Bardhyl BERBERI/ Stomaku bosh dhe ditët boshe, nuk zëvendësohen me skandale seksuale

630
Ka ditë që është ngritur një tymnajë, duke ju mprehur kërshërinë një numri të madh kureshtarësh që me minuta po presin të dalë një video edhe më e rëndë se ajo e kryetarit të Bashkisë së Dibrës, që kërkonte seks në këmbim të një vendi pune. Pas asaj, nëpër media e rrjete sociale, edhe në kafene, po diskutohet çdo ditë e më tepër për një video shumë më të rëndë seksi. Sinqerisht mendoj se kjo video nuk do të publikohet kurrë. Pse? Së pari, pas asaj që i ndodhi kryetarit të Dibrës, Shukri Xhelili, që e shiti lëkurën kaq shtrenjtë: Ai apo ata persona që përfshihen në këtë video do të jenë në gjendje që ta blejnë atë, sado e shtrenjtë që të jetë. Populli thotë që qejfi paguhet me para, janë disa minuta “ohooo” dhe tërë jeta obobo, siç po i ndodh Shukriut nga zyra e kryebashkiakut në qelitë e ftohta të burgut. Thuhet se bëhet fjalë për një personalitet të lartë shtetëror (ministër?), i cili kryen marrëdhënie seksuale… me një transvestit? 
Ndërsa një video tjetër me një ministër me të dashurën jashtë shtetit. Të gjitha hamendjet dhe më tej fantazitë, janë të pranuara! Po të shikosh nëpër pika të thella turistike si në Molika të Manastirit apo në Mavrovë të Maqedonisë syri të sheh persona Vip funksionarë të lartë, deputetë me makinat shtetërore ne targa të lyera me baltë dhe syza të errëta që kalojnë net të nxehta erotike me mikeshat e tyre, viktima për një vend pune apo ndonjë afere tjetër pse jo dhe të një pagese të majme kesh të fituar nga tendera apo koncesione fantazma. Opinioni ngjan me atë lumin e vrullshëm që rrjedh pa pushim ditë e natë i cili kalon nëpër fusha, male, kodra me shumë etje aq më me vrap dhe rrëmben gjithçka gjen përpara duke lënë mirazhin. e tij deri ne gryke derdhje. Po a ja vlen që të merremi me këto lajme rozë, duke harruar urinë, padrejtësitë, duke pranuar arbitraritetin, deformimin e demokracisë, rrënimin ekonomik, tenderët fitimprurës, apo koncesionet e dyshimta? 
Ne vrapojmë si të magjepsur pas telenovelave dhe skandaleve seksuale!Po kujt i plasi se me kë dhe si shkon ky apo ai? Ministër a deputet, apo gjykatës, apo prokuror kur ne kemi një jetë të shkatërruara prej keqqeverisjes dhe skandaleve të tyre me paratë tona e në kurrizin tonë me tenderët apo koncesione që fitojnë para me thasë me një opozitë anemike që punën e saj po e bën Blushi. Ne dëgjojmë çdo mëngjes emisionin “Koha për tu zgjuar “ tek Bashkim Hoxha që shumë qytetarë derdhin pakënaqësitë e tyre me zë që iu dridhet dhe të këputin shpirtin. Pa dashur mu kujtua Migjeni:” Të kem një grusht dhe t`i bie malit por mali nuk bëzan “ Skandalet e sotme na japin mundësinë në kohë reale të ndjekim hallet e njerëzve të atyre që marrin edhe ilaçet dhe ushqimet me listë që nuk duan t’ia dine fare për këto skandale seksuale. Një shitës, i thotë një fakir-fukarai, nga ata që marrin gjithçka me listë…
“T`u bënë shumë lekë, u mbush një fletore me borxhe…Qetësisht ai i përgjigjet: – Hë, se do të rregullohet si herët e tjera… Vitin tjetër ka zgjedhje dhe ata që do të kërkojnë votat, duhet të lajnë këto borxhet tona të ushqimeve tek ty që të marrin votat…”,-përgjigjet fakir fukarai. Është një takëm tjetër individësh që paguajnë mijëra euro për gjoksin, buzët me operacion të shtrenjta. Këta janë personazhet butaforikë të kohës. Një gjë është e sigurt, si buka që hamë: Skandalet seksuale kanë një prapaskenë, të hedhin tymnaja. Tu tërheqin vëmendjen njerëzve të varfër që përbëjnë shumicën nga këto halle gjurmë-mëdha, që ja u kanë prishur keq cilësinë e jetës, popullit të thjeshtë fukara… Stomakun bosh dhe ditët boshe, nuk mund të ta mbushin jetën me histori dhe skandale seksuale. Zotërinj politikanë, rruga për në zemër kalon nga stomaku, barqet bosh nuk ju duan dhe do t’ju ndëshkojnë me vota… 
Sigal