Agron Fico/ Kryeqyteti ynë në kërkim të identitetit të vet

682
Jeta politike, publike e shoqërore këto muajt e fundit zjenë nga takimet, mbledhjet, debatet dhe mbi të gjitha nga shkrimet dhe opinionet e shumta e të ndryshme në gazeta dhe sidomos në emisionet televizive dhe ato të radiove për zgjedhjet e pushtetit vendor më 21 qershor. Partitë politike, nëpërmjet kandidatëve të vet për pushtetin lokal, shpalosin programet, të fryra me premtime dhe betime se do të bëjnë çudinë. Nga një vëzhgim i thjesht vihet re se një pjesë e këtyre premtimeve janë të ricikluara, sipas modelit “thuaj në fushatë dhe mos bëj!”. Natyrisht, nuk mund të thuhet dhe as të pranohet se kjo është një dukuri e përgjithshme dhe e përbashkët. Këto 18 muaj, pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, koalicioni për Shqipërinë europiane ka ndërmarrë dhe kryer reforma me rëndësi për ekonominë dhe interesat e popullit dhe mbi të gjitha ajo “ecën në drejtimin e duhur”, që është zhvillimi dhe përparimi i ekonomisë e përmirësimi i jetës së popullit. Kandidatët për kryetar bashkie të Tiranës flasin e shpalosin programet e planet për të ardhmen e kryeqytetit, për rrugët e trotuaret, për parkingjet dhe linjat e autobusëve, për shkollat, kopshtet e çerdhet e fëmijëve, për punësimin për taksat etj., por asnjeri gjer sot nuk ka thënë asnjë fjalë për vetë fytyrën e kryeqytetit, për emërimet e rrugëve, shesheve, por edhe për bustet e statujat e ngritura. Në një vështrim tërësor mund të thuhet se në Tiranë ka një kaos në emërtimin e rrugëve, për figurat e shënuar në ato tabela dhe mbi të gjitha disa prej tyre nuk e meritojnë që të jenë në ato emërtime. Kjo ka, sipas meje, dy arsye:
E para, shumica janë vendosur me kritere partiake dhe e dyta, janë vendosur pa u shoshitur nga ndonjë këshill specialistësh dhe pa kritere të qarta. Disa vjet më parë, në Nju Jork, shoqata e njohur “Vatra” dhe Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve, në një mbledhje të përbashkët kërkuan dhe vendosën për ngritjen e një përmendoreje (po edhe busti, po të mos miratohej përmendorja) dhe për këtë u caktova të hartoja një promemorie për Blumbergun, kryebashkiakun e Nju Jorkut, që t’i shpjegoja shkurt figurën e Skënderbeut për kombin shqiptar, por edhe si mbrojtës i Europës së krishterë në shek. XV. Në përgjigjen e dërguar nga zyra e Blumbergut, pasi shprehej nderimi për figurën kombëtare të heroit shqiptar dhe se kuptoheshin sentimentet e bashkësisë shqiptare në Nju Jork, përfundohej se “kriteret e vendosura” pengojnë miratimin e kërkesë së paraqitur. Mjaft rrugë dhe rrugica të territorit të kryeqytetit mbajnë emrat e figurave të njohura të historisë dhe kulturës shqiptare. Është një vlerë e shënuar që sheshi qendror i Tiranës mban emrin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, ose një rrugë pranë ish-ndërtesës së vjetër të radio “Tiranës” quhet rruga “Kont Urani”, një nga gjeneralët e famshëm të Skënderbeut.
Një fond tjetër emrash vijnë nga kultura dhe letërsia, nga figurat e njohura të Rilindjes dhe të Pavarësisë, që quhen: Rruga Budi… rruga Pashko Vasa… Naim Frashëri… Sami Frashëri, rruga Gjergj Fishta, Fan Noli etj. Një vështrim më i afërt i emrave të këtyre rrugëve dhe rrugicave na jep një pamje tjetër, atë të mungesës së kritereve të caktuara. Befasohesh kur shikon një rrugë mbi Oxhakun që mban emrin e një bejtexhiu të periudhës socialiste, i cili u bë i njohur nga poema “Bereqeti”, që midis të tjerave shkruante:
Të rritet misri i lartë
Sa të pritet me sëpatë…,
Po ky nuk është i vetmi rast. Ka edhe emra që nuk përfaqësojnë as vullnetin dhe as kulturën e popullit. Përvoja e kryeqyteteve të njohura të Europës ose vetë Nju Jorku jep qartë se sa me kujdes e kritere janë zgjedhur emrat e rrugëve dhe rrugicave. Në to është pasqyruar historia, kultura, figurat e nderuara të kombeve të tyre. Kryeqyteti për vetë statusin duhet të mbajë e të ketë emrat të denjë, atdhetarë të shquar, njerëz të dijes, të artit e kulturës, për të cilët tashmë koha e ka thënë fjalën e vet dhe ato figura janë bërë ndërgjegjja kolektive e mbarë popullit shqiptar. Të shumta janë edhe rrugët, rrugicat dhe sheshet me emra të huaj si sheshi “Italia”, rruga G. Von Hahn etj. Ka mjaft emra të personaliteteve të shquara të vendeve të ndryshme të Europës, që kanë ndihmuar në çështjen tonë kombëtare. Këtu është mirë të jemi tepër të kursyer. Ka shumë mënyra për t’i nderuar kontributet e këtyre diplomatëve, misionareve, shkencëtarëve, artistëve etj. të huaj.
Emri i presidentit “George Bush” përballë ndërtesës së Kuvendit është një nderim mbarë kombëtar për përkrahjen dhe ndihmesën e dhënë në pranimin e Shqipërisë si anëtare me të drejta të barabarta në NATO, që përbën themelin e sigurisë dhe pavarësisë së kombit shqiptar. Emra dhe veprat e këtyre të huajve, miq të veçantë të Shqipërisë, mund të shënohen në studime dhe botime librash. Fotografitë e tyre, po të gjykohet, të vendosen në muzeume, për ndonjërin mund të shtypet edhe ndonjë pullë postare. Kjo nuk është thjesht çështje opinionesh, por kërkon një studim e shqyrtim nga një këshill njerëzish të ditur, pranë kryetarit të bashkisë. Një parim në këtë përzgjedhje të figurave të këtyre rrugëve dhe shesheve do të ishte faktori kohë; faktori kohë në kuptimin se a ka përfunduar vlerësimi i këtij ose atij personaliteti d.m.th. a ka zënë vend përfundimisht në panteonin e njerëzve apo është në proces. Do të mendoja se emri i Ibrahim Rugovës, ish-president i Kosovës, ende është në proces diskutimi dhe vendi i tij në histori është ende i hapur. Madje, një pjesë e do dhe e vlerëson, sikurse pjesa tjetër nuk e vlerëson. Më i vështirë dhe i nxituar është edhe emri “Bulevardi Zogu I”, kur dihet se shumica e popullit nuk e ka pranuar figurën e mbretit, që e braktisi Shqipërinë më 7 prill 1939, ditën e pushtimit ushtarak fashist. Vendosja e emrave në këto raste është arbitrare, është një despotizëm të menduari dhe të vepruari. Një aspekt tjetër i fytyrës së kryeqytetit tonë është edhe vendosja dhe shpërndarja e busteve dhe monumenteve të figurave historike e partiake. Mos shko larg i dashur lexues dhe shiko sheshin para selisë së Akademisë të Shkencave. Aty do të gjesh bustin e De Radës, Fan Nolit dhe së fundi u shtua edhe busti i historianit të shquar, Aleks Buda, edhe pse publikisht kam kërkuar e shkruar se njëherësh do të ishte mirë që të vendosej edhe busti i gjuhëtarit të madh Eqrem Çabej. Habia është se pas bustit të Aleks Budës shihet qartë bust i një kryetari partie, që është motivuar në opinion se “Ai, përveç të tjerash, ka kontribuar në zgjedhjen e kryetarit të tanishëm të bashkisë së Tiranës.” Po të ndiqet ky lloj vlerësimi partiak e në këtë rast qesharak, në Shqipëri, që ka me dhjetëra parti, do të duhej të kishim në të ardhmen edhe dhjetëra buste!
Një mendim jo i mbarë ka pjellë edhe veprime jo të mbara. Ndërsa përmendorja e mbretit Zog zotëron gjithë pamjen e bulevardit me emrin e tij, përmendorja e atit të Pavarësisë, Ismail Qemalit, është pothuajse e fshehur në një park përballë hotel “Rognerit”. Kjo na lëndon të gjithëve dhe dëshmon se sa pa përgjegjësi kanë vepruar dhe janë sjellë politikanët tanë trutharë. Përmendorja e Ismail Qemalit, në kryeqytet, mund të vendoset afër përmendores së Heroit Kombëtar, Skënderbeut, në sheshin përballë Muzeut Historik. Vëllezërit Frashëri, Abdyli, Samiu dhe Naimi, etërit t e Rilindjes Kombëtare meritojnë secili nga një shtatore në vend të atyre busteve modeste, që kanë gjer sot.. Është një gjetje me vend dhe në pajtim me interesat edhe traditën fisnike të Mirënjohjes së kombit tonë vendosja e përmendores së presidentit Udrou Uillson në sheshin e “Tiranës së re”. Ky akt solemn përfaqëson vullnetin atdhetar të kombit shqiptar për përkrahjen e Udrou Uillsonit për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, pranim të cilin Fan Noli i madh e quan si meritën e vet më të madhe atdhetare. Nga këto opinione e mendime të ndryshme e natyrisht të diskutueshme duket qartë se zgjedhja e kryetarit të ri të bashkisë së Tiranë duhet të sjellë edhe një rishikim me përgjegjësi të emërtimeve të rrugëve, shesheve, vendosjes së busteve dhe përmendoreve dhe kjo të prodhojë një vendim ligjor, larg subjektivizmave dhe qëndrimeve partiake. Të vendosen kritere shkencore atdhetare, të zgjidhet edhe raporti me emrat e huaj. Kjo do t’i kthejë Tiranës, kryeqytetit tonë të dashur, identitetin dhe fytyrën e vet bujare si metropol i një shteti që ka zgjedhur rrugën e duhur drejt Europës së bashkuar.
Sigal