Agim JAZAJ/ Politikë-shthurja dhe plaga që rrjedh…

693
Sigal

*Botën dhe qytetërimet i ka udhëhequr dhe zhvilluar arsyeja, forca është fundi i arsyes dhe e para e pa arsyes!

Tregu shqiptar i tejmbushur më korrupsion, krim, vjedhje deri në pikën më të lartë të vjedhjeve të Bankës së Shtetit, nga vet njerëzit e bankës, të instaluara në “Shqipërizën” tonë halle rëndë, kanë shëmtuar e shthurur njerëzimin   keqas, fizionominë e mbarë   shoqërisë.

Përballë këtij shëmtimi- krimi vetëm politikanët, qeverisësit e 23 vjet e kusur nuk qederosen përpara keq-qeverisjeve, dështimeve dhe zullumeve, të drejtuara njëri- tjetrit me gisht, ende mbeten duke drejtuar “autobusët e greminave”,  nëpër rrokullima, të provuar katërcipërisht se: Nuk i do as zanati!  Bego Sinani, ish- shofer i vjetër,  në ish- Parkun Automobilistik të Vlorës, pa bërë asnjë gërvishtje me mjetin e tij brenda e jashtë vendit tregon shpesh: “Një ditë u përhap lajmi për një shofer të mbrapsht edhe në qytetin e Vlorës: Është rrezuar Filani”: Një shofer i vjetër dhe i vëmendshëm kur e dëgjoi, kish thënë aso kohe: “Shumë u vonua”!…

Nuk është vetëm mëkati i atyre që mbetën duke drejtuar këta “autobusë”, por dhe i udhëtarëve të cilët udhëtuan kaq gjatë me shoferin që ka shënuar qindra e jo dhjetëra aksidente!…

Deformimi i moralit dhe i ligjit bashkudhëtoi me shpejtësinë e gomoneve të ndaluara dhe të lejuara me ligj, me krimin frerë këputur që merr  jetë njerëzish ditën për diell dhe vrasësit VIP “ikin dhe mbeten në drejtim të pa ditur”, me lulëzimin e vilave nga “pasunarët ordiner me goditje të përqendruar”- që nuk dinë të lexojnë asnjë rresht, as tabelën e shumëzimit, të ngritura e vëna pa pikë djerse…

Zullumi më i madh në jetë është: Pasuria pa djersë. Dhe vesi më i ndyrë për të gjallët është: Mosmirënjohja….

Pikërisht ky kontingjent përflitet dhe tregohet me gisht nga shoqëria civile dhe mediatika se; janë klientët edhe më favoritët e biznes-politikës, duke i graduar për të drejtuar dhe të rezultuar për të rrënuar, duke e harruar filozofinë e lashte: “Ku ka zë, nuk është pa gjë”. Madje, të ofertuarit në administratën publike të ditës: “Si gushë varurit, bulçinj fryrët e xhepa fryrët, pallto kthyerit dhe surrat zhyerit”- analizohen dhe anatemohen gjatë nga opinioni publik, rreken e theken përpara kamerave…me demek analizonte në një të përditshme një kokëplot, për këta kokë bosët!…

Mes këtij qerthulli të tejzgjatur nga politika, edhe optimistët më të mëdhenj, gjenden ende në panik të thellë nga kriza e mbartur, nga etja, ndoshta e skajshme për të ndryshuar atë që është rrënuar përgjatë rrënimit 23 vjeçar, për “të ngritur për 23 ditë”, e shfaqur edhe ndaj qeverisë së Rilindjes! Të djegurit “nga Qulli po i fryjnë edhe Kosit”! Nuk besojnë me lehtësi refrenin: “Reformë” të përsëritur përditë e përgjatë këtyre viteve, në mediumet dhe podiumeve me tam-tamet gjatë, në  prag të fushatave të zgjedhjeve, të rezultuara si deri më dje pa zgjidhje, kur shohin edhe sot nëpër poltronët të katapultuar drejtues modele të tilla, dhe reagimet- në revoltë e socialistëve të Vlorës dhe Rilindësve vlonjate ditë më parë në takimin, mos takimin me të deleguarin e qendrës Socialiste, për pushtimin e institucioneve dhe mos marrjen e asnjë shërbimi qytetarët. Mjafton një qeverisës të zbres nga kali me këmbët në tokë dhe sytë në ballë, të shoh me sytë e ballit radhët e gjata dhe mosmarrjen e asnjë shërbimi, rrëmbimin edhe të parave të kotheres së bukës qytetarëve nga Hipoteka, për kryerje shërbimi dhe u dërgojnë pusulla të humbur vula, abuzim e  mos shërbim. Megjithëse duhet të themi me zë të fortë, dhe janë të prekshme dhe shpresëdhënëse disa nga ikursione e Qeverisë së Rilindjes, për të zëvendësuar padrejtësinë e instaluar me drejtësinë e kërkuar e merituar, marrëzinë frerëkëputur me qytetarinë e maturuar!

Qytetarët shohin votën e tyre të ekranizuar nga Lider-Kalanderët në administrimin e saj, në administratën e shtetit, të zbritur tek zyrtari u vogël me dimensione të mëdha, në komunikimin, angazhimin e tyre, në zgjidhjen, kupto lidhjet- kalvarin që i janë bërë qytetarit shqiptar për qafe. Tek reformat që prekin në përditshmërinë reale, listat e veresieve për kafshatën e bukës. Tek përplasja e sporteleve nga sekretarkat taka lartë, të vërshuara nga periferitë rurale, e me psikologji rurale nëpër zyra-zgjyra.

E gjitha kjo ka në thelb: Korrupsion-politikën e stërzgjatur shqiptare e cila zëvendësoi dhe shartoi: vesin në virtyt, moralin me amoralin, ndërtuesin me rrënuesin, shërbyesin me rrëmbyesin, sojliun me sojsëzin, udhëheqësin me udhëdreqsin, besën me pabesinë, vrasësin me viktimën, vjedhësin me të vjedhurin, mëkatin dhe fatin, të keqin me fatkeqin, engjëllin me djallin!…

Një vështrim kalimthi, qoftë nga një aktivist i thjeshtë mbi administratën shtetërore rezulton se: “Kanë mësyrë gjithë militantët me psikologjinë rurale, të “Lëvizjes së Lirë”.

Shqipëria rurale në shumicë, “kur zbriti demokracia”, cila shkatërroi edhe shoqërinë rurale dhe duke e “ndërsyer” atë mbi shoqërinë urbane me të drejtën e lëvizjes së lirë, e përkthyer, të  pushtimit, ndërtimit,  zaptimit e shkatërrimit të lirë, e më pastaj legalizimit të  lirë, ka sjellë një dëm të pa llogaritshëm e me pasoja të më mëvonshme. Ky është morali pervers i politikë shthurjes shqiptare për 23 vjet e ca, të cilën e kanë për të pirë brezat gjatë!

Ka arsyen korruptive në thelb: Për t’i përdorur dhe keq, shfrytëzuar e rrjepur këto kontingjente, të cilët janë lehtësisht, për t’u keqpërdorur, në raport me një nëpunës të thjeshtë, që është i pajisur qoftë dhe minimalisht me element të edukatës qytetare, i cili nuk vihen kurrsesi kundër interesave të qytetarisë së tij-. Vet ky nëpunës i munguar dhe i kërkuar, ka në misionin e tij: “Qytetari është i pari”, përballë korrupsion-politikës që e përmend si slogan badjava: “Qytetarët të parët”, si fasadë në prag fushata. Në të vërtetë qytetarët janë të fundit, e të asgjëkundit!

Gjithsesi, një qytetar me vizion dhe  element minimal, e di që në pozicion, gjithkush është sekondar dhe në jetë është kalimtar. Ai synon të lërë sadopak emër, të mos bëhet mbiemër, sepse duke shkelur të drejtën e tjetrit, kërcënon të vetën, dhe veten…

Të tillë rasate, ka me bollëk, por i mungojnë radhëve të administratës së sotme, vështirë të përdoren si vegla qorre të pusht-pushtetit, të politikë-shthurjes, të klaneve të instaluara në sistem! Shkopi magjik drejtohet dhe gjenden më lehtësisht nga ato kontingjente, pjesë e kësaj “harte”, të cilët shtojnë pa u qederosur disa zero nëpër sahatet e dritave, faturave të qytetarëve dhe në faturat e ujit afrofe. Në Hipotekën e Vlorës, qytetarëve të shumtë u tjetërsojnë dhe u ngatërrojnë pronën, me zhvendosje e mbivendosjet, deri dhe u’a kalojnë të pa ligjshmit. Sepse ai paguan shërbim- manipulimin, kosto rëndë, e “bëjnë “hesapin pa hanxhinë”: Një ditë marrëzia do të marrë fund, “do vonojë po s’do harrojë”. Me zbardhuesin në dorë u kanë nxirë jetën njerëzve, fshijnë shifra, skica e fakte, grisin dokumente dhe “i’a heqin Prengës e i hedhin Lenkës” Kthejnë zyrat zgjyra, komisionet e Kthimit të pronave në, Komisione e Ngatërrimi të Pronave. Komisionet e zgjedhjeve, në Komisione të Vjedhjeve të votave, etj..

Pikërisht një mendjelehtë, i etur për para, pa djersë e mund, pa llogaritur koston e të nesërmes, shfrytëzohet dhe keqpërdoret lehtësisht nga korrupsion-politika e ditës.

Mjafton të hedhësh një sy të shpejtë, qoftë dhe mbi administratën e Qarkut të Vlorës. Rrallë ose shumë rrallë do të gjesh një nëpunës të thjeshtë nga harta qytetëse. Tërësisht ata, ato janë të katapultuar nga zanat rurale dhe shumica nga jashtë qytetit, të zbritur nga e famshmja “Lëvizja e Lirë”!

Thua të ketë defiçencë Vlora për nëpunës të thjeshtë, e kapacitete drejtuese?!

Kjo është fyerje e qytetarisë dhe pa barazi- Babëzia-barbare arsyetonte dhe një qytetar i thjeshtë vlonjat për gazetën “Telegraf”, teksa lexonte nëpër faqet e saj dje! Tek ne është zbatuar teoria e “Mao Ce Dun Idesë”: “Fshati rrethon Qytetin”, e përkthyer dhe e zbatuar: “Fshati qeveris qytetin”! Zbritjet, zaptimet, pushtimet- dhe legalizimet nga “Lëvizja e Lirë”, të përkthyer dhe rezultuar: “Shkatërrim i Lirë”! Pjesa rurale zbritur dhe nga jashtë Vlorës, nga të katër anët e vendit u shpërblye majmërisht: Zotëron tokë të dhënë nga ligji, sipas ligjit famëkeq 7501, të lenë djerrë, dhe tashmë u është hapur oreksi për ta shfrytëzuar. Zbriti në qytet- zaptoi dhe pushtoi buzëdetin dhe u legalizohet, por dhe pushtoi dhe po drejton institucionet shtetërore, administratën!

 “Rroftë pushteti”!

Vini re- thoshte një aktivist i njohur vlonjat: “Edhe Forumet e partive politike janë të mbushur në shumicë nga ky kontingjent”.“Pjesa urbane zë një përqindje të pa përfillshme, sepse qytetaria nuk mund të pranohet dhe as të futet në stallat e ndotura të politikës! Në këto forume nivel ulëta, edhe produkti rezulton skarcitet, kosto të cilën po e paguan shtrenjtë shoqëria shqiptare në udhën e të paudhëve”!

Përgjatë kësaj kohe ne shqiptarët kemi humbur vlerat më të arta të kombit, simbole të një populli ndoshta të varfër, por të pasur me virtyte të rralla! Mund t’më akuzojnë për nostalgji dhe pse janë të shënuara në bilance: “Kolonën Humbje”, Besa, Nderi, Tradita, Burrëria, Krenaria…

Shyqyr deri më tani diku i ruajmë si relike. Kemi humbur betimet më të bukura dhe të çmueshme, “Për Zotin”, “Për Besë”, “Për shpirt”, “Për nder”!

Reformat e premtuara, kanë “plagosur” rëndë edhe shpresën e vogël, dhe kanë vrarë për vdekje, të mbetur në kufomë shpresën e madhe, të moshë vegjëlve!