Artur AJAZI/ Lufta e klasave, si tipar i çdo qeverie

754
Sigal

Pavarësisht kontributeve dhe mesazheve edhe nga ndërkombëtarët, të gjitha qeveritë e pas 1992-it, kanë zhvilluar dhe zhvillojnë rigorozisht një luftë të re klasore, e cila mbështetet mbi teoritë e reja si “meritokracia” dhe  “vlerë e shtuar”, të cilat nuk mund t’i adaptosh dhe implementosh asgjëkund, duke parë e konstatuar lëvizjet dhe largimet nga vendet e punës

Asnjë nga ne nuk e ka harruar luftën e klasave, edhe pse kaluan 23-vjet tranzicion i proceseve demokratike. Shpesh zbulojmë se, akoma edhe sot ky “virtyt”  i vjetër i sistemeve diktatoriale, mbetet me tipare të njëjta tek shumë nostalgjikë dhe fanatikë të asaj diktature që sundoi për  45 vjet tek ne. Fare lehtë mund të konstatosh se, lufta klasore mbetet ende tipar i çdo qeverie, edhe në vitet e gjata të tranzicionit. Nuk është e vështirë ta dallosh fenomenin e një lufte të re klasore, edhe tek mënyrat dhe praktikat që po përdoren aktualisht sot tek të gjitha institucionet e shtetit. Duke dashur të bëjnë demagogji, fare lehtë t’i dallon lëvizjet nga institucionet të profesionistëve, duke mos përjashtuar edhe ata të punësuar nga shtresa e të përndjekurve politikë. Lufta e klasave e ka zanafillën qysh tek përzgjedhja e ministrave nga Kryeministri, nga përzgjedhja e  zv/ministrave, drejtorëve të drejtorive, e deri në bazë. Duke zbritur në bazë, shikon si zgjatet zinxhiri i luftës klasore në rrethe, ku  “gjithëpërfshirja” nis nga  baballarët, vëllezërit, farefisi, miqtë dhe komisionerët e votimeve. Socialistët kanë partinë e vetme në Shqipëri, ku lufta klasore  ka platformën e saj, zbatohet me fanatizëm nga kryetari tek anëtari kryesisë, nga drejtuesi i lartë tek drejtori i vogël, e me radhë. Është një teori që detyrimisht gjen zbatimin e saj në praktikë. Mjafton të mësosh nga vijnë dhe kujt i shërbejnë drejtuesit e rinj të institucioneve, të bindesh për vazhdimin e luftës klasore. Në rrethe ashtu si edhe në Tiranë, lufta klasore bëhet sistematike. Me pretekstin e “konkurseve e testimeve të platformave dhe ideve”, lufta klasore ka marrë një ngjyrim të ri. Vijnë urdhra dhe direktiva nga lart dhe që diktojnë se “cili apo cila do të jetë  fituesja e konkursit”. Kështu po veprohet dhe do të veprohet edhe me të gjitha institucionet dhe  emërimet. Rikthimi i mjaft emrave në ministri të ndryshme të njohur si ish- oficerë të Sigurimit të Shtetit, janë dëshmi të rikthimit tek këto struktura për të konsoliduar luftën e klasave që do të vazhdojë nga institucionet ndaj demokratëve sipas modeleve të njohura të diktaturës. Nga ana e tyre edhe deputetët kanë krijuar lidhjet e tyre për të monopolizuar administratën, duke stimuluar edhe luftën klasore. Një nepotizëm emërimesh po shpërthen në të gjitha institucionet me lidhje  farefisnore, por edhe me precedentë penalë, që janë të skeduar në prokurori. E gjithë kjo situatë flet për një rikthim të luftës së klasave dhe gjueti shtrigash ndaj kundërshtarëve politikë që janë nën një trysni të përhershme. Pretendimet e fushatës elektorale se “do të zgjidhen njerëz të aftë në drejtimin e institucioneve” ka rezultuar etiketa e pikënisjes së luftës së re klasore. Krijimi i  frymës antidemokratike është lufta e re klasore. Pavarësisht kontributeve dhe mesazheve edhe nga ndërkombëtarët, të gjitha qeveritë e pas 1992-it, kanë zhvilluar dhe zhvillojnë rigorozisht një luftë të re klasore, e cila mbështetet mbi teoritë e reja si “meritokracia” dhe  “vlerë e shtuar”, të cilat nuk mund t’i adaptosh dhe implementosh asgjëkund, duke parë e konstatuar lëvizjet dhe largimet nga vendet e punës. Çdo 4 apo 8 vjet, punonjësit e administratës, i zë ankthi, gjenden nën presion periodik për vendin e punës, pas ndryshimeve politike në qeverisje. Flamurin e këtij fenomeni kaq negativ  që nuk  lejon  formimin e një administrate efiçiente dhe profesioniste, e mbajnë 2 partitë që historikisht e kanë qeverisur vendin në 23  vitet e fundit.  Ato më shumë se askush tjetër, janë përgjegjëset kryesore të ecurisë së ngadaltë të Shqipërisë drejt rrugës dhe progresit europian. Ndoshta ka ardhur koha që shqiptarët të nxisin evolucionin teorik dhe praktik të mendimit dhe aksionit të tyre qytetar, duke bërë një zgjedhje tjetër në votimet e ardhshme, për  të lënë në minorancë dy fajtorët gjenetikë të kësaj situate që po kalon vendi, administrata, ekonomia e vendit dhe demokracia .