Bashkimi i ushtarakëve, në një shoqatë ose në një parti

598
Sigal

(Vijon nga numri kaluar)

Në përfundim, në mënyrë modeste, po ju shpreh disa mendime për hapat që, mendoj se duhen hedhur dhe variantet që duhen provuar në këto zgjedhje. Është  e drejta juaj, që nëse i shihni të dobishme dhe gjeni ndonjë vlerë në to, t’i merrni në konsideratë ose jo.

Së pari: Duke rrafshuar “ndasitë imagjinare”, fitoni sfidën e parë me vetveten, duke u takuar të katër, si burrat, si të barabartë, si kolegë, si shokë dhe si miq të mirë, diskutoni mendimet tuaja dhe dilni me një vendim.

Së dyti: Në forume dhe me kryetarët e shoqatave (degëve) diskutoni rreth problemeve që dolën në takimin e përbashkët, tërhiqni idetë dhe mendimet e tyre për mënyrën e bashkëpunimit për zgjedhjet e ardhshme dhe caktoni përfaqësuesit tuaj më të mirë për të krijuar një grup pune të përbashkët.

Së treti: Thërrisni një tryezë pune të përbashkët, bëni pjesë të saj bashkëpunëtorët tuaj më moderatorë dhe më të aftë, bashkërisht krijoni një grup pune permanent, diskutoni dhe hartoni pa vonesë një projekt platforme bashkëpunimi para zgjedhjeve të ardhshme, duke synuar bashkimin e votave të ushtarakëve dhe përdorimin efektiv të tyre, në zgjedhjet e ardhshme.

Së katërti: Shtrini bashkëpunimin me të gjitha kategoritë e ushtarakëve (polici, SHIK etj.,) që përfshihen në Ligjin Nr. 10142, datë 15.05.2009, për të marrë maksimumin e mundshëm të votave të të gjithë ish-ushtarakëve, ushtarakëve aktivë dhe familjeve të tyre.

Së pesti: Menjëherë në Tiranë dhe në rrethe, të fillojë puna për mbledhjen e firmave të nevojshme për të hyrë në zgjedhje me deputetet tanë të pavarur, apo për ndonjë variant tjetër, që mund të diktojë kjo kohë e shkurtër që ka ngelur. Këtë detyrë veç e veç nuk mund ta bëni dot kurrë.

Së gjashti: Unë kam qenë kundër krijimit të Partisë të Ushtarakëve, sepse mungesa e bashkëpunimit dhe bashkimit e bënte atë, një opsion të pamundur. Ndaj kam menduar se, të gjithë do të dëshironin të kishin partinë e tyre dhe të ishin kryetarë të saj. Mos qoftë kështu si mendoj unë. Kemi humbur një vit të çmuar, pa bashkëpunim dhe pa bashkim. Nëse do të kishim bashkëpunuar dhe do të ishim bashkuar, do të ishim në një pozicion tepër komod e të gatshëm për të bërë një parti të vetme tonën. Por prapë nëse bashkëpunimi realizohet me sukses dhe çon në bashkimin mbarë kombëtar të Shoqatave të Ushtarakëve para zgjedhjeve, krijimi i një partie të vetme të ushtarakëve dhe përfaqësimi në zgjedhje me siglën e saj është variant ideal dhe tepër i mundshëm për t’u bërë realitet.

Së shtati: Nëse mendoni se alternativa e konkurrimit me kandidatë të pavarur është e paaplikueshme dhe opsioni i partisë të ushtarakëve, është i pamundur, aleanca me një parti tjetër është “një e keqe e domosdoshme”. Për këtë duhet të tërhiqet mendimi i ushtarakëve, të diskutohet në forumet përkatëse dhe mandej të vendosni bashkërisht, për të realizuar një akt marrëveshje bashkëpunimi dobiprurëse, duke ruajtur identitetin dhe mëvetësinë dhe duke kërkuar një kuotë konkrete përfaqësimi për të pasur deputetët e saj në Parlamentin e vitit 2013. Mendoj se, duhet braktisur përfundimisht ” bashkëpunimi” pa kushte apo në kushte vasaliteti, me disa parti apo koalicione partish njëherësh, apo bashkëpunimi për interesa individuale.

Së teti: Dy partitë e mëdha, kanë forcë, por na kanë zhgënjyer dhe nuk na kanë zgjidhur problemet deri tani. Nga ana tjetër mendoj se ushtarakët nuk mund t’i bësh në një mendje, për të zgjedhur të gjithë njërën prej tyre. Për të qenë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë me ju, jam shprehur dhe jam përpjekur për një bashkëpunim me Aleancën KuqeZi. Ajo për mua, ishte një opsion bashkëpunimi sa ishte lëvizje, tani që është bërë parti, ajo është e destinuar të shndërrohet në një kioskë të radhës, të pozicionohet në një krah politik dhe për rrjedhojë është e pamundur t’i orientosh të gjithë ushtarakët drejt saj.

Së nënti: Një opsion interesant, mund të jetë negocimi dhe bashkëpunimi me partitë që drejtojnë ish- ushtarakët. Si fillim, duhet biseduar nëse ndonjëra prej tyre është e gatshme, të ndërrojë emrin e partisë, duke e emërtuar atë “Partia e Ushtarakëve”. Në rast se, askush nuk pranon ndërrimin e emrit atëherë duhet bashkëpunuar dhe garuar nën siglën e një partie që drejtohet nga ish- ushtarakë. Me sa kam informacion, janë nja dy a tre të tilla. Ky variant, për mendimin tim është më i dobishmi për ne. Për këto arsye:

” Tek një parti e tillë, gjendet modaliteti ligjor, për të provuar për herë të parë, garimin e përfaqësuesve të drejtpërdrejtë të shoqatës për deputetë.

” Secila prej këtyre partive, është gati e panjohur dhe për rrjedhojë nuk kanë profil politik të spikatur dhe është më e lehtë që të gjithë ushtarakët t’i orientosh drejt njërës prej tyre.

” Negocimi është relativisht më i lehtë, sepse duke qenë në krye të një partie një ish- ushtarak, do të intrigohet nga ky bashkëpunim, sepse dhe vetë ka interes dhe është në nevojë për elektorat.

” Një parti e vogël të jep hapësirën që të përfitosh një përfaqësim sa më të madh dhe bile të diktosh, sepse për një parti të tillë, Shoqata e Ushtarakëve, do të jetë forca kryesore.

Së fundmi: Nëse ky bashkëpunim, do të jetë i mirëorganizuar dhe efektiv, ai shumë shpejt dhe natyrshëm do të çojë në realizimin e objektivit strategjik të bashkimit, riorganizimit dhe formatimit të një Shoqate të vetme me profil kombëtar dhe të fuqishme. Ky bashkim na bën zotër të vetes dhe na hap rrugën për të aplikuar me sukses të gjitha variantet e mësipërme, në mënyrë më efektive. Duke qenë të bashkuar dhe duke pasur firmat gati, krijohet dhe partia dhe me siglën e saj provojmë për herë të parë veten në zgjedhje. Bazuar në raportet shoqërore, dhe për të qenë i hapur dhe i sinqertë me ju, e pashë të arsyeshme, që t’u drejtohem për të fundit herë personalisht, të ndaj shqetësimet e  mendimet e mësipërme me ju dhe t’ju kërkoj që të uleni e të bisedoni, pa asnjë paragjykim, për të bërë realitet bashkëpunimin, bashkimin dhe pse jo dhe krijimin e një Partie.

Nëse ju përsëri nuk do të reagoni, të jeni të sigurt që unë nuk do të rri pa ngrënë si ajo gruaja e Lushnjës, për arsye se liderët tanë nuk duan të takohen, por këtë material kofidencial, jam i detyruar ta bëj publik duke ndarë dhe njëherë mendimet e shqetësimet e mia me kolegët e mi ushtarakë.

Nëse dhe pas publikimit të këtij materiali, nuk do të ketë hapa konkrete për bashkëpunim, të imponuar nga mos reagimi juaj dhe padëshirën tonë, së bashku me një grup kolegësh, do t’i drejtohemi CIOR-it dhe EUROMIL-it për të gjithë problematikën e shoqatave dhe marrëdhëniet tuaja specifike në lidhje me bashkëpunimin dhe më gjerë, duke ju kërkuar që të ndërhynë për vendosjen e një standardi të ri, në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e shoqatave të ushtarakëve në Shqipëri, në përputhje me kërkesat që përcaktohen në Statutet e CIOR-it dhe EUROMIL -it dhe statutet e shoqatave tuaja.

Shpresoj në një reagim pozitiv. Gjithsesi, jemi në pritje të një përgjigje, prej jush.

Kol. Hysni MULLALLI