë qysh kur në vendin tonë hyri me dinakëri dhe përdhunshëm ideologjia më famëkeqe e njerëzimit, diktatura e proletariatit, e cila, duke qenë antikombëtare dhe antishqiptare nga vetë origjina prej nga erdhi, pikë së pari, vrau dhe eliminoi inteligjencien e kultivuar në vendet perëndimore. Për hir të dashurisë për internacionalizmin proletar, shkatërroi çdo ndjenjë atdhetarizmi, duke vrarë e burgosur patriotët apo duke shpallur tradhtarë gati të gjithë poetët dhe shkrimtarët e rilindjes kombëtare, që patën frymëzuar atdhedashurinë dhe dashurinë e shkronjave shqipe. Ndodhi kështu kur Shqipëria u rrethua me tela gjembaç dhe roje të armatosur gjatë tërë kufirit, të cilët qëllonin pa mëshirë cilindo që do tentonte të largohej nga atdheu prej dhunës dhe terrorit komunist, apo për t’i shpëtuar luftës famëkeqe klasore, e cila, nga ashpërsia me të cilën zbatohej, i ndau shqiptarët të armiqësuar deri në atë shkallë, sa babai mohonte të birin, gruaja – burrin, motra – vëllanë, kushëriri-kushëririn, deri në disa breza me radhë. Ashtu siç ndodh në të gjitha rastet e një epidemie, e cila me forcën e saj të lig shkatërron e bënë kërdinë në organizmat frymorë, ku çdonjëri, me këtë rast, përpiqet të mbijetojë edhe duke shkelur mbi kufomat e të afërmve të tij. Jemi të ndërgjegjshëm se, gjysma e dytë e shekullit të kaluar në Shqipëri ose periudha e vetizolimit të Shqipërisë për interesat e udhëheqjes komuniste, ishte koha që solli denigrimin moral dhe ekonomik të popullit tonë. Pra, mund të konsiderohet periudha më “kanceroze” e historisë së popullit shqiptar. Në fazën e shkatërrimit të mureve izolues e të rrëzimit të sistemit monopartiak, kjo “sëmundje lënguese” mund të ishte përmirësuar gradualisht, nëse shtetarët, që e morën përsipër situatën e re, ta kishin menaxhuar pa hile terapinë e përmirësimit fizik e moral të kësaj plage vdekjeprurëse. Ama, në këtë rast udhëheqësit e qeverive pluraliste, mundësisht të mos ishin të shënjuar vetë nga virusi i helmatisur i diktaturës së proletariatit. Kusht, ky, absolutisht i domosdoshëm edhe për ata që e kishin sjellë dhe përhapur këtë sëmundje në popull me dëshirë a me përdhunë. Me patjetër që këta duhet të ishin ndëshkuar ashpërsisht, ose më e pakta të ishin izoluar si njerëz me rrezikshmëri të madhe shoqërore e kombëtare. Fatkeqësisht këto gjëra nuk ndodhën në Shqipëri. Ne jemi sot këtu ku jemi. Moralisht “kancerozë” dhe me precedentin për të infektuar edhe brezat e lindur e që do të lindin pas nesh me virusin e ideologjisë kanceroze-komuniste. Do të ishte ligësi apo mungesë e theksuar morale nëse dënimin e kësaj epoke dhe përligjjen e njerëzve në postet onorifike e vendimmarrëse për vendin, dikur përgjegjës të fatkeqësive, do të “sajdiseshin” ende si të tillë, duke sajuar për të mbrojtur këtë status quo me lloj-lloj hamendësime banale dhe djallëzore, me gjasë se paskan ikur vitet historike të këtyre veprimeve, apo se dokumentet arkivore që vërtetojnë përgjegjësitë e tyre janë zhdukur, e ku ta di unë, vetëm e vetëm që kjo “luftë” morale të mos realizohet kurrë në Shqipëri. Arsyeja është e thjeshtë. Të gjitha ata që pengojnë pastrimin moral të shqiptarëve dhe prosperitetin e vendit, janë vetë ata, të pamoralshmit, të liqtë e këtij kombi, ngase, me këtë rast, me pastrimin moral të historisë balanca do të kalonte me patjetër në anën e patriotëve të ndershëm dhe antikomunistëve. E mora këtë shtysë për të hedhur këto mendime në letër, nga një rast i thjeshtë në dukje, por me domethënie të madhe në emisioni i mëngjesit News 24, të cilin e drejton Bashkim Hoxha, një gazetar tashmë i respektuar në popull, kur dëgjova një vajzë të re, e cila u prezantua sikur fliste nga një qytet i Veriut. Ajo ankohej për qeverisjen aktuale, për gjendjen e keqe ekonomike, për papunësinë dhe largimin e njerëzve nga vatani, si pasojë e fatkeqësive të ndodhura në vitet e mëparshëm, p sh., fatkeqësia e “Gërdecit”, e “ 21 janarit”… Gati mallkonte edhe rrugën e famshme Durrës- Kukës, ndërtimi i së cilës, sipas saj, e kishte varfëruar popullin shqiptar, ngaqë pushtetarët, për ndërtimin e saj kishin vjedhur miliona euro nga taksat e popullit. Madje,madje, idenë e parë për këtë rrugë, thoshte ajo, meritën e kishte Enver Hoxha, siç ia kishte rrëfyer i ati, ku udhëheqësi i madh i popullit tonë, e kishte përmendur i pari ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës, në një nga librat e tij të shumtë , si një vepër strategjike e shpëtimtare për Shqipërinë, por, edhe si një faktor të rëndësishëm, sidomos për t’u bashkuar me Kosovën dhe. me Evropën…(!?) Vini re virusin e ideologjisë komuniste, i cili i ka pushtuar të rinjtë e sotëm, pse ata nuk e kanë njohur atë kohë të zymtë e të trishtuar, por as u ka treguar njeri për të vërtetat e asaj kohe. Me të drejtë ata do ta përfytyrojnë sipas rrëfimeve të prindërve apo gjyshërve të tyre, “idealistë”, të marrosur në atë kohë, për të zbatuar diktaturën e proletariatit dhe mësimet e “çmuara” të diktatorit Enver Hoxha. ( për më shumë nesër në Gazetën Telegraf)
Sigal