Bardhyl Berberi: Epidemia e fajdexhinjëve që po shkatërron familjet shqiptare

522
Sigal

Dhënia dhe
marrja e parave me kamatë është një dukuri që ka marrë përmasa të mëdha në shoqërinë
shqiptare. Nga qindra euro që merren në fillim, me kamatat pastaj përfundojnë
në mijëra e deri në milion euro. Njerëz të vrarë, familje të mbetura pa  shtëpi 
 dhe prona të konfiskuara janë
pasojë dhe rrjedhojë e këtij biznesi për dikë fitimprurës. Gazeta “Telegraf “
hulumtuar një pjesë të këtij biznesi përfitues për ata që japin paratë. Janë
grupe njerëzish që kanë vënë para të pista me drogë,  prostitucion dhe korrupsion. Është ky takëm  që e quajnë veten të fortë, dhe parellinj  që janë të gatshëm në çdo moment për të ofruar
mijëra euro me kamatë, dhe që paratë i japin me deponimin e hipotekave të
ndryshme nga shtëpitë, pronat e patundshme, dyqanet, veturat dhe sende  të tjera me vlerë. F. M., 40 vjeçar nga
Pogradeci,  dikur thekson, se ka punuar në
një biznes të tillë, por që tani ka hequr dorë, sepse nuk ka pasur ndjenja për
ta bërë një punë të tillë. “Kam dhënë shumë pare, sepse nuk i shfrytëzoja ato
për ndonjë investim. Kamatat ishin të larta prej 10 deri në 20 për qind, por që
më pas hoqa dorë dhe nuk arrita t’i merrja as paratë e mija, sepse kuptova që
njerëzit u bënë viktima e nuk mund t’i shpëtonin rrethit fatkeq, për shkak të
shumave të larta të parave që duhej të kthenin”, thekson ish-kamataxhiu F. M. për
gazetën “Telegraf”, i cili shpjegon gjithë funksionimin e këtij biznesi. Disa
grupe të organizuara bëjnë skenarë të ndryshme, duke manipuluar me klientët e
tyre dhe duke u`a rritur kamatat në rrethana të ndryshme. Ka raste, kur vjen
dita për ta paguar kamatën,  fajdexhiu që
ka dhënë paratë, zhduket dhe humbet nga kontakti shkon qëndron nëpër pika
turistike jashtë vendit në shtetin fqinjë apo me pushime në Turqi apo Spanjë,
dhe vjen me disa ditë më vonë, mirëpo sapo kthehet pas 20 ditësh kërkon para
shtesë për shkak të kalimit të afatit të dorëzimit të parave nga klienti. Këto
momente janë trishtuese, sepse shoqërohen me frikësim, armë dhe dhunë”. Marrje
peng të këtyre fatkeqëve, kanë arritur deri atje, sa i kanë mbyllur nëpër gryka
galerish miniere të braktisura. Ka shumë noterë që kryejnë akte noteriale
problematike në favor të fajdexhinjve, madje falsifikohen dhe firma të
personave që kanë vdekur apo flaken prindër të moshuar në rrugë, pasi djali i
tyre është zhytur në borxhet e fajdeve, siç ndodhi me një farmacist në Korçë, ku
me anën e  firmave të falsifikuara të
prindërve, pa pjesëmarrjen e tyre në aktin noterial, u përballën me dhunën e
fajdexhinjve. Apo rasti i një bojaxhiu, që gruaja i kishte vdekur para 10 vjetësh
dhe firma figuronte e falsifikuar në një akt noterial. Prokuroria dhe organet
kompetente duhet që të merren me këto raste dhe shkaktarët e këtyre dramave
familjare duhet t`i venë para drejtësisë. Vetëm në qarkun e Korçës janë  mbi 30 raste të tilla që kanë përfunduar tragjikisht
me vetëvrasje dhe  mbi 50 persona që kanë
humbur shtëpinë, veturat luksoze, troje. Këto janë raste që janë investiguar nga
gazeta “Telegraf”.  Policia duhet të ketë
një zyrë të veçantë hetimore që të hetojë këto shushunja që iu pinë gjakun këtyre
fakirë fukarenjve. Duhet të ekzistojë një njësi ku të sensibilizuese në ndihmë
të qytetarëve ku njohës të kësaj problematike, e cila në këtë kohë krize po ha
jo pak koka njerëzish, plus halleve që kanë. Zyrtarë të kësaj ministrie kanë
theksuar se në MPB ekzistojnë njësi që merren me këtë punë dhe inspektorët
veprojnë aty ku ka dyshime dhe janë të gatshëm për të ndihmuar qytetarët dhe
personat abuzues t`i çojnë para ligjit. Ky fenomen i fajdeve po kthehet në një
epidemi që po shkatërron familjet shqiptare: ka qindra divorce të çifteve që
ndahen, duke lënë fëmijët rrugëve nga këta kryefamiljarë që kanë marrë fajde,
madje kanë kryer edhe vetëvrasje, të cilat janë shtuar. Çdo ditë dëgjojmë drama
të jashtëzakonshme familjare për shkak të fajdeve që kanë zëvendësuar  piramidat, që shkatërruan vendin në vitin
1997!