Av.Valbona Myhedin/Punësimi masiv në Shqipëri, një mundësi reale

624
Sigal

Në programin e Qeverisë aktuale pasqyrohet një rritje ekonomike e konsiderueshme dhe hapje vendesh pune të shumta, po në fakt papunësia është shumë e madhe, me gjithë numrin e madh të emigrantëve që kanë lënë Shqipërinë për një jetë më të mirë dhe për të punuar. Zhvillimet ekonomike “pozitive” të Shqipërisë trumbetohen vazhdimisht nga propaganda qeveritare, ndërsa në dyqane shtohen listat e popullit duke marrë veresie produktet ushqimore të domosdoshme, për të mbajtur frymën gjallë.

AK ka ndërtuar programe ambicioze dhe reale për të kapërcyer këtë krizë të madhe, të shkaktuar nga keq-qeverisja dhe korrupsioni galopant i klasës sunduese politike. Në programin e saj të hartuar në bashkëpunim me ekspertë të mirëfilltë dhe shkencëtarë të braktisur nga shteti, ka paraqitur mundësi reale për të përmbysur gjendjen e mjeruar dhe të krijoje mundësi reale për të hapur fronte të reja pune, duke u mbështetur nga vetë populli i interesuar. Burimi kryesor për zhvillimin e ekonomisë të vendit tonë është shfrytëzimi racional i produkteve të tokës në bujqësi dhe blegtori si dhe në industrinë ushqimore. Kushtet klimatike dhe vendndodhja gjeografike e Shqipërisë i japin një privilegj për zhvillimin e bujqësisë organike. Shtrirja e tokës në ultësirën bregdetare, në pllaja e kodrina deri në lartësira 1400-1600 m. të populluara si dhe pyje e kullota mbi 2400 m. lartësi, me burime ujore të bollshme si dhe me një klimë mesdhetare bën që të zhvillohet një shumëllojshmëri bimësie dhe kafshësh me tregues të lartë cilësorë në përmbajtje, dhe me aromë e shije të veçantë dhe të pëlqyeshme. Disfavoret e krijuara pas viteve ‘90-të, sidomos në shfrytëzimin racional të tokës, në ujitje, në plehërime, në sistemime, në mekanizim, dhe në kushtet e prodhimit në sera, etj kanë ndikuar negativisht në mundësitë e organizimit të prodhimit nëpërmjet një kooperimi kapitalist i të gjithë shërbimeve ,ashtu sikurse veprohet në të gjithë Europën. Kjo gjendje e krijuar, ka ndikuar negativisht tek fermerët shqiptarë për të krijuar koncepte kapitaliste,për të rritur të ardhurat për çdo hektar. Gjendja aktuale e teknologjisë së prodhimit është e prapambetur. Kjo gjendje nuk mund të përmirësohet pa një program shtetëror, jo vetëm në fushën e bujqësisë,por dhe në të gjithë faktorët që ndikojnë në rritjen e prodhimit, siç janë industria ushqimore,si dhe pajisjet e mekanizmat përkatëse. Sot kërkesat botërore për prodhime BIO po rriten me shpejtësi. Në këtë lëmë vendi ynë ka mundësi të mëdha. Duhet theksuar se për aplikimet në teknologji dhe gjenetikë, kanë detyruar të gjitha organizmat e shtetet e zhvilluara, aplikojnë një kontroll të rreptë në përdorimin e kimikateve, llojeve të farërave, të racave, duke u orientuar drejt prodhimeve natyrore.

Situata aktuale në vendin tonë, me gjithë dobësitë në organizim dhe në investimet e prodhimit e të përpunimit është e favorshme sepse mungesa e përdorimit të dozave të larta të kimikateve, apo materialeve për ndërhyrje gjenetike, ka krijuar një terren shumë të favorshëm për të realizuar prodhime me cilësi të larta natyrore. Pra kjo gjendje duhet shfrytëzuar për të rritur prodhimet BIO,jo vetëm për furnizimin e vendit, por dhe për të rritur prodhimet për eksport si perime e fruta, bimë mjekësore dhe aromatike si dhe ato blegtorale. Defiçiti i madh i bilancit tregtar që jepet mesatarisht, në raportin e Import-Eksport, në masën 9:1, tregon se prodhimi vendas është neglizhuar tej mase dhe se marrja e masave të menjëhershme për rritjen e prodhimit vendas do të shpjerë në një rritje masive të punësimit në Shqipëri. KE ka adoptuar kohët e fundit një komunikatë të rëndësishme për nxitjen e Shoqërive të Bashkëpunimit Reciprok,që do të sjellin një rritje të madhe të zhvillimit dhe të punësimit. Në BE numërohen rreth 300.000 kooperativa, që kanë angazhuar në punë rreth 4.8 milionë njerëz dhe që ushtrojnë ndikim në jetën e përditshme në një popullsi prej 140 milionë. Për këtë veprimtari janë miratuar në Parlamentin Shqiptar dy ligje: Ligji Nr.8088 datë 21.03.1996 “Për Shoqëritë e Bashkëpunimit Reciprok” si dhe Ligjin Nr.9039 datë 27.03.2002”Për Disa Shtesa të Ligjit Nr.8088.” Këto dy vendime jo vetëm që nuk kanë vepruar , por më keq akoma nuk janë njohur aspak si nga dikasteret po ashtu dhe nga institucionet përkatëse. Ne mendojmë se këto vendime shërbejnë si pikënisje për një progres dhe hapësira të reja në organizimin me rentabilitet të prodhimit bujqësor. Themelimi i kooperativave kapitaliste bëjnë të mundur që anëtarët që operojnë në to ,do të arrijnë të zotërojnë kapitale të nevojshme për projekte të mëdha investimesh,duke iu ofruar Bankave garanci të përshtatshme. Këto Shoqëri krijojnë kushte jo vetëm për kreditim bankar por dhe për financime shtetërore dhe ndihma specifike nga vendet e tjera sidomos nga organizata Europiane FEDAG. Krijimi i këtyre Shoqërive do të ndikojë në ruajtjen e vendeve lokale të punës dhe do të furnizojnë me shërbime lokale në një kontekst të globalizimit të ekonomisë, duke manifestuar një farë stabiliteti gjeografik. Në këtë mënyrë ato i kundërvihen braktisjes së zonave rurale dhe kontribuojnë në zhvillimin e rajoneve e të zonave të pafavorshme.

KE është shumë e interesuar për zhvillimin e prodhimeve bujqësore në Shqipëri. Sipas rregullores së EC Nr.374/2005 datë 25.02.2005, Shqipëria është e ngarkuar të prodhoj e të eksportojë në Europë sheqer nga panxhari(për këtë problem është realizuar dhe studimi përkatës). Detyra i është dhënë Shqipërisë që të mbjellë rreth 30 mijë ha ,për të prodhuar rreth 250-300 mijë ton sheqer. Ky prodhim është me interes dhe për fermerët shqiptarë që kanë përvojën e duhur. Ne jemi i vetmi vend në Europë që kemi ndërprerë prodhimin e panxhar-sheqerit, si dhe i vetmi vend në Europë që konsumojmë sheqer nga kallam-sheqeri, përdorimi i të cilit është i ndaluar në Europë dhe se përdorimi i tij jep ndikime të drejt për drejta në shëndetin e njerëzve Po e analizojmë leverdinë e prodhimit të panxhar-sheqerit duke e krahasuar me grurin.

Në një ha tokë bujqësore merret 3 ton prodhim me një të ardhur rreth 600 USD ,plus kashtën, ndërsa me panxhar merren 50 ton prodhim,duke siguruar 7-8 ton sheqer,2-3 ton melase dhe 30-40 ton bërsi, me të ardhura rreth 4000-6000 USD plus vlerën e produkteve dytësore që tek panxhari janë 10 herë më të larta. Po kështu bëhen llogaritë për fruta dhe perime deri në tregtimin e tyre në furnizimin e popullatës dhe për eksport. Një bazë e rëndësishme e prodhimit të përqendruar është dhe grumbullimi dhe përpunimi i bimëve mjekësore-aromatike nga të cilat sigurohen të ardhura të mëdha. Për këtë qëllim janë bërë shumë studime nga shkencëtarë të vendeve europiane, në veçanti nga Italia, për prodhimin dhe furnizimin me këto produkte dhe ekstrakte si dhe për ndërtimin e një industrie farmaceutike me origjinë bimore. Një zhvillim i madh i prodhimit vendas do të kontribuonte dhe në zhvillimin më të madh të turizmit, për të cilin vendi ynë i ka të gjitha shanset të zërë një pozicion elitar midis vendeve që e zhvillojnë tradicionalisht .

Shqipëria është e njohur për pasuritë minerale. Në kohën e punizimit industria minerare ishte pararojë e ekonomisë së vendit. Nga shfrytëzimi i mineraleve merreshin të ardhura shumë të mëdha. Aktualisht fitimet nga pasuritë minerale shkojnë në xhepat e një klani të caktuar dhe problemi i punësimit në to lë për të dëshiruar, kjo dhe konkretisht nga vdekjet e shpeshta në vendet e punës, nga mosmarrja e masave të përshtatshme për sigurimin teknik po dhe për përmirësimin e kushteve të jetesës. Nga zonat minerare është shfrytëzuar dhe përfituar vazhdimisht, po shumë pak u është kthyer banorëve përkatës apo vetë punonjësve të minierave. Një specialist i huaj, në vitet ‘80-‘90, kur u njoh me rezervat e kromit në Bulqizë, u shpreh që me këtë pasuri, qyteti i Bulqizës duhet të ishte tërë luks me të gjitha privilegjet e një qyteti të pasur e të begatë, ndërsa rrjedha e jetës ka shkuar krejt ndryshe. Atje si dhe në të gjitha zonat minerare ka vetëm varfëri dhe dhimbje. AK në programin e vet ka ndërmend të rimëkëmbë zonat minerare, me një politikë krejt ndryshe nga ajo aktuale. Një pjesë e mirë e të ardhurave të minierave do të shkojë në dobi të vetë zonave përkatëse dhe banorëve të tyre. Bazuar në shpërndarjen gjeografike të vendburimeve dhe shfaqjeve të mineralizuara, ka mundësi të konsiderueshme punësimi për banorët e zonave përkatëse. Në plan të parë do të jenë zonat minerare krom -mbajtëse, bakër-mbajtëse. Një interes të veçantë paraqesin zonat e mineralit të hekur-nikelit dhe nikelit –silikat në Kukës dhe në Devoll. Këto dy zona janë shumë potenciale për sa i përket rezervave. Dhënia si koncesion investitorëve të fuqishëm e tyre, do t’i kthente këto zona në burime të ardhurash për shtetin po dhe për vetë banorët e këtyre zonave duke ndikuar ndjeshëm dhe në ekonominë e vendit.

Nuk duhen harruar dhe vendburimet e materialeve të ndërtimit (gëlqerorët, argjilat, gurët dekorativë etj.) rërat bituminoze. Futja në shfrytëzim e këtyre pasurive do të sillte një punësim të konsiderueshëm të popullatës pranë këtyre zonave. Një politikë e favorshme për rritjen e prodhimit kombëtar në të gjitha sferat e jetës, do të sillte një rritje masive të punësimit, një rritje të nivelit të jetesës dhe do të largonte nga mendja e shqiptarëve idenë e braktisjes së vendit.