Albert Thoma/ Auditimi i sjelljes publike dhe qëndrimit të zyrtarëve përballë interesit publik

624
Njësitë e sektorit publik i nënshtrohen auditimit të brendshëm dhe të jashtëm publik, i cili është post faktum, dhe peshën më të madhe në vlerësimin e rekomandimeve e zë auditimi i jashtëm publik, i cili është i pavarur nga ekzekutivi, jep garanci më të arsyeshme dhe kryhet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH). Auditimi i njësive të qeverisjes së përgjithshme nuk është i kufizuar vetëm në auditimin financiar dhe të përputhshmërisë, ai shtrihet gjithashtu tek efektiviteti, ekonomia dhe efiçenca me të cilat njësitë funksionojnë dhe përmbushin objektivat dhe synimet. Një aspekt tjetër i auditimit është “propriety” i cili ka të bëjë me ekzaminimin e vendimmarrjes për sa i përket blerjes, shitjes, kontratave etj. për të parë nëse ato janë realizuar në interesin më të mirë të publikut dhe në përputhje me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar. Ndryshe nga llojet e tjera të auditimit ky auditim shkon përtej dokumenteve, faturave apo evidencave dhe e vë theksin tek thelbi i transaksioneve dhe shikon përshtatshmërinë nga pikëpamja e maturisë financiare, interesit publik dhe parandalimit të shpenzimeve të pakujdesshme. Kështu auditimi i propriety është i lidhur me shqyrtimin e veprimeve ekzekutive dhe vendimet në lidhje me raportin kosto–përfitim me fokus të veçantë nga interesi publik dhe standardet e normat e pranuara të veprimtarisë karshi publikut. Ajo përfshin gjithashtu dhe mënyrën e veprimtarisë të zyrtarit publik në këndvështrimin që a reflektohet në veprimtarinë e tij përgjegjshmëria maksimale në marrjen e vendimit për fondet publike sikur ato të ishin fondet e tij personale. 

Disa principe të përgjithshme njihen si standarde të impaktit financiar në publik. Auditimi i propriety kërkon të sigurojë që shpenzimet janë kryer konform këtyre principeve të artikuluara disa si shpenzimet nuk duhet të kryhen si qëllim në vetë vete por në përputhje me nevojat, çdo zyrtar duhet të tregoj respekt për shpenzimet publike njëlloj si për ato personale, asnjë autoritet nuk duhet të shfrytëzojë kompetencat (pushtetin) për të kaluar fonde direkt ose indirekt në avantazhin e tij dhe, fondet publike, nuk duhet të kalojnë në interes të një personi të veçantë apo një segmenti të veçantë të komunitetit. Auditimi i propriety synon verifikimin e transaksioneve në raport me interesin e publikut të pranuara si norma apo standarde të veprimtarisë. E. L. Kohler e ka përcaktuar termin “propriety” si ajo sjellje (veprimtari) që përputhet me testin e interesit publik (thënë ndryshe, provuar në publik) që gjerësisht është pranuar si norma apo standarde të veprimtarisë, dhe të zbatuara veçanërisht në performancën profesionale sipas kërkesave të legjislacionit dhe kodeve profesionale. Në auditimin e propriety është problem natyra e veçantë e tij. Shprehja “propriety” është një term moral dhe mund te kuptohet duke ju referuar konceptit të moralitetit të pranuar nga shoqëria në një kohë të dhënë. Në çdo lloj auditimi përfundimi është formulimi i rekomandimeve nga auditimi. Në auditimin e përputhshmërisë p.sh. rekomandimet propozohen mbi bazën e gjetjeve nga auditimi për sa i përket përputhshmërisë me kërkesat ligjore dhe kuadrin rregullator në përgjithësi të cilat janë të gjitha të verifikueshme. Auditimi i propriety ka një element të pandashëm të subjektivitetit sepse është shumë e vështirë të ndërtosh standarde mbi interesin e publikut, normat e pranuara të sjelljes të cilat nuk përbëjnë një bazë të fortë për vlerësim nga auditimi. 
Dimensioni tjetër i normave të sjelljes
Në sektorin publik duhet të mbahet parasysh dhe një dimension tjetër i normave të sjelljes. Normat e sjelljes aplikohen zakonisht në mënyrë mekanike dhe krijojnë probleme për një punë të shpejtë dhe efektive. Në sektorin privat një tendencë e tillë mund të rezultojë jo-produktive. Propriety si një element moral duhet të jetë objekt i vlerësimit mbi bazën e objektivave dhe rrethanave ekzistuese të momentit. Elementi i subjektivitetit e bën punën audituese shumë delikate dhe dikton më tepër liri pasi procesi i vendimmarrjes shtrihet në një mjedis dinamik (ekonomik, social dhe politik) dhe duhet të bëhet vlerësimi në bazë të rrethanave në të cilat është marrë vendimi dhe në këto kushte audituesi duhet të ri konceptojë këto rrethana. Gjykimi i audituesit duhet të jetë objektiv se ndryshe deformon qëllimin e menaxhmentit në vendimmarrje dhe bën që auditimi i propriety të jetë jo-produktiv. Po a ekzistojnë mundësitë për të ndërmarrë misione të tilla auditimit? Kjo varet në një shkallë të gjerë nga formalizimi i ekonomisë dhe shkalla e transparencës në vendimmarrje përsa i përket miratimit të projekteve me fonde publike. Në këtë drejtim ende nuk është bërë e mundur transparenca e plotë në procesin e vendimmarrjes. Gjatë përgatitjes dhe miratimit të projektbuxheteve vjetore dhe ato afatmesme, pavarësisht se është sanksionuar me ligj mënyra e vlerësimit të projekt-ideve dhe transparenca përkatëse ende nuk është bërë zakon se çfarë prioritetesh duhet të konsiderohen në raport me pritshmërinë e publikut dhe në interesin më të mirë publik. Ende nuk gëzojmë norma apo standarde mbi të cilat testohet vendimmarrja e njësive të qeverisjes së përgjithshme nga publiku për të pasur dhe një bazë të fortë për auditime të kësaj natyre. 

Duke qenë se procesi është dinamik, edhe mjetet e përdorura për perceptimin e publikut për aspekte të sjelljes dhe qëndrimit të zyrtarëve publik, janë të patestuara dhe shpesh jo transparente përfshi edhe ato që përdoren nga institucione që matin perceptimin e publikut mbi korrupsionin. Kjo bën që të ekzistojnë shmangie nga objektiviteti dhe të krijohen kushte për interpretime të ndryshme dhe nga këndvështrime të ndryshme. Në shoqëritë e zhvilluara janë ndërtuar standarde të sjelljes dhe qëndrimit të zyrtarëve publik në përputhje me principet e përgjithshme të menaxhimit të shëndoshë financiar si rezultat i përgjegjshmërisë gjithmonë në rritje të zyrtarëve publik në vite duke krijuar kushtet për tu testuar në publik vendimmarrja mbi bazën e këtyre standardeve të cilat përbëjnë dhe një bazë objektive për të ndërmarrë misione të auditimit të “propriety”, rekomandimet e të cilit, kanë impakt domethënës në përmirësimin e sjelljes dhe qëndrimit të zyrtarëve publik në raport me vendimmarrjen për shpenzimet me fonde publike. 
Sigal