Avni Nezaj: ‘Bermuda’ dhe Foltorja

262
Një debat i stisur pa pikë shije u zhvillua gjatë ditës së djeshme në Kuvendin e Shqipërisë. Basha hidhte topin, e priste Rama, e pastaj ERTV-të e pasonin te qytetarët e shumtë që kanë halle në këtë vend e janë ngopur nga ky lloj teatri absurd që vetëm shpërlan trurin e nuk jep zgjidhje.
Sigal

Kanë dy vjet njerëzit që jetojnë në çadra e akoma nuk kanë pikë shprese që të gjendet një zgjidhje për ta. Ndërkohë Rama e Basha tallen në shfaqjen e radhës me idetë dhe projektet e njëri – tjetrit.

Basha është si në ëndërr dhe i duket se nuk është në opozitë. I ka ngelur ora në vitin 2011 kur Arben Ristani e “mori në qafë” dhe i dha drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Eshtë e vetmja fitore e tij në politike. Të tjerat, që mendon se i ka, i ka nga kush i ka.

Ndërkohë që Rama është komod në karrigen e tretë të kreut të qeverisë dhe gjen kohë dhe tallet se ka përballë një opozitë emocionale dhe pa projekte konkrete. Një opozitë që edhe pse iu vodhën votat, sot me qetësi dhe dashuri i nënshtrohet rregullit “demokratik” të shumicës që çdo projekt i saj të mos kalojë e të mos miratohet. Apo çdo marrëveshje me pushtetin të prishet si ato të mëparshmet për zgjedhjet e 2021 që ishin bërë me herët edhe në “tokë neutrale”, por që u dogjën shpejt.

Ndërkohë i “trimëruar” shumë, Lulzim Basha përmendi në parlament Trekëndëshin e Bermudës. Këshilltarët duhet t’ia kishin treguar përciptazi konceptin shkencor të kësaj pike të globit. Kreu i opozitës duke u munduar të konkurrojë “Liderin global” në përmendjen e çështjeve që nuk kanë lidhje me Shqipërinë, por janë ndërkombëtare dhe i nisur “pa faj” për të zgjeruar dimensionin e “dijes” bën thjesht kopjen e silogjizmave të Ramës dhe krijon një imazh të një njeriu absurd dhe aspak korrekt politikisht.

Bermuda është vërtet një vend i frikshëm për lundërtarët, por Basha i pamësuar me përballje të vërteta e kërkon atë shumë larg. Ai është mësuar vetëm të shërbejë. Duhet t’i thotë dikush që vetëm 50 km nga Tirana është Foltorja e radhës e opozitës, e ai mund të kërkojë t’i bashkohet që të kuptojë se kush janë votuesit, elektorati i partisë së tij dhe çfarë mendojnë ata edhe për të edhe për aksionin e tij të fuqishëm, për të qëndruar gjithmonë në opozitë.

Foltorja do të jetë me siguri Bermuda e Ramës dhe Bashës së bashku, që kanë 8 vjet që u kanë vënë lakun në fyt shqiptarëve me dilemën, ose te ikin ose të nënshtrohen.
Basha kërkon hajdutët te Rama, por ata që i sollën humbjen janë shitësit si ai, dhe ata përreth tij që shesin mend e pordhë gjithë ditën në kuvend, me ndonjë analizë humoristike, apo nëpër studiot e TV—ve pa prodhuar elektorat dhe frymë. Pa krijuar bindje. Prandaj frika nga Bermuda është mirë të llogaritet si opsion zhvillimi. Basha ka aftësi të paralajmërojë humbje, por fitoret as nuk i paralajmëron dot, jo më t’i arrijë. Edhe kur bën ndonjë paralajmërim, gjen krahasimin e gabuar…