Agron Mema: Forumi qytetar i Sarandës denoncon keqqeverisjen

563
Hariz Mema: Vetëm të bashkuar mund ta shkulim nga rrënjët këtë bimë të keqe të helmatisur që ka mbirë në qeverisjen shqiptare
Dega e PD-së së Sarandës, ku përmblidhen bashkitë e Sarandës, Finiqit dhe Konispolit, ka mbledhur në një takim të mesditës së të shtunës me Forumin qytetar të Sarandës dhe ish kuadro të kësaj partie gjatë qeverisjes së sajë. Forumi ka denoncuar njëzëri qeverisjen e keqe si dhe propagandën mashtruese për investime, pasi fakti që përurimet ndodhin vetëm në pragfushata, nuk ka asnjë qëllim tjetër , përveçse fasada elektorale dhe kjo po ndodh ditët e fundit në të tria bashkitë e jugut që mbulon në shtrirjen e sajë dega e PD-së së Sarandës. A nuk është një truk elektoral përurimi i depos së re të ujit në Lëkurës, e cila sipas specialistit që e denoncoi në Forum, mjafton vetëm për furnizimin me ujë sa për pishinat e jo më shumë se katër hoteleve të qytetit. Ndërkohë që me gjithë investimet për ristrukturimin e rrjetit të ujësjellësit të qytetit për furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve, nuk thuhet asnjë fjalë dhe nuk është bërë asnjë investim për rrjetin e shkarkimit të ujërave të zeza, ujëra , që të gjithë jemi dëshmitarë, se me një shi të dobët derdhen trotuareve të shëtitores dhe po kështu gjatë gjithë vitit tubacionet e grykëderdhjes janë në buzëdet duke ndotur mjedisin , ambientin në sipërfaqet ranore dhe ujore të plazheve. Në këtë Forum është denoncuar edhe loja e keqe që po bën bashkia e qytetit me Qendrën Polivalente duke shfrytëzuar bamirësinë ndaj këtyre banorëve të moshës së tretë, për ta kthyer në një celulë të partisë së tyre. Forumi shigjetat më të mëdha të kritikës dhe denoncimeve i ka adresuar tek bashkia e Sarandës, pa lënë pas dore dy bashkitë e tjera, që të mbështetura edhe nga qeverisja qendrore, kanë lënë pas dore jo vetëm investimet publike, por edhe dëgjimin e zërit të qytetarëve, duke e kthyer institucionin në një bunker ku qytetarët presin me muaj të tërë për të takuar një drejtues të bashkisë, sikurse ndodh në bashkinë e Sarandës, para së cilës qytetarët presin ti dëgjojnë për shqetësimin e tyre, të shprehin hallet e tyre. Po ku se? Prapa xhamave të zinj që i ka mbuluar shurdhëria? Po kështu ndodh edhe në sektorin e peshkimit, shurdhëri. Përfaqësues nga ky biznes kanë denoncuar me dhimbje situatën në të cilën ndodhet ky sektor i rëndësishëm i ekonomisë së qytetit dhe vet qytetarëve. Ky sektor i rëndësishëm i turizmit dhe i konsumit të përditshëm të banorëve dhe vizitorëve të Sarandës, është lënë pas dore nga bashkia dhe qeveria, vetëm premtime kot, por nuk harrojnë të vjelin taksën prej 20% të tatimit mbi të ardhurat. Ndërkohë që bashkia nuk e di rrugën se ku bie peshkimi. Pjesë e denoncimeve të këtij Forumi kanë qenë edhe privatizimet në fushën e mjekësisë, pasi mundësojnë vetëm shtimin e përvetësimeve të të ardhurave nga privati dhe asgjë në shërbim të pacientit. Kemi një kalim nga ekstremi në ekstrem; nga shërbim shëndetësor falas, në kalimin e këtij shërbimi në duar të privatit?! Po kështu nuk kujtohet njeri prej shumë vitesh të tëra për qendrat shëndetësore të cilat duhet të jenë pranë çdo lagjeje të qytetit, ato ende janë të grumbulluara së bashku në mjediset e spitalit duke zbehur përkujdesjen ndaj të sëmurëve, sidomos moshës së tretë. Po edhe në këtë sektor pjesa më e madhe e specialistëve janë pensionistë, ndaj duhen çuar urgjentisht mjekë të rinj për specializim, ndryshe pas një kohe shumë të shkurtër nuk do të kemi më mjek të specializuar. Brenda shifrave dhe fakteve, forumi ka denoncuar ashpër buxhetin e vonuar të bashkisë për vitin 2017(nuk është vendi ti përmendim shifrat dhe faktet në këtë shkrim). Sipas Forumit, buxheti i miratuar me vota të maxhorancës , lë shumë hapësira për abuzime qindra milionëshe, sidomos me hapësirat publike dhe shtimin e administratës gati 1/3 e personelit që ka aktualisht. Por edhe përdorimi i fondeve për propagandë elektorale nëpërmjet shtimit të vendeve sezonale të punës me militantë. Por ajo që sjell një dhimbje të madhe është braktisja e qytetit, si kudo, e brezit të ri. Një nga faktorët social të nxitjes së këtij fenomeni shkatërrues të së ardhmes sonë, janë politikat e punësimit nga bashkia e cila në shumë raste jo vetëm nuk ndjek kriteret e miratuara, po shkel edhe ligjin duke mbajtur e punësuar shumë pensionistë dhe klanet nepotike të tyre dhe në këtë mënyrë bëjnë të pamundur punësimin e të rinjve të cilëve me diploma në xhep, në universitetet shqiptare dhe të huaja, pasi enden të pashpresë dhe me premtime boshe nga administrata e plakur e bashkisë dhe institucioneve të tjera, marrin rrugën e mërgimit të pashpresë se do të kthehen një ditë përsëri për ti shërbyer vendit dhe qytetit të tyre me dijet dhe njohuritë e fituara në auditorët e universiteteve. Ndaj duhet ndalur ç’do përpjekje dhe orvatje për fasadë elektorale , siç po veprohet aktualisht nga bashkitë e jugut. Vetëpunësimi i një pjese të rinisë, nuk është justifikim punësimi për këta lloj burokratësh të mykur që çdo rrëzë e plasaritje të institucioneve nuk kanë vonuar ta mbyllin me njerëz të afërm të tyre. Vetëpunësimi tremujor në sektorin e turizmit, nuk mjafton as të mbijetojnë e jo më të sigurojnë kushtet elementare të jetesës, ndaj zgjedhin braktisjen e vendit dhe Saranda të kthehet në kryeqytet i punësimeve të pensionistëve dhe nepotizmit. Këto detyrime e shtyjnë opozitën të këmbëngulë në integrimin e brezit të ri duke ngjallur shpresën se ky vend bëhet, por vetëm duke i hapur perspektiva të reja, me njerëz me pikëpamje e vizione të reja, me mendësi properëndimore të vendeve të zhvilluara e të përparuara dhe për këtë opozita e Sarandës kontestoi dhe nuk votoi buxhetin e vonuar të bashkisë, sepse në politikat e sajë nuk gjenden rrugë për këto përparime dhe nëpërmjet hapësirave të buxhetit gjenden rrugë dhe shtigje për abuzime dhe shpërdorime qindra milionëshe të taksapaguesve, kanë vënë në dukje specialistë të ekonomisë dhe financave në këtë Forum. Këto dhe shumë problematika shqetësuese për qytetin ishin Fjala që kanë dalë nga një Forum qytetar në Sarandë. Dhe Edi Ramë si kryeministër duhet të dëgjojë e veprojë dhe jo kur del për takime e përurime të bëjë estrada, llogje pa kuptim, gallata që qeshin vetëm grupi shoqërues dhe tallje me trishtimin dhe fukarallëkun që ka mbështjellë popullin e thjeshtë, duke mos ju përgjigjur asnjë interesimi të komunitetit ku shkon të shoh gjendjen dhe tu hap shtigje , sipas tij , mrekullive të “Rilindjes”. Pse nuk jep përgjigje për ndërprerjen e punimeve të rrugës së Kardhiqit apo për rrugën e pestë të qytetit tonë që ka ngecur në mes e papërfunduar, që sipas gjasave të përfolura, fondi i sajë është konsumuar (?!) Kryeministri mos të mbajë si okielio justifikuese sloganin, se ka dalë me votën e shqiptarëve kryeministër, sepse shqiptarët nuk ja dhanë votën për të ndjekur rininë nga vendi me politikat e tij të dështuara dhe krijuar një administratë farse e servile me pensionistë e lidhje nepotike që edhe ish –diktatura komuniste do t’ia kishte zili, as për të kanabizuar Shqipërinë nuk ia dhanë votën shqiptarët dhe as për tu tallur ngado që shkon me këtë popull. Në fund kryetari i degës së PD-së, Hariz MEMA, ka falënderuar pjesëmarrësit për denoncimet dhe mbështetjen njëzëri të protestës së opozitës. Vetëm të bashkuar do të mundim të shkulim nga rrënjët këtë bimë të keqe të helmatisur që ka mbirë në qeverisjen shqiptare, vetëm të bashkuar në votime, kur ato të bëhen, do të mundim ti frenojmë dallgët e uraganit shfarosës të jetës dhe të ardhmes sonë që na bëri peshqesh qeverisja tanimë e dështuar e “Rilindjes”
Sigal