Andrea Petromilo: “Dordolec”, dashnor i përvuajtur apo “trim i tërbuar”

56
Sigal

Populli e vendi i ngjan asaj “are”, që për ta përkujdesur ndërton shtetin e mes tyre zgjidhet i pari që do komandojë. Për t’a drejtuar e selitur sa më me nikoqirllëk këtë pasuri që ka vendi dhe mirëqënia e popullit të vijë duke u rritur. Çdo ditë, përmes medias së shkruar lexojmë për vjedhje të paskrupullta, zhvatje deri në palcë të tokës  e nëntokës, për shitje e allishverishe të trojeve

Dikur bashkëfshatarët e mi, madje dhe gjithë bashkëkrahinorët, nëpër arat e mbjella vendosnin dordolecët, disa imitime njerëzish shëmtirë, të stisura prej rreckash të qepura dosido e të mbërthyera në një shkop jo më të lartë se një metër apo një metër e gjysmë, për të trembur shpendët grabitqarë dhe zogjtë dëmbërës të prodhimeve të tyre. Shumë kush nga këta kultivues i vendosnin enkas edhe për të prishur syrin e lig, siç thoshnin, ngaqë prodhimet e tyre ishin të mbara dhe ziliqarët zemërliq pëshpërisnin brenda tyre fjalë mallkimi. Por a e kryenin tërësisht funksionin për të cilin vendoseshin këto simbole dordolecësh? A kishin bindjen e plotë këta stisësh në vlerën e tyre? Sigurisht që jo, pasi pak apo shumë shpendët grabitqarë apo dëmbërës, vazhdonin të ishin vizitor jo të këndshëm.

Ishte ky rit i hershëm ( ndoshta diku ende vazhdon, megjithëse fshatrat dalëngadalë po “fshihen” nga harta e Shqipërisë, dhe nuk do kalojë shumë kohë veç emri do t’u mbetet derisa të shuhet! Do Zoti të mos ndodhi!) besimtarësh, që erdhi në një tavolinë miqsh tek pinin kafe, ku biseda sillej e përhidhej rreth gjëndjes së vështirë ekonomike, që po kalon vendi e populli ynë prej një periudhe kaq të gjatë tranzicioni ( tranzicion i thëçin!!), që s’po mbaron, por nga dita në ditë më keq bëhet, jo vetëm për faktin se migrimi vazhdon, por dhe çmimet e prodhimeve dhe ushqimeve rriten, duke e bërë më të vështirë jetesën. Populli e vendi i ngjan asaj “are”, që për ta përkujdesur ndërton shtetin e mes tyre zgjidhet i pari që do komandojë. Për t’a drejtuar e selitur sa më me nikoqirllëk këtë pasuri që ka vendi dhe mirëqënia e popullit të vijë duke u rritur, (pas varfërisë që përcolli periudha e socializmit!!) sigurisht që qëndron tek aftësia e të parit. Por çfarë ndodh në fakt? Çdo ditë, përmes medias së shkruar lexojmë për vjedhje të paskrupullta, zhvatje deri në palcë të tokës  e nëntokës, për shitje e allishverishe të trojeve, për mashtrime e ku di unë se çfarë tjetër, atëhere çfarë mund të themi për shtetin e për të parin ( kryeçobanin?!)? Kur nëpër ekranet televizive, nuk dëgjon gjë tjetër veç vrasje, abuzime, spekullime, apo përfitime marramendëse si rrjedhojë e shfrytëzimit të karriges? Kur, në intervistat që gazetarët ndërmarrin në rrugë me qytetarët, dëgjon vetëm ankesa për mospërballimin e kushteve të jetesës dhe se mendësia për të gjetur një vend, kudo qoftë ai, për një jetesë më të mirë, jo vetëm, rinia, por dhe moshat më të avancuara vazhdojnë me ritme të përshpejtuara marrin  rrugën e mërgimit? A nuk duhet të shqetësohet dikush nga ata që hanë, pinë, pra, ndërtojnë mrekullisht  jetën nën ombrellën e shtetit, që i mban ky popull me ato që nxjerr nga kjo “arë e madhe”? Si nuk i bie ndërmend askujt prej tyre që të marri në dorë problemet ( të kryejnë detyrën!) e të gjejnë rrugët më të mundshme për ta ndaluar këtë rrjedhë! Që të mendojë për fshatin që dhe ata pak banorë që kanë mbetur të mos largohen? Që një nga hallkat e këtij zinxhiri problemesh e hallesh që ka ky popull të zgjidhen e ta largojnë mendësinë e largimit nga vendi? Apo janë “ ngulur” në një karrige si dordolecët në arë, ku nën hundën e tyre vazhdojnë “ grabitqarët” të dëmtojnë pronën pa kriter e pa u frikësuar nga hija e të parit? Apo dhe vet ai është pjesë e dëmbërësve, një koalicion i pashmangshëm dhe dobiprurës për shpurën e “ egër”?  Si nuk i gjen gjë këta shkatërrues, por prej vitesh zgërdhihen e përçmojnë gjithëfarë faktesh që u përplsen në fytyrë? Populli nuk gënjehet, por katë kafshatë të hidhur përpiqet ta kapërdijë, paçka se i ka mbetur në grykë, pasi nuk ka çfarë të bëjë, ( kështu mendon se është i pafuqishëm, pa ditur ta shfrytëzojë forcën prej  URAGANI që ka, por ka gjetur rrugën më të lehtë,  IKJEN… IKJEN…)

Një drejtues shteti, kur e ngarkon në shpatulla këtë detyrë, përvoja botërore, e ndër vite e vite, ka treguar se duhet të dali nga vetja e njeriut të zakonshëm dhe duhet të mbarti ( veshi) mendafshin e bukur të krenarisë së vendit, të kombit. Dhe duhet ta reflektojë atë në çdo moment e kudo. Përderisa ka “pyje”, s’ka si të mos ketë dhe “egërsira”, të cilat kërkojnë të rrëmbejnë prenë. Është fjala se “egërsirat”  sigurisht që do bëjnë  përpjekjet “të rrëmbejë” diçka nga ty. Por a nuk duhet që të mbajmë “zgjuar” dinjitetin, që nuk është vetëm personal, por është dinjiteti i një populli të tërë, madje të popullit që ka një krenari të ligjshme historike, që askujt nuk i është përgjunjur, përkundrazi, në kushte tepër të vështira, edhe ndoshta mes skamjes, ka rrëmbyer armët dhe ka mbrojtur vendin. Sa padrejtësira i janë bërë këtij kombi? Armata të tëra okupatorësh janë derdhur drejt këtyre trojeve. Sa përpjekje për ta asimiluar janë bërë dhe njihen nëpër shekuj? Madje deri tek gjuha luftuan që ta humbiste. Por ishte largpamësia e atdhetarëve rilindas që të merrte dritë ky vend. Pyes: a ka ndodhur, qoftë dhe rastësisht, që kreu i një vendi të gjunjëzohet nën këmbët e një kolegu të një vendi tjetër? A mund të jepet qoftë dhe një sekuencë nga udhëheqësit europianë e ata botëror që të gjunjëzohen para një kolegu të një vendi tjetër? Tek ai gjest askush nuk pa individin, por shtetin, kombin! E si mund të deshifrohet ndryshe kjo? Nëse je një dashnor i përvuajtur, gjej rastin e mundësinë që të gjunjëzohesh, madje e të shtrihesh përtokë, pasi ajo të përket ty, por jo në “ sytë” e krejt botës, ti, përfaqësuesi i popullit e i kombit tënd, bënë reverancën më të turpshme? Sado të paktë të jenë ata që nuk na duan, jo më që është e kundërta, a nuk gjejnë faktin që të turren e të nxjerrin thonjtë e ta “çjerrin” këtë tablo të vendit tënd? A është e mundur që ndaj një “ … viçi” të përjetosh një miqësi të reflektueshme në çdo aspekt? E si mundet ndaj një serbi që i ka bërë njëmijë e një të këqia këtij kombi, të sillesh si mik i përgjëruar? Me këtë nuk dua të them se duhet të mendosh natë e ditë që ta luftosh? Jo. Aspak. Mos harro edhe në gjumë se ka qenë ( dhe është!) armiku i kombit tënd, por  as mos mendo t’i bësh keq. Lere në teshat e tij të rrihet me veten, por, ama, ti qëndro në krahë të popullit e te kombit tënd, e jo të bëhesh vasal i armikut gjoja për unitetin e paqen në rajon. Ktheje nga të gjitha anët, asnjë arsye nuk e pranon, paçka se mund të dërdëllisësh njëmijë e një arsyetime të pa arsyeshme për ta nxjerrë veten nga kjo llurbë. Valtoja të rrëmben brenda saj e të mbyt, të asfikson… Sa probleme kanë shqiptarët që janë shpërndarë nëpër botë? Dëgjojmë që shumë prej tyre janë përpjekur të mjedisohen me popullin ku kanë shkuar , por kjo është aftësia e tyre, jo se shteti është ndërmjetës.

Qytetarët, dëgjon vetëm ankesa për mospërballimin e kushteve të jetesës dhe se mendësia për të gjetur një vend, kudo qoftë ai, për një jetesë më të mirë, jo vetëm, rinia, por dhe moshat më të avancuara vazhdojnë me ritme të përshpejtuara marrin  rrugën e mërgimit? A nuk duhet të shqetësohet dikush nga ata që hanë, pinë, pra, ndërtojnë mrekullisht  jetën nën ombrellën e shtetit, që i mban ky popull me ato që nxjerr nga kjo “arë e madhe”? Si nuk i bie ndërmend askujt prej tyre që të marri në dorë problemet

Dordolecët vërtetë vendosen për të frikësuar shpendët e ndonjë grabitqari, por ata janë statik, nuk reagojnë, vetëm hija e tyre vërtitet siç sillet dielli, apo era sado e pakët lëviz diçka prej tij dhe tremb zogun qukitës… Pra, ata nuk janë luftëtarë, e as tregojnë trimëri. Ndryshe duhet të qëndrojë çështja me shtetin për të ruajtur pronën e  popullit, jetesën e qetësinë e tij. A mund të jetë një shtet me ligjet e tij trim, madje në dukje “trim i tërbuar” kur s’kanë të ndalur shkeljet ligjor? A e ka një arsye të shpjegueshme kjo? Sigurisht që po. Nëqoftëse ndaj të “ fortëve” nuk ka as reagime e as veprime, atëhere është e pamundur që ata të frenohen. Pra, ata thonë: “ dordoleci” s’ka çna bënë, e s’kemi pse frikemi. Por ka dhe një shpjegim tjetër. Nëse ndaj dikujt prej të fortëve apo vasalëve të tyre merren “ masa”, madje deri dhe në heqje lirie, ( trimëria !) dhe pas disa kohësh ata shëtisin të lirë dhe me xhepat plot nga vjedhjet korruptive, nëpër bulevarde, atëhere s’ka si të ndërpriten  keqbërësit. Nëse nga një marrëzi, që e kish ngarkuar dikush, apo e kishte marrë  si mision përsipër nga dikush tjetër, që ishte e është në shërbim, dhe firmos për të bërë vjedhjen e madhe të pasurisë së popullit, me një ligj absurd, të cituar 7501, si është e  mundur që mungon “ trimëria” e trimit “të tërbuar” që, siç dëgjohet “vet vendos e vet vulos!), për ta zhvlerësuar? Shpura që e ndjek pas si nuk e tundon, por ngërdheshet duke miratuar me kokën varur? Përse nuk e rrëzon e të rivendos të drejtën që i takon popullit? Apo në lerën ku latërzhyhen “derrat”, është zhytur dhe ai? Sigurisht që klimë më të përshtatshme për korrupsion nuk ka veç këtij anti ligji, që s’është parë e dëgjuar nga njëri skaj i globit në tjetrin.

Ktheje kokën nga e vërteta jetësore e mos e vendos veten që hija e simbolit të trembi dëmbërësit. Shoqëria jonë kishte mbartur nga e kaluara, virtyte me një moral të shëndoshë, që na bënte krenar për atë çka përcillnim. A nuk është  mirë, që krahas motiveve të jetës së re që na i dikton koha, si nga popujt  tjerë, të shikojmë atë çka është më e  denjë dhe që i përshatet moralit tonë. Përse të mos ruajmë ato, më të mirat që kemi trashëguar? Degjenerimi hyn çdo ditë e më tepër në shoqërinë tonë. A është ky fenomen që spekullohet e përçohet në etikën e lirisë së njeriut? A nuk i dëgjon opinionet e popullit që s’është i kënaqur me këto? Apo është në interes të dikujt, apo disave dhe “ frika “ nga një Dordolec, nuk përfillet, se e njohin efektin e hijes së tij? Përse nuk ndërhyn shteti, apo frikësohet nga ata që i servirin pasi janë forcë e madhe? A e kuptojnë se një brez, që po “ushqehet” me një moral të dobët, do ta çojë shumë vite më tej dhe shumëzimi bëhet me përllogaritje të pakonceptueshme? A nuk dëmtohet një komb që do ta shoqërojë këtë moral të dobët, të keq shoqëror, ku virtytet e bukura, me aromë njerëzore  ka humbur çdo gjurmë…? Kur je në atë karrige, duhet të kesh horizont, të mendosh gjerë, dhe gjithnjë me dashurinë për popullin,  kombin tënd, për vendin që të ka dhënë emrin, e jo për të bërë jetën tënde “ëndërr”, të pakonceptuar, veshur me pellushin e pasurisë… E ç’fitove? Veç përbuzjes prej njerëzve të tu, që të zgjodhën me mendimin se do t’i përfaqësoje denjësisht, do t’u shërbeje, madje edhe tej sakrificës. Aaa, po, sakrifikove orët e gjumit , të rehatisë, duke menduar shkëlqimin e jetës tuaj. Që në momentin e orëve, ishte deviza nga u nise kur përzgjodhe dhe shpurën tënde, e cila do të pasonte, që edhe ajo, shpurë të grabiste ç’të mundte nga oborri, që i përcaktove ti. Dhe nuk friken se “ detyrën” e “dordolecit” e njohin mirë, madje e kanë nuhatur me kohë…