Bardhyl Berberi: Shqipëria një kazino e madhe fati

554
Është vërtet e dhimbshme kur shikon turma të mëdha njerëzish që shtyhen para sporteleve për të mbushur loton e telebingos, kjo është gjysma e së keqes, por ka edhe turma djem të rinj apo të rritur që mbushin sallat e loto sportit duke ndjekur rezultatet e ndeshjeve, duke vënë kursimet e tyre për të fituar diçka, që i luten fatit duke ngrënë thonjtë dhe gishtat e tyre në kërkim të një goli, që ata të marrin diçka. Por këtu duhet bërë dallimi me bosët dhe pushtetarët apo ish pushtetarë që shkojnë në kazinotë; sa brenda vendit po aq dhe jashtë vendit dhe këtë në kërkim të “Fatit.” Ata udhëtojnë në kazinonë e Selanikut apo tek “Metropoli” në Ohër apo “Epinali “ në Manastir të Maqedonisë dhe lenë shuma marramendëse. Ky takëm luan për hobi nuk ja u di numrin e llogarive të parave që ka fituar me dallavere ,tenderë apo koncesione. Një nga punonjësit e kazinosë së Metropolit thotë nën zë, se bosët dhe qeveritarë dhe ish qeveritarë nga Shqipëria na mbajnë në këmbë kazinonë. Shqiptarëve nuk u ka ngelur gjë, vetëm të besojnë tek fati. Fati, për ne, është si rastësi hyjnore e presin si atë patën e pjekur të bjerë nga qielli por që thonë se bie një herë në 100 vjet. Si rastësi hyjnore, që të determinon të mendosh, se rrjedha e jetës sonë është e paracaktuar nga forca jashtë fuqisë që kemi ne, se është e shkruar dhe nuk kemi ç’të bëjnë veçse t’i bindemi e të përshtatemi. Por pse ndodh kjo edhe kjo ndodh përsëri nga fati i keq i këtij populli dhe i kësaj klase politike që pas diktaturës e la vendin në batak. Pra, kjo është bota ky ishte fati ynë se kemi një klasë politike mëkatare që na i ka prishur cilësinë e jetës, si dje në diktaturë edhe sot në demokraci. “Eh, thotë dikush, këtë riskun kishim”. Tek ne e gjithë shoqëria, rendi ekonomik, sistemi politik, vizionet qeverisëse i janë lënë në dorë Fatit. Për shqiptarin nuk ka të nesërme, të pasnesërme shpresat janë të venitura. Sepse të nesërmen dhe të pasnesërmen, të cilat i lejuam si ëndrra poetike dhe siguri të shpresës ekzistenciale, po i hamë me shpejtësi, po u japim fund me korrupsion, drogë, me largime masive të rinisë dhe intelektualëve. Shumë shpejt vendi ynë nuk do të ketë më të rinj dhe intelektualë, ata po largohen. A e dini sa mjekë janë larguar këto tre muajt e fundit nga Shqipëria në Gjermani është një shifër tronditëse. Ka zona dhe qytete të tëra që nuk kanë mjekë, pale që për specialist nuk bëhet fjalë, janë shumë të pakët. Ka qytete të tëra që nuk kanë specialistë. Të gjithë janë në kërkim të fatit. Një fati diku tjetër më të mirë se këtu ku ne jetojmë. Shikoni pak se çfarë ndodh në shoqërinë tonë për të kuptuar përmasën tragjike të Fatit! Një shoqëri normale e mbajnë në këmbë tre shtylla kryesore: Familja – shikoni para dyerve të gjykata vetëm këto 20 ditë të para të vitit në qarkun e Korçës janë divorcuar mbi 100 familje. Po kush po e shkatërron familjen shqiptare: Varfëria, emigracioni… Shtylla kryesore është shkolla e dimë të gjithë se si po lulëzon analfabetizmi. Shtylla e dytë e shoqërisë është shkolla, por po na mbyt analfabetizmi, një shifër thotë 20 për qind por shifrat reale janë shumë më të mëdha. Dhe shtylla e tretë e një shoqërie është Shëmbëlltyra (modeli, apo udhëheqësi) Shikoni njeriun tonë, atë njeri të zakonshëm! Ai rri dhe vetëm pret, pret me një durim acarues. Pret se gjërat do të bëhen vetvetiu mirë, se këta delenxhinjtë që i pinë gjakun do t’i vrasi ndërgjegjja! Kur kjo nuk ndodh, ata shkojnë të lozin skedina. Me siguri fati do të tregohet i dhimbsur me ta dhe do të ndalojë te njëshi, dyshi, iksi. Kur as lotoja elektorale nuk nxjerr gjë në dritë, ta gjejë shpresën te lotaria amerikane, apo tek miqtë dhe familjarët në Evropë. Në fund, kur nuk gjen rrugëdalje, ai mbetet në udhëkryq. Ai nuk është gjë tjetër veçse numër, statistikë, llogaritje, konsumator, klient dhe variabël ekonomik në vorbullën e çmendur vetëvrasëse të kazinosë të lojërave të fatit apo të një takëmi deputetësh dhe pushtetarësh që bëjnë para me tenderë dhe koncesione. Skandalizohet me abuzimet e CEZ-it që hidhen miliona euro nëpër xhepa hajdutësh sikur të jenë gjethe pemësh. Para kësaj shëmbëlltyre të keqe njeriu i thjeshtë ka jetën e tij, fatin, që duhet t’i nënshtrohet. Megjithatë, njeriu e gjykon të pamundur t’i arratiset nga vendi i tij dhe të mos e kthejë kokën mbrapa, pasi nuk gjen një motiv pse duhet të rrijë në Shqipëri. Natyrshëm lind pyetja: “A ka rrugë dalje me këto shëmbëlltyra? Sapo hipin në karrige rregullojnë nëpër punë të zgjedhura: Vëlla, motër, kunatë, kunat, baxhanakë, nipa, edhe pse nuk kanë diploma të rregullta, Madje arrihet deri atje se edhe pse një titullar mund të jetë i djathtë në Bashki bën pazare me të majtët që janë në pushtet dhe rregullojnë baballarët në punë nëpër dogana si shpërblim të një nderi që ai ka bërë dikur në Bashki. Madje kur i pyet, të përgjigjen: Ka ardhur koha; bëj nder-të të bëjnë, jep- të të japin, mbamë- të të mbaj…Këtu nuk ka të majtë apo të djathtë, këtu ka klane të caktuara sa majtas dhe djathtas që bëjnë ligjin: Abuzojnë me detyrën me emërimet që bëjnë apo me tenderët e majmë që marrin. Nëse fati është e nesërmja e pritshme, atëherë le të mos presim të nesërmen, por t’i paraprijmë e ta ndërtojmë vetë atë, pasi asgjë nuk na bie nga qielli! Shpresa është pikërisht ndalimi i të priturit. Asgjë nuk është e pamundur.
Sigal