Bardhyl Hazizaj/Ushtria, simbol i bashkimit dhe i sigurisë në vend!

598
Sigal

Në vitin 1977 në përfundim të manovrave të mëdha ushtarake me pjesëmarrje të 60.000  trupave në Rrushkull të Durrësit, Mehmet Shehu mbajti një fjalim ku ishin të pranishëm Hysni Kapo, Ramiz Alia e plot anëtarë të KQPPSH e qeverisë, ndër të tjera tha: “NATO nuk mundet ta sulmojë Shqipërinë …përpara…. Ariut Polar….Ndryshimet mundet të ndodhin në Shqipëri vetëm në se tradhton udhëheqja …dhe pasi dha disa detyra për ushtrinë…duke thënë se ajo që ndodhi në Bashkimin Sovjetik mund të ndodh kudo…..të jemi vigjilent…. Dhe iu drejtua ushtarakëve: “Në rast se do të konstatoni që ju ka tradhtuar udhëheqja, atëherë rrëmbeni armët dhe sulmoni Komitetin Qendror”. Turma menjëherë shpërtheu në “Urra” të fortë dhe brohoriti: “Ushtria Garancia”….(Marrë nga Libri Maliq Sadushit “Mehmet Shehu fq-128-131)

Që ushtria ishte garancia, këtë e dinin mirë miqtë dhe armiqtë.

Në Luftën e Dytë Botërore, Shqipëria me një popullsi një milion banorë  hodhi në luftime 70 mijë luftëtarë, prej të cilëve 10 mijë ishin pionierë, 6 mijë ishin gra dhe vajza, të rreshtuara në 24 brigada, 8 divizione, 3 korparmata  dha për lirinë e popullit e të atdheut 28 mijë dëshmorë, u plagosën 12.600, u internuan në kampet e përqendrimit dhe u burgosën 10.000 vetë si në Itali e Gjermani, dhe 35.000 punëtorë kryenin  punë të detyruar. Shqipëria u çlirua me forcat e veta.

Më 1985 ushtria kishte në strukturën e saj, 14 Korpuse Këmbësorie me një efektiv prej 585.000 vetash. Me kalimin në strukturën e re, më 1985 ushtria u organizua në 22 Divizione me një efektiv, gjithsej 585.000 vetë të organizuar në 185 brigada të ndryshme, pa futur këtu Forcat Vullnetare, Rininë Shkollore, 5 Baza të furnizimit të Ushtrisë si dhe 5 Regjimente te Aviacioni dhe brenda 24 orëve ishte në gjendje të armatoste e t’i kishte të gatshme për luftë mbi 700 mijë forca. Për mbrojtjen e vendit, përgatitej gjithë popullata, e cila ishte e stërvitur, e armatosur dhe e gatshme të mbronte vendin. Një gatishmëri të tillë vetëm ushtria izraelite e kishte.

Deri në vitin 1991 Ushtria ruajti kompaktësinë luftarake, duke u bërë garante e mbrojtjes së Atdheut dhe e Sigurisë Kombëtare. Me ndryshimin e sistemit dhe ushtria u shkurtua. Divizionet u shkrinë dhe filloi tregtimi dhe trafikimi i teknikës dhe armatimit sikur të ishin lëndë drusore. U krijua një situatë mjaft e vështirë dhe trysni mbi kuadrot. Ligji 24/1 penalizoi kuadrot më të aftë duke i nxjerrë jashtë radhëve të ushtrisë. Kjo farsë vazhdon edhe sot e kësaj dite ku në ushtrinë tonë nuk merret vesh se kush urdhëron e në emër të kujt, kush drejton, dhe kush duhet dëgjuar. Kaosi dhe çorganizimi lejohet edhe pse jemi pjesë e strukturës së NATO-s. Ushtarakët shikohen si rrezik  për  pushtetarët e kthyer  në shërbëtorë të të huajve.  Qeveria shqiptare nuk interesohet se kush janë sot problemet kryesore të mbrojtjes së vendit dhe të ushtrisë! S’kemi aviacion, as flotë detare, as mjete e as teknikë bashkëkohore, as poligone për stërvitje, as shtëpi pushimi, as Akademi, e shkolla ushtarake. Ushtria jonë ka shpërblim të vogël, organizim të dobët, trajtim moral të ulët, dinjitet të nëpërkëmbur, pa të ardhme. Ne nuk kemi një strukturë konstante të ushtrisë që të kemi një gatishmëri konstante, dhe nuk mundet të krahasohemi me asnjë nga vendet perëndimore, apo në rajon.

Ministri Imami shiti edhe ekzemplarët që ruheshin në muze vetëm që ta shkatërronte çdo gjë të ushtrisë. Dhe ia arriti, pasi në vitin 2012 Shqipëria me mbi 3 milion banorë ka një ushtri me efektiv prej 10.300 njerëz, nga të cilët 1.100 janë femra. Ky efektiv nuk dihet nëse ekziston faktikisht sot më 2013. A ka strategji për t’u mbrojtur shteti shqiptar? Ushtria dhe Policia e Rendit janë kthyer në një repart që ruan interesat e qeveritarëve dhe bizneseve që janë të lidhur me pushtetarët dhe politikanët.

Në Shqipëri Qeverisja brutale dhe miope e Partisë Demokratike shkatërroi, asgjësoi, dhe trafikoi gjithë arsenalin e armatimit që kishim në përdorim dhe rezervat e 101 K. Po shitet Akademia Ushtarake, Shkolla e Bashkuar, Spitali Ushtarak sikur të ishte malli i huaj, pa zot. A duhet të vërë rregull dikush? Në Romën e lashtë ka qenë detyrimi i të gjithë kategorive të zyrtarëve që edhe pas një viti e gjysmë, pas dorëzimit të detyrës përgjigjeshin ligjërisht për çdo parregullsi. Sot  Shqipëria 20 shekuj më vonë, nuk ka arritur nivelin e shtetit pagan. Në këto rrethana, çdo qëndrim tjetër që nuk kërkon nxjerrjen e fajtoreve para drejtësisë është i papranueshëm dhe quhet tradhti kombëtare.

Shitjen e SHQUP-it e ndërmjetësoi Ministri i Brendshëm. Para afro 25 vjetësh, Drejtori i Zbulimit, Mehmet Musai paralajmëroi në “Zërin e Popullit” : “Na ruajt Zoti nga Dikasteri përballë…”.

Për shumë probleme, shoqatat e ushtarakëve janë të pazonja, të pavullnetshme për të parë faktet e reja dhe për të ndryshuar politikën….Ne ushtarakët vetëm shpresuam, por nuk ndoqëm një politikë të ndërtuar mbi faktin….nuk pamë se ka akoma disa male të larta…..Për të ndryshuar drejtimin e rrjedhës kryesore, ne duhet të zhvillojmë një luftë me individë dhe për një kohë të gjatë duhet të gjejmë mënyra për të orientuar rrjedhën, duke u përqendruar në interesat dhe objektivat e përbashkëta. Të përdorim të gjitha rrugët! Kryeministri F.Nano  pasi miratoi Statusin e Ushtarakut më 2005, deklaroi “merrjani asaj Qeverie që do të vijë më pas”. Ndërsa Kryeministri Berisha më 12 Korrik 2013, i kërcënoi me heqjen e bukës së gojës. Politika e frikësimit, e kërcënimit, është Terrorizëm Shtetëror.

I vetmi Kryeministër që u bëri thirrje ushtarakëve :”Rrëmbeni armët dhe sulmoni Komitetin Qendror ” ishte Mehmet Shehu.

Ne ushtarakët kërkojmë nga Qeveria:

1.Zbatimin e ligjeve për reformat në Forcat e Armatosura.

       2.Sigurimet shoqërore të zbatojnë ligjin Nr.7491/1991 i ndryshuar, me ligjin 9210 datë 23.03.2004 (Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë).

3.Analiza e shkeljeve të ligjeve nga institucionet e shtetit, për të drejtat social-ekonomike të ushtarakëve në rezervë, lirim, pension, pasi deri tani janë  cënuar disa parime bazë të shtetit të së drejtës siç janë:

a)Parimi i barazisë para ligjit dhe i mosdiskriminimit.

                  b)Parimi i moscënimit të së drejtës së fituar më parë me ligj.

                  c)Parimi i sigurisë juridike, ku askush nuk duhet të ndjehet i shqetësuar, i kërcënuar nga ndryshimet e ligjeve.

Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë rrëzuar dhe kanë hedhur si të pavlefshme qindra Vendime e ligje të miratuara nga Qeveria, duke i cilësuar ato si shkelje të ligjeve kushtetuese. A mjafton vetëm kaq? Ku qëndron e drejta, kur vetë qeveria në ikje shkel ligjet e shtetit? A është qeveria pjesë e shtetit? A e njeh Kryeministri Kushtetutën? Ne ushtarakët jemi të shqetësuar për faktin se edhe Gjykata  Kushtetuese ka vite që nuk shprehet dot për antikushtetutshmërinë e disa karakteristikave të Ligjeve për ushtarakët që kërkojnë deklarimin e saj, në praktikë ajo jep interpretim zyrtar. Heshtja tregon frikë dhe nënshtrim total ndaj politikës. Ushtaraku gjatë karrierës i është përmbajtur Betimit Ushtarak se :”do të mbroj Kushtetutën, se do t’i shërbej popullit dhe Atdheut tim, se për mbrojtjen e tyre nuk do të kursej as jetën. Ndëshkimi më i rëndë të më bjerë……”. Ndërsa zotërinjtë qeveritarë shkelin ligjet dhe Kushtetutën, pushteti u jep rrogë dhe shpërblim të majmë dhe  ata shesin Atdheun dhe ndëshkohen me “dorëheqje”. Ka ndryshim të madh me ushtarakun.