Bashkim HOXHA:Dashuria që zgjat një fushatë

578
Sigal

Në adresën time të facebook-ut një prej miqve kishte sjellë një prej statuseve të hedhura së pari në faqen e një kandidati për deputet në qarkun e Elbasanit, tashmë të shpallur edhe nga Edi Rama publikisht. Ishte një grua e vjetër që qante në themelet e një shtëpie, dhe poshtë fotos diçitura ku thuhej se, kjo nënë po qante nga gëzimi sepse tashmë do kishte një shtëpi të re, nënkuptuar se do ta kishte nga kandidati për deputet. Ndjesia e parë që më erdhi kur pashë këtë fotografi, ishte se kjo grua nuk është vetëm e lumtur. Përkundrazi, në foto m’u duk si e zënë peng nga mirësia që po i bëhej.

Sipas formimit tim, mirësia është e vetëmjaftueshme dhe quhet si e tillë, kur bëhet pa interes. Madje edhe në traditën e mirësisë nënvizohet se nuk është normale që të dihet mirëbërësi i dikujt, ndryshe ajo nuk quhet mirësi, por një allishverish, duke kërkuar diçka tjetër si këmbim. “Bëje të mirën, hidhe në det”, thotë një fjalë e urtë popullore. Bëje të mirën, e di Zoti, thuhet nga mësimet e fesë.

Unë nuk e njoh nënën në fjalë, por duke ditur mjaft histori të ngjashme, përpiqem të krijoj një histori që përsëritet veçanërisht në këto kohë të fushatave.

Para meje shpaloset fati i një gruaje plakë të varfër. E varfër ajo mund të ketë mbetur për shumë arsye, sepse nuk është marrë me allishverishe, sepse ndoshta bijtë e saj nuk ia thonë edhe shumë për punë, e varfër ajo mund të ketë mbetur edhe sepse hapësirat në një mënyrë apo tjetër ia kanë zaptuar ata që janë bërë të pasur në sytë e saj, në një kohë kur në start të gjithë të varfër kemi qenë. Por sidoqoftë, të jesh i varfër apo i pasur nuk është turp. Përballë saj janë kandidatët për deputetë, që nuk janë të varfër, ose sepse kanë punuar ndershmërisht, ose se kanë ditur të manovrojnë në biznese që të pasurojnë brenda natës, të venë gjoba, të përfitojnë nga lidhjet me klanet e qeverisë, ose sepse kanë zaptuar padrejtësisht hapësirat e të tjerëve, që prej kësaj kanë ngelur të varfër apo kushedi për çfarë. Nuk është kjo e rëndësishme: e rëndësishme është se tashmë kemi dy palë njerëz: të varfër me mjaft halle  dhe të pasur, që duan të hyjnë në parlament dhe u duhen edhe ca vota të këtyre të varfërve.

Kandidatët për deputetët të gjithë palëve janë shpërndarë në terren, duke bërë kalkulimet e votave familje më familje, duke evidentuar problemet me të cilat përballen individët. Ndodhemi në një moment fatlum kur sytë hidhen mbi të varfrit, por nuk dihet se sa do të zgjasë kjo vëmendje dhe ndjeshmëri. Unë kam bindjen se ndonjë hall i tyre edhe mund të zgjidhet, por kjo nuk dëshmon aspak ashtu siç pretendohet se këta kandidatë po qajnë hallet e qytetarëve, apo se kanë ndjeshmërinë njerëzore sepse e dinë mirë se interesi e zhvleftëson mirësinë.

Ka plasur një dashuri e madhe për të thjeshtët e të varfrit në facebook-et e kandidatëve. Foto përqafimesh me njerëz të varfër, foto përqafimesh me njerëz me emër dhe mbiemër. O Zot, kjo, kjo është mrekulli, kjo është dashuria njerëzore që do të bënte më të ngrohtë dhe më të mirë jetën atyre njerëzve që as që e dinë se fotot e tyre qarkullojnë në internet si simbol i përkushtimit ndaj tyre të kandidatëve për deputetë që me votat e tyre presin të jenë të zgjedhur. Por si të gjitha mrekullitë edhe kjo mrekulli zgjat pak: sa një fushatë

Nuk kanë qenë më parë këto pamje. Nuk i kemi dëgjuar kandidatët e tanishëm, edhe kur kanë qenë figura publike të flasin për varfërinë. Nuk i kemi dëgjuar të flasin për halle njerëzore, jo me emër me mbiemër, por as në përgjithësi. I kemi parë shumë prej tyre të lidhur kokë e këmbë me interesat e karrierës, me preokupimin e tyre të ndershëm apo të pandershëm për të bërë para për veten e tyre, dhe ja papritur i kemi përpara nesh: xhymertë plot virtyte të shpallur në rrjete sociale, që kontrollojnë liderët e partive për vënë notat e sjelljes.

Kjo ka të bëjë me atmosferën mashtruese të fushatave: ka një rrugë në Vrinë që u inaugurua para dy ditësh publikisht për herë të tretë si një mirësi për banorët e zonës, një rrugë Kavajë-Rrogozhinë ka njohur të paktën nja pesë fushata që përmendet si një nder që i bëhet qytetarëve nga qeveritë përkatëse, ka mjaft shembuj të ngjashëm kur mirësitë bëjnë presion për më shumë vota. Por kjo ka të bëjë edhe me vizionet e ngushta që shpalosin kandidatët në fushatë. Ata bëjnë shumë mirë që si njerëz me para ndihmojnë të varfrit, ndonëse këtë për mendimin tim, duhet ta bëjnë jo publikisht, por e mira do të ishte që të na shpalosin një formim intelektual më të denjë, të na japin të kuptojnë se si deputetë nuk kanë për të bërë rrugë, ura, apo themele shtëpish, por do të miratojnë ligje që do të shtojnë apo pakësojnë varfërinë e shqiptarëve dhe jo të një personi të vetëm me emër e mbiemër, që do ta vënë pastaj mbi themele të qajë nga gëzimi përpara aparatit.

Fokusimi publik në një çështje të vetme flet për profile të zbehta kandidatësh. Dhe për më tepër të kandidatëve që në këmbim të “mirësisë” të kërkojnë votën, por e sigurt është që në këtë përfolje në rrjetet sociale të marrin edhe dinjitetin.