Av. Zaçe Islami/ A u krye reforma në drejtësi…?

822
Kanë kaluar tre javë nga dita që mori fund odiseja e gjatë e miratimit të reformës në drejtësi dhe ndryshimit të kushtetutës.
Edhe pse deri më sot nuk është bërë e qartë në detaje as për opinionin publik as për juristët e sistemit të drejtësisë, përsëri nga aq sa dalin me pikatore në shtyp del një konkluzion i përgjithshëm: Reforma në drejtësi që u miratua nën diktatin perëndimor është një NUL.
Personalisht jam ftuar në disa kanale televizive për të dhënë mendimet e mia si jurist në lidhje me reformën në drejtësi qysh në krye të herës, konkretisht qysh në Shtator të vitit të kaluar dhe përgjigja ime ka qenë një JO e prerë që do të thotë se nuk do bëhet reformë në drejtësi por thjesht mund të bëhen ca arnime të pjesshme të shoqëruara me një propagandë marramendëse por pa rezultat të prekshëm. Mendoj se koha më vërtetoi pasi në të vërtetë me aq informacion sa na vihet në dispozicion them me plot gojën se nuk është vënë gishti në plagë, që do të thotë se kancerit korrupsion në politikë dhe në drejtësi i janë prerë disa metastaza por vatra qendrore nuk është prekur. Natyrisht që ashtu sikundër e kisha parashikuar, vatra qendrore nuk u prek pasi kjo do kërkonte disa veprime dhe ligje radikale që e përkthyer në praktikë do të thotë që të boshatiset parlamenti i pari pastaj gjykatat me radhë, por dhe të flasim më konkretisht.
Që të jesh gjyqtar i aftë dhe i ndershëm në radhë të parë duhet të jesh zbatues i përpiktë i ligjit që do të thotë se nëse x gjyqtar apo kolegj gjyqtarësh marrin një vendim të kundraligjshëm, të kontestuar dhe të rrëzuar nga gjykatat e shkallëve të larta të gjyqësorit automatikisht marrësi apo marrësit e këtij vendimi duhet të largohen nga detyra dhe njëkohësisht të penalizohen dhe të paguajnë edhe dëmin ekonomik shtetit apo individit. Një ligj i tillë do të bëjë që cilido gjyqtar apo prokuror para se të vendosë për një çështje të mendohet mirë për pasojat që mund të ketë nga një vendim i marrë në kundërshtim me ligjin. Këtë pikë që unë e kam përsëritur disa herë, absolutisht se e ka zënë njeri në gojë as nga komisionet as nga politikanët as nga partnerët tanë ndërkombëtarë.
Një çështje tjetër, që për mendimin tim është thembra e Akilit në hartimin e kësaj reforme, është zbulimi dhe dënimi i elementëve të korruptuar në sistemin e drejtësisë dhe në sistemin politik të vendit. Për të zbuluar zyrtarët e korruptuar të çdo niveli të sistemit politik dhe gjyqësor kam kërkuar që të bëhet REGJISTRIMI I PLOTË NË SHKALLË VËNDI I PASURIVE TË PA LUAJTËSHME, duke deklaruar origjinën e pasurisë që do të thotë origjinën e parave që është financuar x objekt. As këtë kërkesë nuk e gjejmë askund në reformën e miratuar më 21-07-2016 që e përkthyer në gjuhën ekonomiko-juridike kjo reformë nuk është gjë tjetër veçse një amnisti fiskale për çka ka ndodhur në të kaluarën duke mos e cekur fare problemin e zyrtarëve të korruptuar. Shtypi nga ana e tij, që në tërësi është në duar të atyre që kanë probleme me pronat dhe origjinën e tyre, deri më sot nuk i është afruar fare këtyre dy problemeve themelore për të bërë një reformë të plotë në drejtësi dhe për të vendosur gurët e themelit për një drejtësi sa më afër të së drejtës(se drejtësi të kulluar as ka pasur as do ketë pasi nuk ka etalon drejtësia sikundër kanë masat e gjatësisë dhe të peshës) por është kthyer në një armë shumë të fuqishme propagandistike në duar të oligarkëve që kanë uzurpuar drejtësinë dhe politikën duke vazhduar të bëjë vetëm propagandë pa asgjë konkrete. Është folur shumë për ryshfetet që marrin gjyqtarët e prokurorët duke përmendur avokatët.
Avokatët nuk kanë pushtet dhe si të tillë nuk mund të ndikojnë në vendimmarrje kështu që nuk mund të akuzohen avokatët për këtë nivel kaq skandaloz të korrupsionit në sistemin gjyqësor shqiptar. Këtu nuk përjashtohen disa “ emra të mëdhenj” avokatësh të cilët marrin çështje “të mëdha” pasi është sekret shoqëror që këta “të mëdhenj” cilësohen të tillë jo se janë më të aftë se të tjerët pasi ligjet njëlloj i interpretojmë të gjithë , këta janë “të mëdhenj” pasi të gjitha çështjet që “i fitojnë” opinioni publik i shikon i ndjek dhe buzëqesh me ironi pasi e dimë mirë mekanizmin e këtyre “fitoreve” Një fenomen për të cilin nuk flitet fare është fenomeni BIXHOZ për gjyqtarët e prokurorët të cilët janë klientë të rregullt të kazinove dhe basteve të ashtuquajtura sportive pasi është një tregues themelor i karakterit dhe ndershmërisë së tyre. Për këtë problem në reformë duhet shikohet me shumë seriozitet çështja e veseve që mund të kenë gjyqtarët dhe prokurorët problem të cilin sipas mendimit tim duhet ta kontrollojë shërbimi i inteligjencës. E them këtë pasi nga burime të ndryshme mësojmë se shumë deputetë, zyrtarë të lartë dhe prokurorë e gjyqtarë janë frekuentues të rregullt të kazinove kudo në Shqipëri madje edhe nëpër kazinotë e vendeve fqinjë. Kjo reformë që u miratua, sikurse e them në fillim të shkrimit tim është NUL edhe për një arsye tjetër: emërimet në drejtësi mbetën ashtu siç kanë qenë deri më sot, në duar të politikës çka do të thotë se edhe në të ardhmen pushteti ekzekutiv do ushtrojë presion mbi vendimet e gjyqtarëve pra s’do ketë drejtësi. Por si mund të zgjidhet një ngërç i tillë? Fare thjeshtë:Me qëllim që drejtësia të jetë me të vërtetë e pavarur gjyqtarët dhe prokurorët të zgjidhen me votë nga populli ashtu si deputetët por pa përkatësi partiake, që do të thotë në fletën e votimit gjyqtarët e prokurorët të jenë zë më vete. Duhet të pranoj që kjo nuk do bëhet kurrë pasi politika kurrën e kurrës nuk do ta nxjerrë drejtësinë nga ombrella e saj ndaj edhe unë qysh në fillim të opinionit tim them se reformë të mirëfilltë dhe drejtësi të mirëfilltë nuk do të kemi asnjëherë.
Sigal