Reportazh
24 Maj, dita kur 80 vjet më parë u mblodh Kongresi historik i Përmetit. Është një datë nga më të lavdishmet e Luftës ANÇ, një pikë kulmore, pas asaj të Konfrencës së Pezës, ku shqiptarët, në veçanti në këtë 80 vjetor, vijnë me përulje e mirënjohje për të nderuar e bërë homazhe në vendin ku ca burra që zbrisnin nga malet vendosën “për të rrahur ligjet e reja të diktuara nga hymnet e Liris.”
Pa mbërritur ende në qytet, 2-3 qind metra përpra se autobuzët e nisur nga Tirana të parkonin për të zbritur miqtë, dëgjohej një këngë, nga më të bukurat përmetare: “Në Përmet o në Përmet-ë/ edhe guri ka lezet-ë.” Dhe kjo këngë i thotë të gjitha. Në qytetin e trëndafilave gjithçka është e paqtë dhe bukur, madje edhe gurët dhe Guri i Madh, që qëndron në mes të qytetit.
Gjëmon historia
Dokumentat, të cilët janë dëshmia më e vërtetë e më besnike për atë ngjarje të madhe, janë mahnitëse. Në respekt të lexuesit, në veçanti të atyre që këtë ngjarje e shikojnë paksa larg, 80 vite të shkuara, po sjellim ca zëra luftëtarësh pjesmarrës në Kongres, në mënyrë që kjo largësi të vijë fare afër, përpara syve tanë e që zemrat ta ndjejnë e përjetojnë atë të vërtetë të madhe. Bëhet fjalë për një ditë para Kongresit, 23 Maj, dhe tjetrën, më 24 Maj, që shumçka është pasqyruar në të vetmen gazetë të asaj kohe, “Bashkimi”.
Një ditë përpara se të mblidhej Kongresi gazeta shkruan: citojmë: “Para se të shkonim në Përmet qëndruam 3 ditë në Lupikë. Atje u bashkuam me delegatët e Tiranës, të Vlorës të Durrësit, e të Beratit, me ata të Pezës e të Elbasanit, me shokë e shoqe të ardhur nga brigada të ndryshme…Po neve s’na mbante vëndi. Donim t’arrinim sa më parë, të njiheshim me shokët e njohur vetëm nga emri, vetëm në holokaustin e përbashkët të luftës Nacional-çlirimtare.
23-Maj-Sot në mëngjës i pamë mirë gërmadhat e shëmtuara të Përmetit. Përmeti me luftën e vjetme, me sakrificat e tij hyri në historinë e luftës nacional-çlirimtaare, por me Kongresin emri i tij do të lidhet me të gjithë të ardhmen e Shqipërisë së re.
Komandanti i shtabit të zonës së I-rë Operative Vlorë-Gjinokastër, Islam Radovicka, përshkruan shpirtin luftarak të popullit t’asaj zone, luftrat e çetës Plakë të Vlorës e të Mallakastrës, luftrat e mëdha të gjithë popullit kundra okupatorëve e trathtarëve. Emri i Kurveleshit shkëlqen për trimëri të rrallë.
Për Tiranën e demonstrative, për Tiranën e njisiteve guerile të Vojo Kushit, Xhoxhi Martinit, Shyqyri Ishmit, për Tiranën e 4 Shkurtit, për Tiranën e pathyer, flet Abdyl Këllezi.
Dhe me radhë flasin delegatët për tërë Shqipërinë, flasin Komandantët për ushtrinë tonë për Brigadën e I-simbol i ushtrisë sonë popullore. – Flet Mehmet Shehu e Beqir Balluku, Ulusi Spahiu e Nexhip Vinçani, Tuk Jakova e Shefqet Peçi e Gjin Marku. Të gjthë sa flasin vënë në dukje rolin dhëheqës, rolin pararojë e organizativ të Partisë Komuniste Shqiptare në Lëvizjen Nacional Çlirimtare, në këtë luftë të drejtë e të madhe të popullit shqiptar.
Flet Hysni Kapua për luftën nacional-çlirimtare, për luftën e popullit t’onë; flet Haxhi Lleshi për popullin e Dibrës dhe luftën e tij.
Myslym Peza thotë: “Unë kam luftuar fashizmin e tradhëtarët, kam ba luftën e drejtë të popullit. Kam qenë dhe do të jem besnik i popullit e i luftës së tij, prandaj partizanët më thërrasin “Babë”! Fjalët i mbyten nga mallëngjimi dhe ia mbulojnë duartrokitjet tona të paprera. Askush s’do të priste që Myslym Pezën ta shikonte të veshur civil me pandallona të gjata si është në Përmet; thua se ka ardhur sot nga një qytet tjetër e jo nga Peza.
Mestan Ujaniku tregon si filloi lëvizja në Skrapar e në Mallakastër dhe Shulja – Kristo Themelko – flet me dashuri për Myslymin, për Pezën e papërkulur për luftrat e mëdha.
24 Maj – Dita e madhe arriti: Më ora 9 hyjmë në sallën e Kongresit. Përballë është tribuna e veshur me cohë. Një flamur i math i Shqipërisë mbulon gjithë murin. Në anë të tij janë vënë fotografitë e Qemalit! Më të djathtë kur hyn, flamurë t’Aleatëve të Mëdhenj dhe mbi flamurët respektivë fotografitë e Roosveltit, Stalinit, Churchullit. Më të mëngjër flamurë të Shqipërisë dhe fotografi të heronjve të Rilindjes Kombëtare.
Nëpër muret parulla të rastit për Kongresin, për Këshillin e Përgjithshëm, për Shtabin e Përgjithshëm t’Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Salla mbushet plot me delegatë. Janë më shumë se 200. Janë pleq e të rij; ushtarë e civilë, burra e gra: ka fetarë e laikë, katundarë e qytetarë, punëtorë e intelektualë- ka nga i gjithë populli se i gjithë populli ka çfaqur vullnetin e tij për këtë Kongres, ka dërguar zërin e tij, për të vendosur mbi luftën dhe të drejtat e tij, mbi t’ardhmen e tij.
Menjëherë pastaj hyn Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë s’onë. Ecën në krye Dr. Omer Nishani, pas tij Enver Hoxha e të tjerët me radhë. E tërë salla ngrihet më këmbë dhe brohorasin me të madhe për udhëheqësit tanë. Është festë, është ditë gëzimi- histori e madhe për tërë popullin Shqiptar.
Na pllakos, një gëzim i fortë. Ndjemë peshën e historisë që po krijojmë.
Enveri u ngrit pastaj i qetë, e i dashur si kurdoherë. Në fjalët e tij solli vojtjet e popullit shqiptar e nënë regjimin shtypës e shfrytëzonjës të Zogut. Ay analizoi në atë fjalim magjistral lindjen e zhvillimin e rezistencës shqiptare, zhvillimin e forcimin e luftës Nacionalçlirimtare për kundër okupatorëve e tradhëtarëve: nga Konferenca e Pezës në Përmet…
Sigurisht në këto pak rradhë sollëm pak, fare pak, vetëm disa nga emrat dhe citimet e tyre si përfaqsuesit më me pëshë e më të denjë të popullit që përfaqësonin në atë Kongres Historik.
“Delegatët” e 80 vjetorit
Në ecje e sipër drejt Lapidarit të zbukuruar si për festën e madhe, me kurora e buqeta të freskëta me lule, dëgjoj zërin e një gruaje përmetare tek thotë: Na u mbush sot qyteti plot. Shyqyr! Janë miq që na i solli Kongresi.
Ishte vërtet një ditë e bekuar për Përmetin tek i cili, më 24 Maj, kishte zbritur e gjithë Shqipëria. Organizimin më të bukur e më dinjitoz, ashtu si e meritonte përvjetori i 80-të i Kongtresit, e kishin bërë përfaqësuesit e Komiteteve të OVP të LANÇ. Dhe në krye, ashtu si gjithnjë, qëndronte Tirana. Pa çelur ende ceremonia festive mbëriti aty Kryetari i Komitetit Kombëtar, 94 vjeçari, Debatikasi Profesor Dr. Hulusi Hako. Dy autobuza, me rreth 110 pasardhës veterani, iu printe Sekretari i Përgjithshëm, Vili Myftari. Në atë shesh shikoje vetëm njerëz të qeshur, të gëzuar, gëzim që nuk mund ta gjesh kund tjetër, veç në Përmet, në qytetin e Kongresit. Po cilët ishin ata që, veç zemrave e shpirtit të bukur të përmetarëve, ta bënin festën festë? Aty kishin ardhur nga Saranda, të cilët i printe Kryetarja Neriman Gjivogli, kishin ardhur nga Gramshi të cilët i printe Kryetarja Fiqerete Bici. Por edhe nga Gjirokastra e Vlora, nga Skrapari e Mallakastra, nga Tepelena e Durrësi, nga Rreskoveci e Berati. Dhjetra autobuzë mbushur plot.
-Ç’të solli ty deri këtu, në Përmet?-pyes një zonjë, Hurme Hakramën. Ajo thotë se familja e saj dhe e burrit i kanë dhënë Luftës ANÇ 7 dëshmorë.
-Po ti,- pyes një tjetër, e cila mban në dorë një libër luftëtari, të Asllan Osojës.
-Ma solli ky, gjyshi që më rriti, i cili ishte delegat në Kongres dhe vinte aty nga lufta. Vajza me të cilën flas është Teuta Caka Çaushaj, e cila lëvizte në sallën ku 80 vjet më parë zhvilloi punimet Kongresi, e shoqëruar nga kryetarja e OKDA, dega Skrapar, Gështenja Omeri.
Në atë mjedis festiv shikoje të kishin ardhur nga të gjitha moshat, I moshuari Hamdi Vela kishte ardhur nga Çorrushi. Kishte ardhur të nderonte vëllanë, pjestar i Brigadës së III Sulmuese, Riza Velo. Për të nderuar e kujtuar babanë kishte ardhur edhe Nuri Mykaj, partizanin e Brigadës së XII, Rrapo Musa Mykaj, i cili kish marrë pjesë në mbrojtjen e punimeve të Kongresit. Në përkujtim të kësaj ngjarje të madhe historike, ashtu si delegatët e Kongresit, që vinin nga e gjithë Shqipëria, vinin gati nga të gjitha krahinat e vendit. Besnik Musabelliu dukej sikur përfaqësonte Mestan Ujanikun; Faslli Sinani 85 vjeçar, sikur përfaqësonte Pezën e Babë Myslimit; Siri Hasani e Ilir Curri përfaqësues të denjë të Kryeqytetit etj. Janë shumë dhe që të gjithë dikë kanë dashur të kujtojnë e të nderojnë në këtë 80 vjetor të Kongresit.
Lumturia nuk është gjë tjetër veçse një gëzim i madh i ndarë me dikë tjetër. Në këtë 24 Maj në Përmet mbetën të gjthë të lumturuar. “Delegatët” e ardhur nga e gjithë Shqipëria për të përkujtuar, festuar dhe për t’u gëzuar në këtë 80 vjetor, i ndanë ato çaste të lumtura e gëzimi të paharruar me përmetarët, me ata njerëz të jashtzakonshëm, të cilët, ashtu njerëzisht e miqësisht nuk harruan të bëjnë ftesën qysh në këtë Përvjetor të Madh të 80-të: Mirardhëshi në përvjetorë të tjerë të Kongresit!