Asije Hoxha: Asdreni, autori i Himnit Kombëtar , rikthehet në shkolla

179
Sigal

 

 Vendimi i Qeverisë

Në 555-vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, (17 janar 2023)  kryeministri Rama ka njoftuar  se është marrë vendimi që çdo të hënë nxënësit në shkolla të këndojnë  Himnin kombëtar. “Himni i Flamurit që këndohet nga të gjithë nxënësit e shkollave sot, në ditën e 555-Vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, si edhe me vendimin që do të këndohet himni në çdo shkollë, në krye të çdo jave të re mësimore- shkruan

Rama në Facebook.

Dhe ja dita e hënë erdhi! Sapo kalon pranë një shkolle dëgjon korin e nxënësve të entuziazmuar që këndojnë Himnin Kombëtar dhe mbushesh me krenari që nxënësit e filluan ditën e hënë me entuziazëm të rilindjes së ndjenjës kombëtare nëpërmjet një simboli të kombit shqiptar “Betimi mbi Flamur “, Tregues që ndjenja kombëtare pot a ushqesh rilind fuqishëm  edhe tek nxënësit e shkollave.  Gjiithashtu oshëtima e këtij himni tregon se përmbët fjalët e hedhura poshtë e përpjetë në media, ku një masë e limituar tregohet indiferente ndaj këtij vendimi…nuk i bën përshtypje…

Kush është Autor i “Himnit Kombëtar shqiptar?

Aleks Stavre Drenova, i njohur në letërsi me pseudonimin Asdreni, lindi në Drenovë të Korçës më 1872. Vdekja e parakohëshme e dy prindërve e detyroi të emigrojë që në moshën 17 vjeç në Rumani. Në vitin 1892 u bë anëtar i shoqërisë ‘Drita’ themeluar nga shqiptarët në Bukuresht.

Që nga viti 1900 Asdrenin do ta gjejmë artikuj në revista dhe gazetat shqiptare të kohës dhe poezitë e tij do botohen njëra pas tjetrës. Në vitin 1903 Asdreni botoi 88 poezi me titull “Rreze Dielli” Për këtë vëllim vetë Çajupi i shkruan: “Të lumtë! Ja vjersha që ndrijnë si rrezet e diellit! Ja! Vjershëtor i vërtetë! Nuk mund të them se ç’ndiej në zemër… Tani besoj se Naim Beu nuk vdiq… se vendi që la ai bosh e zure ti…ndaj dua të mbaroj këtë letër si e nisa “Të lumtë! Të lumtë!

Kur lëvizja jonë nga një lëvizje kulturore patriotike, po kthehej përsëri në një lëvizje të armatosur për lirinë e Atdheut Asdreni bëri një shërbim të madh si njeri i njohur dhe i respektuar nga të gjithë. Ai mbledh ndihma bashkë me të tjerë dhe ua dërgon kryengritësve në Kosovë. Besimi i tij për fitore është tek kryengritja e armatosur.

Në vitin 1909 shqiptarët e Bukureshtit shkëputin kishën e saj ortodokse nga Kisha greke dhe ngritën të parën kishë shqipe pas asaj të Bostonit në Amerikë. Asdreni një nga autorët kryesorë të ndarjes së kishës përpiloi edhe këngë patriotike, ndërmjet tyre edhe Hymnin tonë Kombëtar

“Betimi mbi Flamur”. Në fillim Hymni u këndua nga kori i Kishës së Shëngjergjit në Bukuresht dhe u përhap në Shqipëri me anë të atdhetarit dhe shkrimtarit Hilë Mosi që nga Korça më 1910.

Ka botuar katër vëllime poetike: 1. Rreze Dielli-1904,  2. Ëndrra dhe Lot -1912,  3.”Psallme Murgu” 1930 dhe “Këmbana e Krujës”, të cilën nuk arriti ta botojë për së gjalli. Vdiq më 11 dhjetor 1947.

Himni i Flamurit – Historia

Himni i Flamurit” ose titulli i gabuar “Rreth Flamurit të Përbashkuar” me të cilin njihet më shpesh, është përdorur për herë te parë në 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Fillimisht himni ishte një marsh rumun i përdorur edhe si himn kombëtar. Kënga e bërë nga Ciprian Porumbescu ndërsa autor i tekstit Rilindasi Asdreni. Hymni njihet zyrtarisht në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si Himni i Flamurit shqiptar.

Deri më tani, poeti Lasgush Poradeci është ai, i cili ka përshkruar dhe botuar i pari historinë e krijimit të himnit tonë L. Poradeci bëhet edhe rrëfyesi kryesor për këtë ngjarje madhore. Në rrëfimin e tij të tërheq vëmendjen një hollësi. Kjo hollësi lidhet me faktin e thjeshtë se askush në ato çaste historike për Shqipërinë, nuk mendonte se ajo këngë e ngritur dhe e kënduar për të parën herë nga kori i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, do të ishte himni i ardhshëm. Ja ç’thotë Lasgushi: -…me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me qëllimin e posaçmë që të shërbejë si Himn Kombëtar, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit”. Sipas Lasgush Poradecit, ky u zgjodh si himni i Shqipërisë sepse: “… kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë…”. Me pak fjalë, kjo do të thotë që ngritja e flamurit nën tingujt dhe fjalët e “Betimit mbi flamur” ishte vetëm një akt formal nga ana e Ismail Qemalit për ta njohur këtë këngë si këngën tonë kombëtare.

 Vlerësime

Rexhep Qosja

… Asdreni është një krijues me dy unë. Me unin e patriotit, që shkruan poezinë e angazhuar poetike, sociale dhe politike, që i përgjigjet imperativit historik, dhe me unin tjetër, me unin e mendimtarit që shkruan poezinë meditative, që i përgjigjet zërit intim me dilema dhe kontradikta psikologjike e morale.

Mitrush Kuteli

Vepra e Asdrenit qoftë poezi, qoftë prozë është e frymëzuar thellësisht prej një dashurie vullkanike për Shqipërinë.

Odise Paskali

Në kujtimet e vitit 1930, Odise Paskali shkruan për takimin me Asdrenin.

“Një pasdreke e pashë Asdrenin të vijë dhe të ulet vetëm në një tavolinë përjashta te Kafe Sahati në Tiranë. M’u duk si herë të tjera shpirtërisht i largët dhe i vetmuar. Mendova se nuk duhej humbur rasti të njihesha me të. U ngrita dhe vajta në tavolinë Për të isha një i panjohur. Më dëftoi karrigen bosh dhe unë u ula.

-Ju jeni Asdreni,-i thashë?

Më shikoi me sy pa folur dhe unë lexova në fytyrën e tij se më kishte marrë për ndonjë nga ata që e mërzitnin me shoqërinë e tyre.

-Unë jam Odise Paskali, autor i monumenteve në Korçë. Fytyra e tij u çel, sytë i shkëlqyen.-Gëzohem dhe më shtriu dorën që ia shtrëngova përzemërsisht. Edhe ti mëmëdhetar je?

Nga ju të parët kemi mësuar,-iu përgjigja me ton mirënjohës. Heshti pak, pastaj si me zë të lodhur më tha: -Mëmëdheu, Shqipëria, është forca jonë, a dobësia jonë si ta marrësh. Ndjeva gjendjen shpirtërore të tij dhe nga frika se mos i lëndoj plagë të vjetra  e të reja mbeta në heshtje. Pas pak u ngrita duke e përshëndetur me respekt”.

Vargjet “Betimi mbi flamur Asdreni i krijoi në çastet më të vështira të luftës të popullit për ta gjallëruar lëvizjen për çlirimin Kombëtar…

 Betimi mbi flamur

(Hymni Kombëtar shqiptar)

Rreth flamurit të përbashkuar

me një dëshirë e një qëllim!

Të gjithë atij duke iu betuar

të lidhim besën për shpëtim!

Prej lufte veç ai largohet,

që është lindur tradhëtor.

Kush është burrë nuk frikohet,

po vdes, po vdes si një dëshmor!

 

Në dorë armët do t’i mbajmë,

të mbrojmë Atdhenë më çdo kënd.

Të drejtat tona ne s’i ndajmë.

Këtu armiqtë s’kanë vënd.

Se Zoti vetë e tha me gojë

që kombe shuhen përmbi dhe!

Po Shqipëria do të rrojë:

Për të, për të luftojmë ne!

 

O flamur, shenj’ e shenjtë.

Te ty betohemi këtu:

Për Shqipërinë Atdhenë e shtrenjtë,

për nder edhe lavdimn’ e tu.

Trim burrë quhet dhe nderohet

Atdheut kush iu bë theror!

Për jetë ay do të kujtohet:

M’i dhet, m’i dhet si një shenjtor!

 

Në nderim dhe përkujtim të poetit brilant të vargjeve të himnit kombëtar Banka Kombëtare Shqiptare ka bërë një prerje të re Leku 10.000 lekë.