Artur AJAZI/ Të shohësh nga e ardhmja

623
Sigal

Shqiptarët  vazhdimisht kanë qenë përpara dilemës dhe  rëndësisë jetike për të evoluar mendimin drejt një shoqërie,  e cila duhet  të shohë gjithmonë nga e ardhmja. Jeta e shqiptarëve ka vite që po shoqërohet me problematika të mprehta  sociale. Dhe kjo duket  qysh në edicionet e lajmeve,  me të cilat ne jemi mësuar dhe nuk shkëputemi kollaj.  Shqipëria  duhet  të kultivojë  e promovojë  qytetari, por  kjo është akoma  tepër e vështirë. Çmime që rriten çdo ditë, konsumi që bie, ekonomia në ngërç,  papunësi, dhe probleme me gjeneratën e re. Ekonomia  sa vjen dhe bëhet varësia jetike  për  shumicën e shqiptarëve,  dhe në fundin e tunelit  duket shpesh  një dritë e zbehtë.  Po të ndalesh tek situata me rendin  publik, duket  sikur asgjë  nuk na bën përshtypje  kur dëgjojmë  se  makinat  hidhen në erë me tritol, njerëzit  vriten  si mizat, aksidentet shumëfishohen. Mafia ka  dhe rrjetet kriminale janë ulur këmbëkryq  në  Shqipërinë  dhe  qetësia e rendi, janë terma që sfidojnë këtë qeveri. Nuk  ka ditë që rendi  dhe siguria e qytetarëve  të mos kërcënohet  nga  vrasjet, dhe krimet e tjera. Kjo nuk është  shoqëri  dinjitoze që ofron siguri dhe jetë më të mirë për fëmijët, të ardhmen e aq më tepër  nuk është  kjo, ajo  që dëshiruan 1 milion (shuplakat) shqiptarët  që votuan  rrotacionin e majtë. Duket se asgjë nuk ka ndryshuar, duket si diçka no0rmale edhe krimi, edhe grabitja, edhe vjedhja e bankave, edhe aksidentet, dhe ky normalitet i është bërë si diçka e zakonshme edhe  qeverisë, e cila  duhej të ishte  rregullatori  i mirëqenies , rendit dhe sigurisë  instrumenti  zbatimit të ligjit për  të bërë  zap  cilindo që shkel ligjin dhe krijon kaosin. Ekonomia sot është kryefjala e çdo  bisede nga shtresa më e ulët deri tek ajo më e lartë. E ndërsa e para synon sigurimin e bukës, e dyta të rrisë paratë që ka mbledhur.  As ekonomia  dhe  as trafiqet e vjedhjet e bankave nuk  po  bëjnë ndonjë përshtypje sepse qëndrimi politik është  sa provokues aq edhe  i dëmshëm. Ata që sot bëjnë politikën  e këtij vendi, e kanë përqendruar  performancën  e tyre  tek  mashtrimi, etika fallco, dhe korrupsioni. Simbioza  e europianëve sot është shikimi nga e ardhmja. Por si mund të shikojnë nga e ardhmja  ata që bëjnë politikën e këtij vendi, kur veç takimeve zyrtare, bisedat e tjera i fokusojnë tek veshja e shtrenjtë, parfumi  i shtrenjtë, vila e shtrenjtë, shkollimi  i fëmijëve i shtrenjtë dhe kjo mendësi për fatin e keq është parodia e ministrave dhe e shumicës së deputetëve.  Është e këtij kontingjenti, por  jo  e  1 milion “shuplakave”  që votuan verbërisht  në 23 qershor   alternativën e majtë. Kronologjitë e vrasjeve të ngjallin frikën, kurse deklaratat për shtyp shprehin “besimin dhe  gatishmërinë e qeverisë për t’ju gjendur pranë  çdo qytetari dhe për të ndëshkuar krimin dhe korrupsionin”.  Shqiptarët  besuan  tek ndryshimi  përmes  “rilindjes”  1 milion “shuplakat”  besuan  tek  rrotacioni  politik verbërisht, më shumë se çdo investim  tek rrugët, kanalizimet,  turizmi, ndërtimi,  tek  ndëshkimi  dhe rruga e re drejt mirëqenies europiane. Votuan  kundër atyre që  u denoncuan  për  ryshfete, për grabitje fondesh, dhe shpresuan më mirë.  Shqiptarët janë kurajozë, dinjitozë, bujarë, ata gjithmonë bien dhe ngrihen, shikojnë nga e ardhmja. Është e  pafalshme dhe kriminale t’i mashtrosh, t’i trajtosh si turmë e budallepsur, si njerëz pa vlerë, kur ata janë  më të duruar se, ç’duhet, më të mirë se ç’duhet, më bujarë dhe më tolerantë se ç’duhet. Shoqëria shqiptare nuk mund të bëjë kompromis me  korrupsionin, nuk mund të heshtë kur shikon  pasurimin e mafies, nuk mund të heshtë përballë nepotizmit,  klientelizmit dhe oligarkisë. Shoqëria shqiptare duke parë gjithmonë nga e ardhmja, nuk mund  të dëgjojë politikanë që nuk kanë strategji dhe objektiv të qartë. Duke parë nga e ardhmja  shoqëria shqiptare  dhe mendimi  i saj duhet  të  jetë  fuqia  dhe formula që duhet të lëvizë batakun, ku  aktualisht  është  zhytur  vendi.