Andrea Petromilo: Paraja, malli apo krejt vendi belik?

635
Telefonatën nga miku im i vjetër, i cili më shprehte dëshirën për të ardhur disa ditë me pushime në vendin tonë, sigurisht, fillimisht në qytetin tim(!), unë e prita jo me shumë entuziazëm. Ai kishte qenë këtu para shumë vitesh, pikërisht atëherë, kur “ diktatura bënte namin(!)” në Shqipëri dhe miku im atëherë kishte ngelur i mahnitur me të gjitha arritjet, mbi të gjitha, përveç veprave industriale në qytetin tim ku ishin punësuar një masë e mirë e popullit, por dhe për dy fakte të tjera. Së pari: Për mbjelljet e pemëtoreve nëpër faqe kodrash e shpate malesh, plantacione të pamata. Së dyti: Për masën e fshatarësisë që punonin atje, në vendlindjen e tyre, për të rritur mirëqenien… (Miku im nuk ishte njeri i zyrave, kështu që nuk iu dha mundësia të njihej me statistikat nëpër ministri apo komitete ekzekutive, pra, ai mjaftohej me konstatimin okular!). Po tashti, mendova, çfarë do t’i tregoj? Ku janë plantacionet e agrumeve në krejt Shqipërinë jugore – bregdetare nga Vlora e deri ne Sarandë? 

Rrënimi i pakthyeshëm
Plantacionet e qershive e pemëve, agrumeve në qafë të Muzinës e Mursi? Ku janë ullinjtë shekullor në qafë të Bestrovës e gjithandej kurorës së qytetit tim? “Me krahë janë bërë të gjitha këto?!” ish habitur miku im. Në raste të tilla, kur gjithçka është shpërbërë, përgjigja më e saktë, sapo të ballafaqohej me panoramën, mendova se do të ishte: Për inat të sime vjehrre, shkoj e fle me millonanë! Por kjo do të ishte gjysma e së keqes. Pas plot, thuajse një çerek shekulli, ç’bënë pushtetarët e rinj,përfaqësuesit“dinjitozë” të demokracisë ,që morën fatet e popullit dhe atdheut në duar? Mirë ato që u shkatërruan e u vunë kazmën,( dhe as kurrë e askush s’do përgjigjet për dëmin e paimagjinueshëm që u është bërë shqiptarëve, që ende po vuajnë skamjen!), por përse “rrota e karrocës” qeveritare vazhdon të slitojë, si qerret e fshatarit të shkretë myzeqar në kohën e Zogut? Do ngrija supet? Do mbetesha vuv? Një fakt qëndron, se jo vetëm paraja e malli, por gjithë vendi trajtohet si mall belik. Nuk flasim për përmbytjen, ku dëmet ishin të konsiderueshme, por sa shpenzime do bëhen tashmë për të përmirësuar gjendjen? Dhe a do përmirësohet? Vlora kishte vite që përmbytej me shiun më të vogël. A nuk ishin këto shenja që tregonin se duhej kujdes? Administrata është, madje e bollshme, por kush do ta kontrollonte nëse e kryente mirë punën? A u vu dikush para përgjegjësisë, kur masat nuk ishin marrë? Përsëri përmbytje e përsëri heshtje.. E përsëri po ata zyrtarë…U zgjeruan e u shtruan trotuaret në aksin kryesor të rrugës Vlorë-Skelë. Bukur! S’ka më mirë! -thanë vlonjatët. Po a e ka parë kush cilësinë e tyre? Nga të dy anët, pllakat e trotuareve, diku të hequra, diku të vithisura, më tej i gjen të shkatërruara të thyera, të rrjepura… Rrotull pusetave pa vënë brezin e betonit që të mos lëvizin pllakat. Në anësitë përsëri pa brez betoni… Pra, ende pa iu gëzuar të mirës, njerëzit pengohen e hanë turinjtë. 

A nuk u shpenzuan lekë për këto punime? Atëherë pyesim: Pas kryerjes së punimeve, qoftë sa për sy e faqe, a bëhet kontrolli për të parë cilësinë e tyre? Ai, kontrollori i administratës, si e vuri firmën për të shlyer punëmarrësin? Duke shëtitur diku, duhet të bësh kujdes se kapakët metalikë të pusetave janë gati të bien dhe po të vendosësh këmbën mund të gjendesh në gropë bashkë me të. A do shpëtosh pa një traumë?Diku gjetkë kapakët metalikë mungojnë. Kush i zhvati? Përse kjo neglizhencë? A nuk mund të organizohet një kontroll për të gjetur se kush i përvetëson? Ky është një fenomen që ka kohë që është prezent. Mendjet “e zgjuara”, që janë vënë në karrigen e drejtuesit, a s’mund të vrasin mendjen për të gjetur mënyrën për të kapur përvetësuesin? Në pikat ku grumbullohet hekuri e gjithçka tjetër metalike, është njëra mënyrë…Ka dhe të tjera, sigurisht. Por nuk shëtit më kot fjala, se sot, puna e shtetit është për qejf!!! . 

Nëse do vazhdojmë të shëtisim në qytetin tim… Do jetë e pabesueshme, (por e vërtetë!), të gjeni një rrugë, qofshin ato kryesore, apo që të çojnë nëpër lagje, që të mos jenë hapur kanale paralel e tërthorë me aksin e tyre dhe pastaj të jenë hedhur mballomat, si fasheta që lidhin plagët (por të zeza!). Nuk ka shumë vite që është shtruar rruga drejt bregdetit. Sa herë janë shembur dhe kanë mbetur si gojë të shqyera për kohë të tëra fragmente të saj, madje vazhdon tek- tuk ende… gjendja të jetë e tillë, ose të jenë hapur gropa e hequr një shtresë e saj… dhe askush s’kujtohet për riparime e mirëmbajtje…E jo vetëm kaq. Por e gjithë rruga nga Vlora e deri në Orikum, u hap, thuajse në krejt gjatësinë e saj, një kanal që u shtruan tubacione, etj, kur ende s’kishte një apo dy vite që ishte inauguruar shtrimi i asfaltit të ri… Por a bëhen studime më parë? A hidhen në letër skica e projekte? A firmosen diku, tek më të diturit, për të bërë vërejtjet e pastaj… Edhe më i padituri e stisë në mendje një plan e një projekt, ku të përfshijë tërësinë e punimeve që duhet të kryejë, që të mos i shkojë paraja dëm, madje do pyesë dhe ndonjë të shkolluar… Po këta “shkencëtarët” tanë, ç’bëjnë ? Një koordinim a nuk ekzistoka mes ministrive apo kujt i përkasin këto punime? Sikur dhe institucione ministrore nga vende të ndryshme të botës të ishin, sigurisht që do t’i bashkërendonin punimet, pasi ua dinë radhën. Bota parashikon ndërtimet urbane për qindra vjet. Po ne ato të shkreta plane s’i bëjmë dot as për dhjetë…? Por këta, shkencëtarët tanë, që shkojnë të kollarisur nëpër zyra, siç duket, e njohin mirë ligjin e ekuilibrit jonik, midis dy enëve komunikuese me lëngje (parasë!) me përqendrime të ndryshme: paraja “çfryhet”nga arka e popullit e kalon për të fryrë xhepat e tyre! 

Qyteti ngryset e gdhihet i pistë 
Qyteti ngryset e gdhihet i pistë. Dalin disa punëtor në rrugën kryesore të aksit Vlorë – Skelë. Po të kaloni njëzetë metra më djathtas e majtas, llum, mbeturina, kazanë të shqyer…Të mos shkojmë më tej, por fill pas sheshit në Skelë ishin dy-tre puseta që derdhnin ujërat e zeza nëpër rrugë, aq sa kundërmonte deri në buzë të detit.( Kolerën do na hapi, thoshin banorët!). U bë disa herë problem nga banorët. Pas dy-tre vjetësh , (s’ka pak kohë, nja dy muaj!) që u rregullua njëra, por ama, tjetrën, krejt të shembur e kanë lënë për të kujtuar”…na ishte një herë…!!!” Pak më tej shtrihet rruga që s’e ka parë kurrë asfaltin (të qëmotshmin e kanë “ngrënë”!) dhe gropat janë sa të futet krejt njeriu! Por ngaqë e kishim fjalën te pastërtia, do shikosh kazane që të vinë ndot t’u kalosh pranë, veçse s’ke nga shkon e do t’i përshëndesësh… A nuk është dikush që duhet të kryej një kontroll e të bëjë pastaj një plan masash? A nuk duhet ai të nxjerri shkakësitë e situatës e më tej të ndërtojë punën për përmirësimin e gjendjes? Ata që kalojnë ç’do ditë me makinën e mbledhjes së mbeturinave inerte, a nuk e ndjejnë përgjegjësinë për të raportuar te eprorët e tyre për gjendjen, të themi, që t’i shkundin nga dremitja? Paratë a i marrin këta zyrtarë? Para Pallatit të Sportit u ndërtua një lulishte kuadratuar me bordurë betoni. I mbushën me dhe, mbollën bar. Syprina e betontë u vesh me pllaka guri, që të jepte përshtypjen e mermerit. S’kish më bukur. Nuk u harrua të viheshin dhe stola. Të shikoje njerëzit e moshave të ndryshme, e më tepër familjarët, gjatë pranverës e verës, pse jo dhe në vjeshtën e vonët, kur ditët ishin me diell, uleshin mbrëmjeve aty. Por pllakat një nga një u “ tëharrën”, e po tëharren. A nuk i ra në sy dikujt, që e mbulon këtë zonë e paguhet për të, e të shqetësohet? Apo mall belik ky malli i shtetit, i popullit. Po malli belik bënë dhe paranë belik…O Zot, pyesim: Çfarë bëhet…?! Kush na drejton…?! Këta qeveritarë, këta drejtues, kur shkojnë jashtë shtetit, a nuk mahniten pas bukurive të atyre vendeve? Kudo ka gjëra të mrekullueshme, që i ka bërë dora e njeriut, sigurisht nën kujdesin e qeverive përkatëse, por çfarë ndjesie vërtitet në mendjen, zemrën e shpirtin e tyre? Si nuk kanë një farë sedre, kur atje kanë shkuar në emër të popullit të tyre, të vendit të tyre… Njerëz të zhveshur nga ndjenjat? Nuk mund të fshihemi pas gishtit, thotë një shprehje e urtë, jo vetëm Vlora, qyteti im, por krejt vendi është kthyer në një mall belik, e jo vetëm paraja e malli… Eh, sikur miku im, nga shteti fqinj, të mos vijë! 
Sigal