Abdurahim Ashiku: Jalla, lema… “Lungo Arbrin”!

513
Më në fund “Rruga e Arbrit”, aq e lakuar, aq e dëshiruar, nga kjo anë e ajo anë e kufirit shqiptaro-shqiptar; nga tiranasit, matjanët, dibranët këtej e dibranë andej, tetovarët, gostivarasit… doli e para.
Më në fund fleta u përmbys dhe rruga doli në krye të listës…
U tha me gojë të plotë në “Një biliard” dhe u shpërnda në efir nga toka në qiell e nga qielli në tokë, në valë satelitore e tokësore.
Gazeta “Rruga e Arbrit” që ka njëmbëdhjetë vjet që thërret e bërtet, që argumenton se ajo duhet të ishte prioritet i shumë viteve më parë, që ka përcjellë fotografi “prerje shiritash” e fjalime me “rrahje gjoksi” që në fushatën zgjedhore të vitit 2005 (Fatos Nano) e me radhë, Berisha në tetë vjet e Rama në tre vjet, në momentin kur do të kalonte në printim ndryshoi faqen e parë…
Titull, mbi titull, nëntitull… Para zgjedhjeve nisin punimet…
Rruga e Arbrit përfshihet në programin “Një miliard për ndërtim”…
Kryeministri Edi Rama: Rruga e Arbrit është në procedurë. Është projekti i parë që do të realizohet me Programin “Një miliard, të rindërtimit” dhe kam shumë besim që, nëse nuk do të tradhtojnë procedurat, shumë shpejt do të fillojë puna edhe për Rrugën e Arbrit…
Kishte deklaruar, se nuk do ta linte karrigen e kryeministrit pa ndërtuar “Rrugën e Arbrit”. 
Kishte deklaruar… por “nëse nuk do të tradhtojnë procedurat”, hallva dibrane ftohet e lugët mbeten futur në brez. Kishte deklaruar…por “nëse nuk do të tradhtojnë zgjedhësit”… ikën karrigia, ikën edhe “Rruga e Arbrit”. Gazeta me emrin e rrugës historike të Dibrës, e tej e tej deri në ultësirat e Detit të Zi, do t’i mbushë faqet e saj me dhimbjen e dibranëve për rrugën e tyre, që në shekuj e shekuj “rrugë pedonale” mbeti. Pas pedonaleve…“Lungo Mare”. “Lungo Fiume”, rruga më e gjatë “pedonale” shqiptare është “Rruga e Dibrës”, “Lungo Dibra”, e pa kurorëzuar zyrtarisht në tubime…
“Rruga e Arbrit” ka dalë në krye të listës: ”është projekti i parë që do të realizohet me Programin “Një miliard të rindërtimit”… Jemi mësuar të ngopemi me fjalë… Deri në grykë sa nuk marrim dot frymë… Ruajna Zot, mos përmbyset fleta dhe “Rruga e Arbrit” përfundon jo në fund, por “prapa listës”, siç ka qenë në gjithë këto vite! I vetmi urim është “Ruaje Zot Edi Ramën mos bie nga karrigia!”. Të paktën kemi “kashtë në lumë”, ku të kapemi. Se deri tani pas kashtërash jemi kapur e na kanë zhyt e mbyt… Një ish ministër projektin “Një miliard të rindërtimit” e quajti”: “PASTRIM PARASH!” Ish ministri me mbiemër Dibre, ve kështu “gurin e parë” nën rrotat e “Rrugës së Arbrit”. E gjeti ditën të flasë kur kaq vite në politikë, kaq vite deputet, e kaq kohë ministër i Ministrisë së Drejtësisë, askush nuk e ka dëgjuar të shqiptojë një herë të vetme dy fjalë-shin “Rruga e Arbrit”.
Dibranët tundin kokën e thonë: “Jalla lema… ”
Athinë, 6 shkurt 2017
Sigal