Bardhyl Berberi/ Politikanët tanë flasin përçart

618
Shqiptaria gjendet në udhëkryq. Edhe gjatë ditës së sotme ka patur akuza dhe kundërakuza nga pozita dhe opozita, të dyja palët qëndrojnë në llogoret e tyre dhe konsensusin për reformën e kanë flakur si top futbolli sa nga njëra fushë tek tjetra… Populli e ka kuptuar tashmë se kjo klasë politike është tërësisht e degraduar, ai e ka të qartë se ka nevojë për udhëheqës të vërtetë, atdhetarë të përkushtuar dhe të papërlyer në afera korruptive. Ai ka nevojë për udhëheqës, të cilët janë të shtyrë nga dashuria për kombin jo nga delenxhinjtë që vjedhin popullin dhe çdo ditë shohim që politikanët tanë flasin përçat …Polarizimi politik midis të majtës dhe të djathtës është negativ dhe ka rritur tensionin tek ne. Forcat regresive po vazhdojnë të na mbajnë peng, për interesat e tyre abuzive. Jetojmë në epokën kompjuterike ku lajmet shpërndahen menjëherë, kudo dhe efekti i tyre negative është paralizues. Koha në të cilën ne jemi tani është një kohë kur të gjitha gjërat e fshehura nga një takëm politikanësh në shoqërinë tonë dalin sheshazi: korrupsion, koncesione skandaloze dhe plot afera të tjera. 

Njerëzit po bëhen të vetëdijshëm për të bërë zgjedhjen e duhur në lidhje me gjithë këto skandale që pëlcasin çdo ditë dhe duket se ka një ambientim me situatën dhe të keqen. Çdo skandal që ndodh nuk na i vret më veshin si më parë. I ndodhur mes trishtimit dhe pesimizmit dikush thotë: Nuk kemi se çfarë të bëjmë, ky qe fati ynë, kjo klasë politike na ra në hise… Jo, një takëm prej tyre u ngjajnë disa sundimtarëve injorantë të pashkolluar, por që janë mjeshtra për korrupsion. Ata janë të varur nga paratë, të cilat i vënë duke abuzuar me pushtetin. Ata mund të blihen lehtë, me lekë ose me dhënie koncesionesh, shpirtin e kanë të shitur vetëm tek paraja. Shqiptarët kanë nevojë për udhëheqës. Ne kemi nevojë të shpëtojmë veten nga të këqijtë që fatkeqësisht po bëhen shumicë dhe po na mbytin si një epidemi. Ne duhet të hapim rrugën për të shembur të keqen që na ka kapluar keqas. Ndërkaq në shoqërinë tonë disa liderë janë të mbuluar nga errësira, dallaverja, allishverishet dhe korrupsioni. Shqiptarët duhet të punojnë për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion. 

Meqenëse nuk kanë shumë mundësi për të gjetur një përgjigje tërësisht të përsosur, duhet të gjejnë një përgjigje të përafërt e para urgjentisht duhet të miratojmë reformën në drejtësi. Kur të miratohet reforma mos kujtoni se do të bëhet ndonjë mrekulli e menjëhershme, por shteti do të kthehet në normailitet, zyrtarët e gjyqtarët nuk do ta bëjnë baltë siç e bëjnë tani, por do të jenë më të përgjegjshëm dhe më të kujdesshëm se mund të përfundojnë mbrapa hekurave në qelitë e ftohta. Është fakt se organet e drejtësisë janë të urryera thellësisht në popull për bëmat e shumta që kanë bërë në drejtësi me abuzimet e tyre, duke vënë pasuri marramendëse. Duhet të shembet kjo ngrehinë korrupsioni. Ata që shtyjnë reformën realisht shtyjnë agoninë e tyre se reforma do të miratohet. Duke e thënë të vërtetën, se reforma me çdo çmim do të miratohet, mobilizohet rezistenca e atyre forcave të errësirës që e pengojnë atë. E vërteta është e rrezikshme për këtë takëm të korruptuarish që e dinë se çfarë i pret, ata duan të komprometojnë segmente të caktuar për të mbijetuar… Ne të gjithë jetojmë nën të njëjtin qiell, por jo në të njëjtën botë. Një krijesë zyrtarisht e çmendur e forcave regresive u shkatërron shqiptarëve cilësinë e jetës së tyre. Shqiptari nuk duhet të trembet nga ky takëm injorantësh të korruptuar. Shqiptari e ka vrarë frikën prej dekadash… Ai duhet të ketë shpresë për një jetë më të mirë pas kësaj reforme, e cila po zgjatet dhe stërzgjatët si një tërkuzë.
Sigal