Abdurahim Ashiku/ Pse do ta humbë e majta kryetarin e bashkisë së Dibrës?

512
Gjiknuri, ministri i energjetikes u shfaq në ekranin e vogël tokësor e satelitor si drejtues “nga lart” i fushatës zgjedhore për bashkinë e Dibrës. Gjiknuri nuk është dibran dhe me sa dihet publikisht nuk ka ndonjë lidhje gjaku apo krushqie me Dibrën. Gjiknuri nuk e njeh Dibrën dhe nuk e ka lexuar rresht për rresht këngën epike “Hajredin Pasha po bie Radikës”. Gjiknuri është lakuar në të gjitha rasat dhe numrat këtij dimri e kësaj pranvere për ndërtimin e HEC-eve mbi lumin Drin, për vendosmërinë e tij për ta mbytur me çdo kusht Dibrën. Një janari i vitit të ardhshëm është caktuar prej tij si dita e nisjes së ndërtimit të hidrocentralit të Katundit të Ri. Deklaratat, kronikat televizive, reportazhet në gazetat e përditshme dhe periodike e kanë bërë fakt të kryer mbytjen e Dibrës. Mbytje në fillim me digën e “Katundin të Ri” e në vijim me diga të tjera deri në Skavicë. 

Gjiknuri, në pozicionin publik si ministër, po qe se populli i Dibrës nuk ia këndon atë refrenin e njohur… “Hajredin Pasha more kreje shënejk, nuk është Dibra Selanejk”, do të mbetet në histori si njeriu që i hapi varrin Dibrës, që mbyti luginën më të madhe, më të bukur dhe pjellore të Shqipërisë (pas asaj të Korçës). Gjiknuri është zgjedhën e atllarëve në karrocën e shtetit që nuk e mbajti fjalën për ti dhënë Dibrës rrugën e vet historike, rrugën e Arbrit. Qeveria e tij i dha fjalën dhe nuk e mbajti. I dha besën dhe e theu. Dibra është e njohur për institucionin e besës. Thyerja në besë, mos mbajtja e fjalës së dhënë përbën sakrilegj për të. Në Dibër janë vënë në garë për kryetarin e bashkisë dy dibranë, një i larguar prej vitesh dhe tjetri i ngujuar atje që në lindje, dy njerëz që siç thuhej në një prezantim kanë lidhje krushqie të shkallës së ngushtë. I djathti është më në avantazh. I majti ka mbi supe “bëmat e Shukriut” çka do punë të madhe e përkushtim që në kushtet e mentalitetit moral dibran të kapërcehen lehtë. Ka edhe “bëmat e Gjiknurit”, alergjinë që ka shkaktuar ai duke u vënë në krye të zhdukjes së Dibrës nëpërmjet gjoleve të korrupsionit mbi Drinin e Zi. Muharrem Ramës i duhet lehtësuar barra. Gjiknuri, koordinatori i Partisë Socialiste duhet të japë dorëheqjen nga drejtimi i fushatës zgjedhore në Dibër. Ai është në konflikt interesi me Dibrën, është zotuar ta mbysë… Partia Socialiste po qe se nuk do ta tërheqë Gjiknurin nga fushata e ka të humbur kryetarin e bashkisë së Dibrës.
Sigal