Bardhyl Berberi/ Kush po i shkatërron kalatë e lashta të Devollit?

1143
Devoll – Janë rreth 40 objekte arkeologjike e vendbanime prehistorike në rajonin e Korçës, të zbuluara deri më sot, të cilat mund të shërbejnë si destinacion turistik, thotë specialist dhe studiuesi i arkeologjisë Kliti Kallamata për gazetën “ Telegraf “. Por veç Tumës së Kamenicës, e cila ka tërhequr e po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e studiueseve dhe vizitorëve të huaj, monumentet e tjera janë jashtë vëmendjes dhe kujdesit të pushtetit lokal. Më problematike është gjendja në luginën e Devollit, ku gjendet pothuajse edhe gjysma e këtyre monumenteve siç janë fortifikime parahistorike ilire, shpella dhe kala ose kështjella të antikitetit të vonë në fortifikimet mesjetare shqiptare, të cilat nga dita në ditë po shkatërrohen. Natyrshëm lind pyetja kush po i shkatërron këto objekte të veçanta arkeologjike? Duke folur për gazetën “Telegraf “specialisti Kallamata sjell shembull Kalanë e Ponçarës e Menkulasit, në Komunën Miras, shpallur monument kulture në vitin 1973, të cilën persona të pandërgjegjshëm që gjurmonin ar me makineri të rënda gërmimi, e rrafshuan atë para disa kohësh nga faqja e dheut. Nga makineri të tilla që përdoren për të shfrytëzuar në sipërfaqe me karrierë minierën e Bitinckës, është dëmtuar e po shkatërrohet edhe Kalaja e Bilishtit, shpallur monument kulture që në vitin 1963 dhe monumente të tjera arkeologjike si Kalaja e Bellovodës dhe ajo e Ventrokut, shpallur monumente kulture prej vitit 1973. Instituti i Arkeologjisë dhe Drejtoria e Monumenteve, kanë ndërhyrë herë pas here për parandalimin e punimeve të firmave të prodhimit të inerteve që kërcënojnë shkatërrimin e këtyre monumenteve të kulturës, por qëndrimi i komunave që i kanë ato në territorin e tyre është i pa përgjegjshëm. Gjithashtu Drejtoria e Muzeut Arkeologjik në Korçë ka bërë hartën e dixhitalizimit të tyre dhe u ka kërkuar Bashkisë dhe komunave të rrethit financimin e një guide aq të domosdoshme jo vetëm për zhvillimin e turizmit, por që do ti shërbente edhe inventarizimit dhe mbrojtjes së këtyre monumenteve. Mjaft prej tyre ruhen në gjendjen në të cilën janë gjetur. E tillë është edhe Kalaja e Trajanit, e cila është shpallur monument kulture në vitin 1963. Kjo kala ndodhet në verilindje të fshatit Tren në zonën e Devollit dhe është kalaja më e madhe e periudhës së parë të Hekurit në vendin tonë. Ajo ngrihet mbi një kreshtë malore të lartë 1245 m mbi nivelin e detit. Pjesa jugperëndimore e saj vjen e butë, derisa ngjitet në zonën më të lartë që ka formën e një platforme të sheshtë të përshtatshme për banim, ndërsa pjesa veri e verilindore është krejtësisht shkëmbore dhe bie pingul mbi liqenin e Prespës së Vogël. Kalaja e Trajanit ndahet në pesë pjesë prej mureve që e rrethojnë. Rrethime të plota në fakt, sipas studimit të bërë, formojnë muri më i poshtëm dhe ai më i sipërm. Dy muret e tjera, kryesisht me lidhje të thatë, mbeten të hapura brenda sipërfaqes së kalasë. Nga materialet e gjetura në kala dhe në afërsi të saj rezulton se kalaja ka qenë banuar, në pjesën e parë të epokës së Hekurit. Në periudhën e dytë të Hekurit vendbanimi u braktis për tu zhvendosur 1 km më tej në perëndim në kodrat e Gorricës. Në kohën e vonë antike Kalaja e Trajanit u rifortifikua por vetëm në pjesën e sipërme të saj. Madje perandorët romakë kalonin më shumë kohë në qytetet kufitare, se sa në pallatet e tyre në Romë. Midis tyre kishte burra të shquar, një prej të cilëve ishte Perandori Trajan. Ai jetoi njëqind vjet pas Krishtit dhe shumë kohë pas vdekjes së tij, njerëzit vazhdonin ta mbanin në gojë për drejtësinë dhe mirësinë e tij… Trajani nuk udhëhoqi vetëm ekspedita ushtarake. 
Prej emrit të tij mendohet që ta ketë marrë emrin jo vetëm Kalaja ( e Trajanit), por edhe vendbanimi i lashtë historik i Devollit i quajtur Tren që është i populluar edhe sot. Në përgjithësi në periudhën e pushtimit romak në të gjithë këtë zonë ka pasur një zgjerim shumë të madh të qendrave të banuara të fortifikuara e të pa fortifikuara. Përveç shpellës së Trenit, Ventrokut dhe kalasë së Trajanit, e cila tani forcohet me mure të ndërtuara me llaç, të banuara kanë qenë arat në fund të fshatit Tren, Gorica dhe Pavliqi, ku janë bërë gjetje me vlera të mëdha shkencore.
Në këtë qark monumentet e kulturës janë lënë në mëshirën e fatit mjafton që ju mund t ‘iu kujtojmë një kullë pesë katëshe 300 vjeçare në fshatin Dërdushë unikale në llojin e saj e cila është rrënuar krejt apo urën e Llëngës pjesë e rrugës Egnatia e shembur me dinamit nga persona të panjohur që kërkojnë thesare arti nëpër këmbët e këtyre urave apo kalave të lashta që po kërkojnë thesare floriri. Deri kur do të vazhdojë ky rrënim i kalave të lashta dhe urave të rrugës Egnatia vlera unikale për kulturën tonë kombëtare.
Sigal